Aktpadia
Kryeprokurorja Ina Rama paditet në gjykatë nga një prokuror me detyrë në Durrës. Dritan Gina ka paditur numrin një të organit të akuzës për mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve ku u zgjodhën anëtarë të këshillit të prokurorëve. Ai akuzon Ina Ramën se ka ndikuar në marrjen e vendimit të paligjshëm të mbledhjes së prokurorëve dhe për zgjedhjen e anëtarëve të këshillit të prokurorëve që ajo preferonte. Prokurori Gina i është drejtuar gjykatës, pasi pretendon se i është mohuar e drejta e një procesi të rregullt ligjor. Prokurori i Durrësit akuzon kryeprokuroren se mbledhja ka qenë një farsë dhe një procesi i parregullt ligjor. Sipas Ginës, Ina Rama u ka mohuar të drejtën për të kandiduar dhe se ka ndërhyrë në pranimin e kandidaturave për anëtar të këshillit të prokurorisë, madje ka debatuar ashpër me prokurorët që kanë qenë kundër saj, duke ushtruar presion ndaj tyre. Në kërkesë-padi, prokurori argumenton se e gjithë procedura që nga thirrja e mbledhjes, kandidaturat e përzgjedhura dhe të lejuara, procedura e votimit dhe ajo e zgjedhjes së anëtarëve të rinj ishin në kundërshtim me ligjin. Gina arsyeton se Ina Rama në kundërshtim flagrant me ligjin e ka thirrur mbledhjen e prokurorëve një vit me vonesë. “Ina Rama ka lejuar me vetëdije që për një vit, një këshill pa mandate të japë mendime, sugjerime e këshillime për masa disiplinore, transferimet dhe emërimet e prokurorëve. Një tjetër shkelje e kreut të akuzës është se njoftimi i prokurorëve për mbledhjen është kryer vetëm 4 ditë para se të realizohej, duke përfshirë ditën e shtunë kur është bërë edhe njoftimi, duke rënë në kundërshtim me Kushtetutën”, deklarohet në kërkesë-padi. Ai i ka kërkuar gjykatës anulimin e pjesshëm të vendimit të marrë nga mbledhja e prokurorëve për zgjedhjen e këshillit të prokurorëve dhe pezullimin e zbatimit të këtij vendimi deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor të gjykimit.