Kreu i shtetit flet në VOA: Do të zgjedhim nënkryetarin e KLD


Presidenti Bamir Topi gjate vizites ne SHBA


Bamir Topi, kreu aktual i shtetit shqiptar, ka deklaruar dje se zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës nuk duhet bërë me një shumicë vetëm të njërës palë, por me konsensus. Gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, Presidenti Topi, duke iu përgjigjur pyetjes se si duhet zhvilluar procesi i zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, ndërkohë që ndërkombëtarët kërkojnë një proces konsensual, deklaroi: “Përpara se ta thonë ndërkombëtarët, e thotë Kushtetuta e Shqipërisë. Ne, në një farë mënyre, po kujdesemi gjithnjë e më shumë që të jemi në rregull me ndjesinë e ndërkombëtarëve, se sa me atë që duhet të kemi ne konkretisht, qoftë si shoqëri, qoftë si institucione. Unë do ta konsideroja jo fort elegante që të merresha me identikitin e pasardhësit që do të jetë në zyrën e Presidentit të Republikës, por duke njohur tashmë problematikën e atij institucioni, si dhe lidhjet kushtetuese që ky institucion ka me institucionet e tjera, pra duke e parë në një farë mënyre situatën në pamje “tredimensionale”, si qytetar, si ish-parlamentar, por edhe si President, do ta konsideroja procesin e zgjedhjes së presidentit, jo vetëm nga pikëpamja kushtetuese, por edhe nga fryma e zgjedhjes; dhe këtu jam dakord me mjaft zëra, që jo vetëm duhet të jetë një proces serioz e i kujdesshëm, por, nga ana tjetër, duhet të gjejë një konsensus sa më të gjerë. Marrja në mënyrë shumë të thjeshtë e këtij problemi, duke e konsideruar presidentin, qoftë edhe nga radhët e një vendimmarrjeje të thjeshtë mazhoritare, më së paku do të paragjykohej për ecurinë e këtij institucioni dhe për vendimmarrje të rëndësishme që presin Shqipërinë në kuadrin e reformave të ndryshme, në kuadrin e një klime të ekuilibruar në politikën shqiptare, por sidomos për sa i përket rëndësisë së institucioneve të pavarura, që ato ta ruajnë pavarësinë e tyre, ta zhvillojnë këtë pavarësi, të rrisin integritetin e tyre, qoftë moral, apo profesional, dhe tek e fundit do të kemi një Shqipëri akoma më të mirë”. Presidenti Bamir Topi më tej, pasi kërkoi heqjen e imunitetit për të gjithë politikanët, zyrtarët e lartë të shtetit dhe gjyqtarët, deklaroi se nuk do të tërhiqet për emërimin e nënkryetarit të KLD-së.


“Unë nuk njoh tërheqje në linjën time, ju e dini që kam qenë konsekuent. Problemi është te një vendimmarrje racionale, por ajo që është shumë e domosdoshme, do të thosha, është që askush nuk duhet të mendojë që dikush tjetër që vjen mbrapa duhet të bëjë emërimet. Mendoj se kjo është vlera që kanë institucionet. Institucioni i cilitdo mbyllet në momentin që atij i mbaron afati kushtetues dhe puna për atë që vjen mbrapa, fillon kur atij i nis afati kushtetues. Këtu nuk është çështje emrash dhe individësh, këtu është çështje e stabilitetit dhe e performancës së institucioneve. Nga kjo pikëpamje, në vijim të takimeve që do të ketë Këshilli i Lartë i Drejtësisë, do të marrë në shqyrtim edhe këtë çështje, sepse nuk mund të funksionojë në kapacitet të plotë, në rast se nga pikëpamja strukturore këto institucione nuk plotësohen”.


“Marrja në mënyrë shumë të thjeshtë e këtij problemi, duke e konsideruar presidentin, qoftë edhe nga radhët e një vendimmarrjeje të thjeshtë mazhoritare, më së paku do të paragjykohej për ecurinë e këtij institucioni dhe për vendimmarrje të rëndësishme që presin Shqipërinë në kuadrin e reformave të ndryshme”


 


Ceremonia


Takon Ban ki-Mun, dekoron Riçard Gir


Kreu i shtetit shqiptar ka pasur një sukses të vërtetë diplomatik gjatë vizitës së tij në Nju Jork. Gjatë ditës së djeshme, ai është pritur nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban ki-Mun, me të cilën është folur për sfidat e rëndësishme të vendit dhe ato globale. Ndërkaq dje, Presidenti Topi ka dekoruar një sërë figurash të njohura shqiptare në SHBA, por edhe një nga divat e Hollivudit, Riçard Gir, si dhe gazetarin e famshëm Gerardo Rivera, për kontributin e tyre për çështjen shqiptare. Presidenti Topi ka dekoruar federatën panshqiptare “Vatra”, gazetarin e njohur Elez Biberaj, peshkopin Agathangel (Çamçe) (pas vdekjes), atë Vasil Markon (pas vdekjes), Sali Efendi Myftinë (pas vdekjes), Imam Vehbi Ismailin (pas vdekjes), dom Prenkë Sokolin (Ndrevashajn) (pas vdekjes), Antoni Athanasin (pas vdekjes). Gjithashtu janë nderuar Ilir Demalija dhe Agim Karagjozi.