Flaka olimpike ka mbërritur në tokën e Britanisë së Madhe ku do të zhvillohen Lojërat Olimpike Londër 2012, më 27 korrik.
Pishtari Olimpik për Lojërat e 2012 mbërriti në bordin e një avioni nga Greqia, pasi edhe në këtë vend u zhvilluan një sërë ceremonish. Greqia ia dorëzoi pishtarin princeshës Anne të Britanisë, një ish-atlete në lojëra të mëparshme olimpike, gjatë një ceremonie të zhvilluar në Athinë.
Pasi ka mbërritur në Cornovaglia, futbollisti David Beckham, një nga ambasadorët e përzgjedhur, ka ndezur flakën që do të vazhdojë turin nëpër të gjithë Mbretërinë e Bashkuar në prezencë të princeshën Anna dhe të kryetarit të Bashkisë së Londrës, Boris Johnson.
Tashmë Flaka Olimpikedo të nisë udhëtimin 70 ditor, nëpër të gjitha zonat historike të Britanisë, para se arrijë në kryeqytet në fillim të lojërave. Rreth tetë mijë njerëz do ta bartin dorë pas dore pishtarin në 1019 qytete, fshatra si dhe zona historike si Stonehenge.
Flaka, e cila ka për qëllim të paraqesë pastërtinë, u ndez për herë të parë nga rrezet e diellit duke përdorur një pasqyrë, në një ceremoni në Olimpia, e cila është shtëpia e Lojërave të lashta Olimpike.
Flaka e lojërave të para moderne olimpike është ndezur në Amsterdam, më 1928, por vetëm në Lojëra Olimpike të Berlinit, në vitin 1936 u organizua një kalim i pishtarit olimpik në mënyrë simbolike, siç bëhet tashmë prej shumë vitesh, nga vendi ku ka lindur së pari ky aktivitet shumë i lashtë sportiv.

19 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)