Hiqen sikur kanë vdekur dhe riaktivizohen vetëm kur bari është eliminuar nga trupi. Në këtë mënyrë, disa baktere shfrytëzojnë veprimin e antibiotikëve. Vetëm tani, studiuesit po fillojnë ta kuptojnë arsyen

Nëse kalojmë sipër një terreni me bar me një makinë kositëse, nuk do mend që do ta presim të gjithë barin. Mund të duket një fenomen dramatik, por në fakt, nuk bëhet asgjë tjetër, veçse kositja e barit. Ndërkohë rrënjët vazhdojnë të jenë në thellësi të tokës. Sapo mbarojmë këtë proces, bari vazhdon të rritet dhe në harkun kohor të pak ditëve, do të vërejmë se është si më parë. Duket se edhe bakteret përdorin këtë lloj skeme. Shkencëtarët po zbulojnë gjithnjë e më shumë mikrobe që janë të afta të futen në organizmat e gjalla dhe të qëndrojnë në gjendje letargjie, ku as nuk rriten dhe as nuk shumohen. Falë kësaj karakteristike, që ndonjëherë është quajtur “qëndrueshmëri”, janë të afta të përballojnë doza të forta barnash, pa zhvilluar rezistencën klasike ndaj antibiotikëve. Në rastet e rezistencës, bakteret vazhdojnë rritjen edhe në prani të antibiotikëve, falë mekanizmave të veçantë të mbrojtjes, siç janë ato të eliminimit të barit përmes mureve të tyre qelizore. Ndërkohë, qelizat e qëndrueshme shtiren sikur kanë vdekur, “ulin kokën” dhe nuk shumohen më, për t’u riaktivizuar pasi bari është eliminuar krejtësisht nga organizmi.

Kjo është një veçori e rëndësishme, sepse për të luftuar qelizat e qëndrueshme, nevojiten antibiotikë të ndryshëm. Edhe disa probleme mjekësore që duket sikur i detyrohen rezistencës ndaj antibiotikëve, në të vërtetë mund të shkaktohen nga qëndrueshmëria. Në disa raste, kjo karakteristikë rrit mundësitë që bakteret të zhvillojnë rezistencën dhe duhen pirë për një kohë të gjatë antibiotikë që të ulet rezistenca e tyre, si në rastin e infeksioneve në fyt, akneve dhe tuberkulozit. Megjithatë janë ende duke u studiuar mënyra të reja për humbjen e rezistencës së baktereve dhe disa prej tyre janë gati për fazën klinike. “Kërkimet po shtohen. Mendoj se shumë shpejt do të kemi në dorë rezultatet”, thotë Kim Lewis, mikrobiolog i universitetit “Northeastern” të Bostonit, në Masaçusets. Nuk do të jetë kurrë shumë herët kur do të zbulohet një strategji e re për të luftuar sëmundjet e shkaktuara nga bakteret, sepse mikrobet gjatë evolucionit kanë përdorur çdo ‘mjet’ për t’u çliruar nga antibiotikët. Ajo çka i përkeqëson edhe më tepër gjërat është se gjatë dhjetë viteve të fundit, prodhimi i barnave të reja është ulur jashtëzakonisht: nga 1940-a deri në vitin 1962 janë zbuluar 15 klasa antibiotikësh, por që prej asaj kohe e deri më sot, këtij zbulimi i janë shtuar vetëm 3.

Bakteret e qëndrueshme janë zbuluar për herë të parë në vitin 1944, kur penicilina filloi të prodhohej për tregun masiv. Mjeku irlandez, Joseph Bigger, vuri re se antibiotiku nuk arrinte të shkatërronte plotësisht një kulturë “Staphylococcus aureus”, bakteri që gjendet zakonisht mbi lëkurën e njeriut dhe që mund të shkaktojë shumë infeksione. Sa herë që i ekspozonte mikrobet ndaj antibiotikut, Bigger vërente se një përqindje e vogël mbijetonte, edhe pse nga testet “Staphylococcus aureus” nuk rezultonte rezistente ndaj penicilinës. Në atë kohë, dy zbulimet u injoruan, por gjatë dhjetë vjetëve të fundit, gjithnjë e më shumë studiues janë përqendruar te ky fenomen. Të gjitha llojet e baktereve që kanë studiuar janë në gjendje të krijojnë qeliza të qëndrueshme, të cilat rriten shumë ngadalë, ose nuk rriten fare. Duket sikur bakteret e kanë zhvilluar aftësinë e të rezistuarit në sajë të disa vështirësive mjedisore, si nivelet e ulëta të oksigjenit, mungesa e substancave ushqyese, ose temperaturat e larta dhe sot i shfrytëzojnë këto karakteristika për t’i rezistuar antibiotikëve. Sipas Lewis bakteret e qëndrueshme janë armiqtë më të rrezikshëm. “Qëllimi i tyre është të mos vriten. Nuk bëjnë asgjë tjetër. Nuk rriten, nuk riprodhohen. Duan vetëm të mbijetojnë”, thotë ai.

Pra mund të thuhet se këto qeliza të përgjumura qëndrojnë të fshehura në heshtje, janë “tolerante”, por nuk shumohen. Megjithatë, sido që të cilësohen, mbeten në jetë sepse antibiotikët nuk mund t’i prekin. Të gjitha barnat që përdoren sot janë studiuar për të luftuar bakteret që rriten dhe shumohen, duke bashkëvepruar me reaksionet kimike që lejojnë formimin e proteinave të reja të ADN-së. “Qelizat që shumohen u ngjajnë makinave me shumë marshe dhe me shumë rrota”, thotë Anthony Coates, mikrobiolog i universitetit “St. George’s” të Londrës. “Të marrësh një antibiotik është njësoj si të hedhësh një çelës anglez në një mekanizëm. Shkakton dëme të mëdha dhe qeliza vdes. Por nëse bakteret janë në letargji, formohen disa rrathë dhe kur vjen antibiotiku, nuk ndodh asgjë”, shpjegon ai.

Bakteret rezistente janë shumë të vështira për t’u mbikëqyrur. Të gjitha karakteristikat e tyre ndryshojnë nga mënyra që studiohen gjithmonë bakteret, ushqyerja dhe rritja. Është pothuajse e pamundur t’i izolosh, sepse në përgjithësi janë më të pakta në numër se bakteret normale. Është e kotë të kërkosh mes qelizave që rriten edhe në prani të një antibiotiku, sepse bakteret e qëndrueshme nuk rriten. Po ashtu, edhe nëse provojmë t’i injektojmë te ndonjë kafshë ose në mesin e një kulture, thjesht do të zgjohen.

“Pothuajse me të gjitha metodat normale bie se s’bën në grackën e tyre. Ka pasur shkencëtarë që i kanë studiuar për një ose dy vjet dhe duke qenë se nuk kanë arritur në asnjë lloj përfundimi, i kanë lënë fare”, përfundon Lewis.



Bakteret rezistente janë shumë të vështira për t’u mbikëqyrur. Të gjitha karakteristikat e tyre ndryshojnë nga mënyra që studiohen gjithmonë bakteret


Janë ende duke u studiuar mënyra të reja për humbjen e rezistencës së baktereve dhe disa prej këtyre janë gati për fazën klinike


Duket sikur bakteret e kanë zhvilluar aftësinë e të rezistuarit në sajë të disa vështirësive mjedisore, si nivelet e ulëta të oksigjenit, mungesa e substancave ushqyese, ose temperaturat e larta dhe sot i shfrytëzojnë për t’i rezistuar antibiotikëve


Ç’duhet të dini

Antibiotikë – Janë barna që veprojnë duke rralluar ose duke ndaluar shtimin e baktereve. Pjesa më e madhe e antibiotikëve vepron vetëm mbi qelizat që rriten dhe shumohen.

Rezistencë – Bakteret mund të zhvillojnë mekanizma mbrojtës për t’u rezistuar efekteve të antibiotikëve. Gjatë viteve të fundit, ky fenomen është rritur ndjeshëm dhe konsiderohet një prioritet i shëndetit publik në mbarë botën.

Qëndrueshmëri – Në disa raste, bakteret mund të bëhen të qëndrueshme: pushojnë së rrituri dhe nuk shumohen më, por mund të riaktivizohen vetëm kur përfundon efekti i barit.