Ruleta e penalltive, një mallkim për Bajernin e pafat
Një Bajern i pafat tradhtohet nga Roben dhe humbet Champions-in nga ruleta e penalltive, që i dhuron Çelsit trofeun e parë në histori. Pjesa e parë e finales së Champions League mes bavarezëve dhe londinezëve u mbyll me rezultatin 0-0. Në “Allianz Arena” vendasit po luanin finalen në shtëpi, duke qenë skuadra favorite nga të gjithë parashikuesit. Por kjo nuk ka mundur të tregohet në fushën e lojës, ku gjermanët nuk kanë mundur të shembin murin e skuadrës së Di Mateos dhe të mposhtin portierin Peter Çeh. Loja e londinezëve ishte e parashikueshme para fillimit të kësaj ndeshjeje. Nuk mundohen që të menaxhojnë qarkullimin e topit dhe kërkojnë të nisen në kundërsulm, gjë që arrin ta bëjë shumë rrallë në 45 minutat e para. Në fillim ndeshja është shumë e bllokuar: Bajerni që provon të imponojë ritmin, i cili gjithsesi mbetet i ulët. Me kalimin e minutave bavarezët përmirësohen me avancimet e Riberi e Roben. Është pikërisht ky i fundit që krijon rastin e parë për gol. Hyn në zonë, gjuan fort rrafsh me tokën, por Çeh grushton dhe përplaset në kryqëzimin e shtyllave. Më pas është Myler, i cili ka qenë në hije në pjesën e parë, por në krosin e Kontentos provon të imitojë Zidanen në vitin e largët 2001, ndërsa gjuajtja e tij fluturimthi është pak mbi traversë. Megjithatë rasti më i mirë i takon pikërisht Gomezit, por që në ndryshim nga herët e tjera gabon: merr një top nga Myler, lirohet nga Kahil me një finte, e më pas, thuajse nga pika e 11-metërshit, gjuan lart. Në këtë dominim të Bajernit, Çelsi arrin të krijojë një rast të vetëm në pjesën e parë: kundërsulmi i Lampard dhe Drogba, që mbyllet nga Kalou me një gjuajtje në limite, që Nojer e bllokon në dy kohë. Rasti tjetër është një goditje dënimi nga hyrja e zonës e Matës, që përfundon shumë lart. Bajerni e meritonte fitoren, por futbolli është i ashpër, pasi ka humbur raste shumë të mira, duke i dhënë mundësinë Çelsit të qëndrojë ende në lojë. Fraksioni i dytë i ndeshjes është thuajse një monolog. Bajerni merr në dorë frenat e takimit dhe e mbyll Çelsin në gjysmëfushën e tij. Goli duket shumë larg, kur gjuajtjet e Kros e Myler bllokohen nga Luiz e Kol. Gomez dështon në shtytjen finale drejt golit. Çeh është gjithnjë i kujdesshëm në daljet e tij, por sulmi londinez është thuajse inekzistent dhe i beson vetë Drogbasë. Ndërrimi i parë vjen në minutën e 72, kur Di Mateo largon Bertrand dhe fut Malouda. Bajerni shtyn përpara dhe aroma e golit bëhet gjithnjë e më e pranishme. Në minutën e 82 Kroos jep një asist në shtyllën e dytë për Mylerin, që arrin të shënojë, për shkak edhe të një Çehu të papërgatitur. Goli i gjermanit bën të shpërthejë “Allianz Arena” dhe tifozët gjermanë janë gati për festën. Surpriza, siç shpesh ndodh, është aty. Mata gjuan një goditje këndi dhe Drogba, me një shkëputje të jashtëzakonshme, e kthen në gol, që ndez gëzimin e londinezëve në minutat e fundit. Një barazim 1-1 i pamerituar, por është një perlë e afrikanit që befason Nojerin. Të dyja skuadrat shkojnë në kohët shtesë, ku 15 minutat e para i japin Bajernit një shans të madh për të kaluar në avantazh, por gjuajtja e Roben nga pika e bardhë e 11-metërshit të fituar nga Riberi, pritet nga një Çeh i jashtëzakonshëm. Në 15 minutat e dyta nuk ka gol, dhe ruleta e penalltive, e cila në 2008-n ndaj Mançester Junajtid kishte ndëshkuar Çelsin, i jep trofeun e parë në histori në Champions League, duke shënuar emrin me germa të arta në këtë kompeticion.
Ndeshja: Në kohën e rregullt, shto këtu edhe kohët shtesë, është një Bajern i pafat. Muler kalon në avantazh (82’), Drogba barazon 2 minuta nga fundi. Roben humbi një penallti
Penalltitë: Skuadra e Di Mateos fiton finalen në “Allianz Arena”. Gjuajtja e 11 metërshave është deçizive pas gabimeve të pafalshme të Oliç dhe të talentit Shvajnshtajger
Didier Drogba: Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Didier Drogba është protagonisti absolut i ndeshjes: shënoi golin e barazimit dhe transformoi penalltinë e fundit për kampionët
