Forum
Flasin specialistët e komunikimit: Ndryshimi që duhet të pësojë praktika aktuale
Shpresa Mezini
Sistemi aktual i notave është arkaik. Ai dëmton seleksionimin e vlerave të vërteta të intelektualitetit kombëtar, prish procesin e ndërtimit të elitave shqiptare dhe prodhon deprimim te rinia. Duke marrë shkas nga teza e ngritur pak kohë më parë nga filozofi Artan Fuga, gazeta “Shqip” nxit më tej debatin duke hapur diskutimet nëse duhet të kemi apo jo reformim të sistemit aktual të vlerësimit, që përfaqësohet nga nota. Sipas Fugës nota është fiktivizuar. Për rrjedhojë, pasojat që shkakton ajo te të rinjtë janë dëshpëruese. Në këtë kuadër, zëvendësshefja e departamentit të Gazetarisë, Gentiana Skura, dhe lektori në këtë departament, Ervin Goci, konstatojnë problemet me të cilat po përballet sistemi i notës së fundmi. Ata sjellin argumente që do ta zgjidhnin “nyjën” e krijuar, duke propozuar praktikën e pikësimit, por edhe vlerësimin e veçantë për profilin e studimit, jo vetëm për lëndët e përgjithshme, por edhe për ato të detyruara.
Gentiana Skura, shefe e departamentit të Gazetarisë
Praktikë pikësimi për të qenë objektiv
Mendoj se është një çështje shumë e rëndësishme për arsimin shqiptar në të gjitha nivelet. Në botë ka praktika të ndryshme sistemesh vlerësimi, përmendim për shembull deri në 20 (Francë), 30 (Itali), (A-F), SHBA, që në vetvete përmbajnë diversitet më të madh notash, e kësisoj arrihet në vlerësimin sa më të afërt me dijet e fituara të nxënësve apo studentëve. Sistemi shqiptar i vlerësimit karakterizohet nga hapësira e ngushtë e diferencimit të dijeve të nxënësve apo studentëve. Gjithsej nga nota më e ulët kaluese në atë maksimale ka vetëm 6 shkallë. Pra, ka një hapësirë të ngushtë dallimi të nivelit të dijeve të studentëve dhe kësisoj nota 5 dhe 6 nuk kanë ndonjë diferencë të madhe, ashtu sikur edhe 7-8 apo edhe 9-10. Për këtë arsye, edhe vlerësimi i dijeve në të shumtën e rasteve ka mangësi. Për mendimin tim duhet riparë dhe diskutuar ulja e kufirit të notës kaluese, në mënyrë që të krijohet mundësia e numrit më të madh të notave/shkallëve. Kjo absolutisht do të realizojë diferencim të nivelit të dijeve të përfituara. Nga ana tjetër, do të krijonte besimin te nxënësit dhe studentët për vlerësim objektiv, që natyrisht konvertohet në përpjekje më të mëdha për nxënien e dijeve dhe besueshmërinë te shkollat dhe universitetet shqiptare. Do të theksoja po ashtu edhe një aspekt tjetër të rëndësishëm që shkon në favor të vlerësimit maksimal objektiv të dijeve, praktikën e pikësimit si pasojë e kontrollit të vazhdueshëm nga komponentët e ndryshëm vlerësues si: pjesëmarrja në mësim, diskutimi, esetë, punimet në grup, testet e pjesshme dhe provimet finale. Pikësëpari, kjo do të bënte që të arrihej sa më afër vlerësimit objektiv e nga ana tjetër, vetë nxënësit e studentët do të ishin më të vetëdijshëm e më të përgjegjshëm për rezultatin përfundimtar. Kjo mund të ishte një kriter themelor në realizimin e kurrikulës në arsimin shqiptar, gjë që do të thotë se kërkon unifikim të vlerësimit të mësuesve dhe pedagogëve. Vitet e fundit, një pjesë e universiteteve shqiptare e praktikojnë këtë sistem pikësimi dhe ka tregues me nivel të lartë objektiv e po ashtu edhe një lehtësi më të madhe në mënyrën e vlerësimit të kapacitetit të dijeve.
Ervin Goci, lektor në Fakultetin e Histori-Filologjisë
Vlerësim të veçantë për profilin e studimit
Sistemi i notës nuk është zhvlerësuar. Ai ka disa probleme strukturore, por së fundmi ka marrë pak hov për shkak se me masivizimin e shkollimit publik dhe privat është shtuar presioni në tregun e punës. Tregu është hapur, janë ezauruar të gjitha opsionet e mundshme informale dhe detyrimisht vjen koha kur ata që kërkojnë të punësohen pyesin veten se çfarë kanë në dorë që të konkurrojnë kandidatët e tjerë për punë. Nga ana tjetër edhe punëmarrësit pyesin veten se përveç intervistës direkte që është hallka e fundit, me çfarë kriteri t’i seleksionojnë këta kandidatë që japin një panoramë fare uniformë të meritave universitare. Cilat janë disa pika që unë mendoj se kanë nevojë të përmirësohen në bazë të eksperiencës. Së pari, përshkallëzimi aktual me sistemin nga katra te dhjeta, ku mbetësi përfaqësohet nga katra, ndërsa maksimumi është dhjeta nuk ndan qartë cili është mbetësi, i dobëti, më pak i dobëti, mesatari, i miri dhe shumë i miri, sepse intervalet sasiore nuk e lejojnë. Personalisht jam marrë me konvertime notash, sidomos me sistemin italian dhe kam parë që aty vlerësimi i studentëve bëhet deri në 30, pra shkojnë në dyshifror, me një interval shumë të zgjeruar, ku mund të shquash ato nivele dhe nën nivele që përmenda më lart. Së dyti, kështu si radhiten notat, me një listë drejtvizore, ku nuk dallon se cilat nota janë të profilit të studimit, cilat janë për lëndët e përgjithshme të detyrueshme, sepse mund të qëllojë që një kandidat mund të ketë një mesatare relativisht të dobët në total, por ka një mesatare shumë të mirë në lëndët e profilit për të cilin ka bërë zgjedhjen dhe më shumë mundësi për të kandiduar në tregun e punës. Ne si departament kemi menduar që përveç notave si e dhënë sasiore, të ketë dhe një vlerësim cilësor me anë të një letre shoqëruese nga pedagogët që e kanë ndjekur më nga afër në temën e diplomës apo dhe ateliesë ku ai ka pasur dëshirë, sepse rezultatet e tij mund të jenë të shkëlqyera në profilin ku ai ka investuar më tepër. Kështu është i nevojshëm që vlerësimi të relativizohet në mënyrë që të bëhet diferenca në bazë të aftësive të veçanta. E megjithatë, asnjë nga këto që thashë më lart sado mirë të konceptohen, nuk mund të implementohen pa ndërtuar një hallkë të studiuar monitoruese, të cilat është mirë që të jenë sa më horizontale, kur bëhet fjalë për vendimmarrje të rëndësishme.