Udhëheqësit e ekonomive kryesore të botës u mblodhën për të diskutuar çështjet urgjente



Udhëheqësit e ekonomive më të mëdha të botës u mblodhën dje në SHBA për Samitin dyditor të G8-s, e cila do të dominohet nga kriza e thellë që ka përfshirë eurozonën: Greqinë në prag të falimentimit me ekonomitë botërore që po përgatiten për më të keqen, Spanjën apo Italinë me një “këmbë në varr”. Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësimin se kriza e borxhit në Europë mund të rrezikojë rimëkëmbjen e brishtë amerikane. Në të vërtetë, kriza ka dalë më shumë në pah në ditët e fundit. Grekët kanë tërhequr rreth 3 miliardë euro nga bankat që nga zgjedhjet e 6 majit, të cilat nuk nxorën fitues vendimtar. Me rritjen e votave për partitë që kundërshtojnë masat shtrënguese, analistët paralajmërojnë se nëse qeveria e re që del nga zgjedhjet e qershorit kundërshton kushtet e planit ndërkombëtar të shpëtimit, është e mundshme dalja e Athinës nga eurozona. Rezultati do të ishte katastrofik, dhe do të minonte besimin e investitorëve në Itali e Spanjë, ku kostoja e huamarrjes ka arritur kulmin. Nga atje, efekti do të përhapej globalisht, dhe zyrtarët europianë tashmë kanë folur për “pasojat e paparashikueshme”. Por lista e temave është mjaft e gjatë për një samit që nuk do të zgjasë shumë. Temat shkojnë nga sigurimi i ushqimeve për Afrikën, te mosmarrëveshjet bërthamore me Iranin, plani i tërheqjes për Afganistanin, veprimet e mëtejshme ndaj Sirisë dhe Koresë së Veriut e deri te klima globale. Obama gjithashtu do të diskutojë me udhëheqësit europianë reagimet potenciale ndaj presionit në tregjet e naftës, duke përfshirë, ndoshta, lirimin e rezervave strategjike të naftës, para se sanksionet e reja kundër naftës që importohet nga Irani, të hyjnë në fuqi në këtë verë. Megjithatë nga takimi nuk pritet ndonjë progres i madh. Në këtë mes shtrohet vazhdimisht pyetja se ç’kuptim ka takimi i G8-s? Megjithatë, tetë vendet përfaqësojnë 15 për qind të popullsisë së botës dhe dy të tretat e prodhimit ekonomik ndërkombëtar. G8-a është një bashkim i lirshëm shtetesh, jo një organizatë me financim sipas rregullash të caktuara. I krijuar në vitet ’70 në mes të krizës së naftës, u mendua si një forum për të koordinuar çështjet ekonomike dhe tregtare. Por tashmë në rend të ditës janë si çështje politike ashtu edhe ekonomike, pavarësisht se G-20 konsiderohet si forumi më i fuqishëm ekonomik. Përveç kryetarëve të shteteve të G8-s: Gjermania, Franca, Italia, Japonia, Britania dhe Kanadaja, Presidenti Obama ka ftuar në Camp David edhe kryetarët e shteteve dhe të qeverive të Beninit, Etiopisë, Ganës dhe të Tanzanisë. Ata do të marrin pjesë në diskutimet mbi sigurinë e ushqimeve në Afrikë. Diskutimi i kësaj teme është vazhdim i një procesi që filloi në vitin 2009 në qytetin italian të L’Aquilas. Ndërkaq, organizatat humanitare thonë se ato duan që udhëheqësit e 8 vendeve më të industrializuara ta bëjnë sigurinë e ushqimit përparësi kryesore në takimin e tyre të radhës që po të zhvillohet në Camp David.


 


Takimi: Udhëheqësit e ekonomive më të mëdha të botës u mblodhën dje në SHBA për Samitin dyditor të G8-s, e cila do të dominohet nga kriza e thellë që ka përfshirë eurozonën


Temat: Temat shkojnë nga ekonomia te sigurimi i ushqimeve për Afrikën, te mosmarrëveshjet bërthamore me Iranin, plani i tërheqjes për Afganistanin, e deri te klima globale


Shqetësimi: Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësimin se kriza e borxhit në Europë mund të rrezikojë rimëkëmbjen e brishtë amerikane. Në të vërtetë, kriza ka dalë më shumë në pah në ditët e fundit