Burrel


Në mbrëmjen vonë të ditës së enjtes, në hyrje të një pallati në qytetin e Burrelit është vendosur lëndë eksplozive e llojit tritol, nga shpërthimi i së cilës fatmirësisht nuk ka pasur viktima në njerëz, por vetëm dëme materiale. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:40, kur një shpërthim i fuqishëm tritoli ka tmerruar banorët e një pallati në lagjen “Drita” të qytetit të Burrelit. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë, të cilat pas hetimeve të para kanë konstatuar se një sasi prej 300 gramësh tritol ishte vendosur në hyrje të pallatit në sheshpushimin e katit të parë të tij. Sipas burimeve nga policia mësohet se vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Në një hark kohor prej gati një muaji, ky është shpërthimi i tretë me eksploziv që ndodh në qytetin e Burrelit.


h.l.