Të pranishëm kanë qenë 8 liderët më të mëdhenj të botës, në fokus të bisedimeve, situata në Greqi


Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama e ka nisur Samitin e G8 me një darkë ku kanë marrë pjesë personalitetet më të rëndësishme të politikës botërore, midis të cilëve, padyshim kancelarja gjermane, Angela Merkel  dhe presidenti francez, François Hollande, si përfaqësues të dy prej ekonomive më të zhvilluara të Eurozonës. Qëllimi i kësaj pritjeje nga ana e  presidentit Obama ka qenë për të thyer disi formalitetin që e karakterizon një samit të tillë si dhe për të larguar tensionet midis partnerëve europianë sa i përket krizës që është duke përjetuar Eurozona.


Darka e organizuar dje mes 8 liderëve më të rëndësishëm politikë të botës ka pasur në fokus të diskutimeve çështje të rëndësishme të politikës, por një vend qendror në diskutime ka zënë ekzistenca e mundësisë që Greqia të dalë nga zona euro.


Berlini zyrtar i ka përgënjeshtruar zërat që flasin për mbajtjen e një referendumi sa i përket monedhës së përbashkët euro në Greqi, të cilin Merkel ia ka propozuar Athinës zyrtare. Gjithashtu, u bë e qartë edhe fakti si Komisioni Europiane e ka mohuar ekzistencën e një plani B për ecurinë e mëtejshme të Greqisë, duke u nisur nga kushtet në të cilat ajo ndodhet. Kjo ka qenë një ndër temat e diskutuara edhe mes presidentit të SHBA-ve, Obama dhe atij të sapozgjedhur të Francës, Hollande vetëm pak orë përpara startimit të samitit shumë të rëndësishëm të G8. “Presidenti Hollande dhe unë jemi në një mendje sa i përket faktit se, situata aktuale në Eurozonë është e një rëndësie të veçantë jo vetëm për ekonominë europiane, por edhe atë botërore në përgjithësi”, – u shpreh shefi i Shtëpisë së Bardhë.


Një tjetër temë e trajtuar në darkën zyrtare të mbajtur në rezidencën ‘Camp David’, në Maryland mes liderëve të G8, ka qenë dhe Irani, për të cilin ata ranë dakord që të ndiqej një rrugë e dyfishtë; në radhë të parë të përforcoheshin rrugët diplomatike për bisedime me Teheranin zyrtare dhe nga ana tjetër të shtohen sanksionet me qëllim që të shmanget rreziku i lançimit të një arme bërthamore nga ana e tij.


Të gjithë liderët e pranishëm në takim, përfshirë edhe kryeministrin rus, Dmitri Medvedev, ishin në një mendje sa i përket faktit se Teherani zyrtar e kishte për detyrë të vërtetonte  që programi i tij nuklear ka qëllime paqësore. Samiti i G8 pritet të dalë me një deklaratë ndaj Iranit, e cila mund të përforcojë më tej përpjekjet diplomatike me të.


19 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)