Gramsh
Nëpër urën 70-vjeçare kalonin përditë mbi 50 nxënës
Dy fëmijë të vegjël nga fshati Gjerë i Komunës Poroçan të Gramshit kanë rrezikuar të mbyten në ujërat e lumit Holtë, pasi ura pasarelë mbi të cilën po kalonin është shembur nën këmbët e tyre. Burime nga vendi i ngjarjes i thanë gazetës se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 13:30 të së premtes, kur dy vajza të vogla të familjes Paja, të moshës 14 dhe 12 vjeç ktheheshin nga shkolla. Të dy fëmijët kanë rënë papritur në ujë dhe vajza 14 vjeçe ka arritur të dalë pas 10 metrash, ndërsa motra e saj më e vogël është marrë përpara nga rrjedha e ujit. Ajo është shpëtuar nga banorët e zonës dhe është nxjerrë nga uji rreth 100 metra larg vendit ku ra. “Pas përfundimit të procesit mësimor rreth 40-50 nxënës të ciklit të mesëm dhe 9-vjeçar kanë kaluar mbi urë për të shkuar në shtëpi. Kjo rrugë përshkohet nga fshati Gjerë në qendër të komunës dy herë në ditë. Në momentin që motrat Paja kanë kaluar mbi të, ajo u shemb dhe vogëlushet përfunduan në ujërat e rrëmbyeshëm të lumit Holtë, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Vajza e madhe pas tentativave të shumta ka dalë pas 10 metrash. Ndërsa e vogla është rrëmbyer nga ujërat e shumta dhe kanë qenë banorët e zonës ata që e kanë nxjerrë pas 100 m distancë. Amortizimi i tejskajshëm për pak shkaktoi një tragjedi në familjen Paja, por fatmirësisht mbeti thjesht një paralajmërim kërcënues”, tha Agim Llapushi, kreu i Komunës Poroçan. Ura në fjalë përshkohet çdo ditë nga fëmijët e fshatit Gjerë që shkojnë në shkollë në fshatin përtej. Pas shembjes, 250 banorë kanë mbetur të izoluar tërësisht. Ura pasarelë ishte ndërtuar rreth 70 vite më parë dhe që prej asaj kohe nuk është rikonstruktuar. Burime nga Komuna Poroçan bëjnë me dije se projekti për një urë të re është dërguar pranë instancave përkatëse, por deri më tani kanë ardhur vetëm përgjigje pozitive, por asnjë veprim për ta ndërtuar. Komuna Poroçan nuk ka të ardhura për të ndërhyrë kështu që i kërkon qeverisë me urgjencë që të marrë parasysh këtë rast, pasi jetë fëmijësh po kërcënohen.
S.Muça