Komedia nuk është mirëpritur nga presidentët e dy vendeve: “Turbullon mentalitetin e popullit”
Filmi më i ri i Larry Charkes, “Diktatori”, do të censurohet nga Turkmenistani dhe Taxhikistan. Filmi i prezantuar në festivalin e Kanës, ku interpreton komiku anglez Sasha Baron Cohen, dy ditë më parë është ndaluar nga disa ish-republika sovjetike.
Ky nuk është filmi i parë “problematik” i Cohen. Me filmin “Borat” ai inatosi Kazakistanin, ndërkohë që këtë radhë ka mundur të inatosë më shumë shtete.
“Diktatori”, është një film ku tregohet: “historia heroike e një diktatori që rrezikon jetën e tij për të mos lejuar ardhjen e demokracisë në vendin që shtypte me dashuri”, shpjegohet në një njoftim promocional për filmin. Në mënyrë të dukshme, filmi është frymëzuar nga Muammar Gheddafi, ish-lideri i Libisë, i vrarë tetorin e vitit të kaluar, por mesa duket satira nuk është pëlqyer nga diktatorët e vendeve të tjera. Sipas agjencisë së lajmeve ruse “Ria Novosti”, filmi është ndaluar në Turkmenistan, vendin më të izoluar në Azinë Qendrore, ku udhëheq me dorë të hekurt Gurbanguly Berdymukhamedov. Në vitin 2007, ai u ishte prezantuar turkmenëve me premtime për hapjen dhe demokratizimin e vendit. Por pas vjetësh në pushtet, retorika e regjimit ka ndryshuar kryetemën: nga liria është kaluar tek lumturia, tek epoka e prosperitetit.
Pas Turkmenistanit, filmi është censuar edhe në Taxhikistan, vendi më i varfër i rajonit. Në Dushanbe qeveris Emomalii Rakhmon, që është i njëjti Emomali Rakhmonov që qeverisi deri në fund të vitit 2007. Në Dushanbe në vend që të ndryshohej presidenti, ky i fundit ka zgjedhur të ndryshojë emër.
Në të dyja vendet motivi për censurimin e filmit ka qenë: “turbullimi i mentalitetit të njerëzve”.
19 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)