(Dhe ca diploma shqiptare që të bëjnë me turp)


NDUE DEDAJ


Një shqiptar emigrant që diplomohet në moshën 52-vjeçare, në universitetin prestigjioz të Kolumbias, Nju Jork. Gac Filipaj është njeriu që të bën të meditosh thellë mbi kohën në të cilën rron dhe njeriun sfidues të saj, krejt të pabujë, që nuk është nisur për të qenë në qendër të “botës”. Njeriun, që falë energjisë së tij shpirtërore e morale, kapërcen provincën, kontinentet, moshën, anonimatin, gjykimet dhe paragjykimet tradicionale. Mësuesit, në këtë anë të Adriatikut, zor se mund të gjejnë një shembull më të spikatur se ky për të ilustruar mësimet që lidhen me edukimin e karrierës te nxënësit. Gaci padyshim është modeli me germë të madhe. Për shumëkënd ngjan si një përsëritje e rastit Noli, që qe diplomuar në konservatorin e muzikës në moshë të shtyrë, duke treguar se “legjendat” nuk mbeten të vetme. Por, përtej kontekstit të shkollës, ky është një rast i shënuar që na gëzon në njëqindvjetorin e Pavarësisë sonë kombëtare. Është kënaqësi të dëgjosh për shqiptarë që të bëjnë krenar, teksa rreth e rrotull ke jo pak të tjerë, veçmas të politikës, që jo vetëm nuk të bëjnë të ndihesh krenarë, por të bjerrin dhe shpresën e së nesërmes, me makinacionet e tyre zgjedhore, pak komunitare e kombëtare, më së shumti personale. Prandaj, edhe në këtë qasje, mirënjohje, Gac! Ti iu thua shkollarëve shqiptarë se diploma në Amerikë, apo ndokund tjetër ngjashëm, nuk është një “mollë e ndaluar”. Iu thua emigrantëve se ka një dalzotës për ju, dhe ky është vullneti juaj i palëkundur. Iu thua zotërve të politikës, që shpesh identifikohen me luksin vetjak e familjar, se ka dhe një tjetër sjellje në këtë botë, të fisme e moderne, që mund ta bëjë njeriun të bukur e ngadhënjyes, dhe kur atij i duhet të shkruajë me dorë, se nuk ka një kompjuter, nuk ka një veturë, nuk ka madje as celular. Dhe kjo nuk është retorikë, por një realitet, sa i vjetër aq dhe i sotshëm, i mishëruar bindshëm në personalitetin e Gac Filpajt, por dhe të një dorë shqiptarësh më të rinj, që gjithashtu kanë shkëlqyer në universitetet europiane e amerikane, dhe pse për ta nuk ka pasur gjithnjë publicitet. Pra, nja vazhdë diturie shqiptare, nga Gjon Gazulli i Padovas në shekullin XV, student dhe pedagog aty, te Sami Frashëri në shekullin XIX në Stamboll, e gjer te Gaci me shokë në ditët tona.


Ka nisur të quhet historia e një shqiptari në Shtetet e Bashkuara. U diplomua të dielën e 13 majit, duke qenë i vetmi i “moshuar” mes studentëve të rinj njujorkez. Kishte vajtur në SHBA nga rrethina e Ulqinit (Mali i Zi) në vitin 1992, si shumë shqiptarë të tjerë të atyre trevave, emigruar prej vitesh në kontinentin amerikan. Asokohe nuk fliste anglisht, por pas 7 vitesh mësoi gjuhën dhe u pranua në universitet. Studionte ditën, punonte natën si pastrues, në të njëjtat auditorë. Nuk ishte e lehtë të mësoje gjuhët klasike, për më tepër të fitoje diplomë nderi. Por ëndrra e tij nuk ka mbaruar këtu, ai dëshiron të bëhet doktor shkencash. “Toka e premtuar”, nuk kishte qenë më metaforë për këtë njeri të iluminuar e pasionant. Dihet se për Amerikën nuk ka rëndësi kombësia apo raca së cilës ti i përket, feja apo shtetësia, por ajo çfarë ti je i aftë të shpalosësh në rrafshin e vlerave dhe integrimit. Gaci është nipi i filologut të mirënjohur, Dom Simon Filipaj, përkthyes i Biblës në gjuhën shqipe. Të ishte gjallë ungji i famshëm, me siguri do të ishte mrekulluar me këtë pasardhës diturak të derës së tij, duke e përshëndetur ngrohtësisht “shugurimin” dituror të tij. Dhe për faktin që i nipi u diplomua në gjuhët klasike, ku të paktë janë ata shqiptarë që e bëjnë këtë sot. Ndaj ky është dhe një homazh për të gjithë ata profesorë të vjetër të UT-së, njohës të thelluar të “gjuhëve të vdekura” (latinishtes e greqishtes së vjetër) që nuk rrojnë më.


Diploma e Gac Filipajt është diploma e nderit, por të gjithë e dimë se këndej nga ne ka dhe ca diploma të përfolura, që mund të quhen të turpit. Dhe si për paradoks, që të bëhej publike kjo gjë, u desh një rast nga jashtë, një faksimile diplome në emrin e të riut italian, Renzo Bossi, i cili sipas gjasave nuk ka shkelur kurrë në universitetin shqiptar, nga i cili thuhet se i është lëshuar diploma, madje nuk ka qenë ndonjëherë në vendin e “shqipeve”, që kanë kurajë të bëjnë ndere të tilla të pandershme. Natyrisht nga ky rast, as nga të tjerë, nuk mund të paragjykohet në tërësi arsimi universitar privat, pasi progresi në arsimin e lartë nuk mund të arrihet pa institucionet e arsimit të lartë privat dhe konkurrencën e tyre të suksesshme, për më tepër që janë disa universitetet private me integritet, që kanë nisur të bëjnë emër me programet, profesoratin, shkollat doktorale, botimet etj. Por sipërmarrjet private te ne nuk është e thënë të mos pësojnë krisje aty-këtu. Dhe arsimi universitar privat tashmë e ka një problem. Shumica e shqiptarëve janë bërë me nga një e dy diploma, aq sa nuk ka sanitare spitali që nuk ka marrë diplomë infermierie dhe edukatore kopshti pa arsim përkatës që nuk ka marrë diplomë mësuesie, siç thonë me shpoti ngado.


Nuk duhej të kishte ndodhur kjo parodia e diplomave të tilla (me të cilat thuhet se janë pajisur dhe deputetë, kryetarë komunash, funksionarë të tjerë shtetërorë), por të paktën tani që “plasi” shteti duhet ta ndajë se cilët nga institucionet arsimore private janë në standardet e kërkuara e cilët “kioska” për fabrikim diplomash. Nga panorama “mbytëse” e këtij tregu, nuk bindesh se strukturat shtetërore kanë treguar përgjegjshmërinë e duhur për sa i përket licencimit, akreditimit, shtrirjes së këtyre institucioneve sipas nevojave të popullatës. Rreth 50 universitete shtetërore dhe joshtetërore për 3-4 milionë banorë ngjan diçka e pabesueshme. Logjika ta do se nuk jepen dy licenca për dyqan zarzavatesh në një lagje, jo më për universitete në çdo qoshe të Tiranës. E në gjysmën e rretheve të vendit. Dhe ata që e paguajnë këtë “universitetomani” janë qytetarët (arsimdashës?) të orës së fundit, që pa bërë përzgjedhjen e nevojshme, shkundin xhepat në sportelet e çdo institucioni privat që mban “etiketën” shkollë e lartë: për një diplomë, për të ruajtur vendin e punës, pa qenë të sigurt nëse ata “kartonë” do të jenë të vlefshëm përgjithnjë. Nuk e meriton këtë sarkazëm as vetë tregu i arsimit privat universitar, që pjesës së shëndetshme të tij, t’i bëhet karshillëk nga pjesa, si me thënë, informale, disa të ashtuquajtur universitete të diplomave me dorë të lirë. Besohet se nga 37 universitete private të licencuara, vetëm 14 prej tyre janë të akredituar nga Ministria e Arsimit. Po të tjerët? Po programet? Po stafet akademike? Po infrastruktura? Po bursat për studentët cilësorë? Gjithsesi, një sipërmarrje sa e lavdëruar nga mazhoranca qeverisëse, aq e kritikuar nga opozita. E mira është se ka filluar të debatohet për këtë çështje, politikisht e mediatikisht dhe një ballfaqim mes vetë aktorëve të kësaj sipërmarrje do të ishte me interes, kur secili është në pritje të kontingjenteve të reja nga matura shtetërore e këtij viti.


Ndërkohë, Gac Filipaj atje “larg”, është një shembull dhe për këtu afër, dhe për disa individë që herë pas here mburren se kanë bërë kualifikime universitare në Amerikë a universitetet europiane, më e pakta t’i lehtësojnë ato cv-të e tyre nga titujt akademikë mbase të pamirëqenë, ku seminare apo pjesëmarrje në veprimtari jashtë shtetit, shkruhen si mastera.