Christine Quinn, një lesbike në Manhatan, që pret të bëhet kryebashkiake

Christine Quinn dhe partnerja e saj Kim Catullo

Është irlandeze, katolike dhe homoseksuale e deklaruar. Konsiderohet një prej femrave më të fuqishme të Mollës së Madhe, që edhe pse ende s’është zyrtarizuar, vitin tjetër do të kandidojë për drejtimin e vendit dhe pritet të ketë sukses

Christine Quinn po zgjedh lulet, kërkon modelin e flokëve dhe po kujdeset për detajet e fundit, para ceremonisë së dasmës. Si çdo mëngjes, edhe dje u paraqit në Bashkinë e Nju Jorkut, por si për të fundit herë në rolin e zëdhënëses së këshillit të qytetit. Quinn shkoi aty për t’u lidhur në martesë me Kim Catullo, avokate njujorkeze dhe shoqja e saj prej dhjetë vjetësh. Jeta e tyre nuk do të ndryshojë në mënyrë drastike. Do të vazhdojnë të jetojnë në apartamentin e saj, në Chelsea, një lagje ku jetojnë gejt. Në të njëjtën kohë për Quinn ky është një revolucion. Kur Nju Jorku aprovoi martesat gej, ajo mbajti një fjalim, por që e pati disi të vështirë ta lexonte. “Është e vështirë të përshkruash emocionin që ndjen kur sheh që ligji i shtetit pohon atë që ti ke në zemër”, pati thënë. Megjithatë gjërat që po ndryshojnë në jetën e Quinn janë të shumta. Edhe pse nuk e ka shpallur ende zyrtarisht kandidaturën në garën e vitit të ardhshëm për zgjedhjen e kryebashkiakut të Nju Jorkut, e ka bërë për të mos shqetësuar para kohe Michael Bloomberg, kryetarin i cili mbretëron prej tre vjetësh në Nju Jork.

Sipas një klasifikimi të “New York Post” ajo është gruaja e tretë më e fuqishme në vend, pas Hillary Clinton dhe Diane Sawyer. Në legjislaturën e fundit të Bloomberg, ndikimi i saj politik është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Pasi u caktua zëdhënëse, vendosi që ajo dhe kryebashkiaku të kishin një marrëdhënie të mirë pune. Koha në jetë është e shkurtër dhe nuk duhet çuar dëm me zënka e qejfmbetje, kur në fakt mund të bashkëpunohet për të përmirësuar jetën e komunitetit. Sipas saj, inati dhe divergjenca janë gjërat më idiote që mund të ekzistojnë. Kjo sjellje e ka shndërruar Quinn në krahun e djathtë të zyrës së kryebashkiakut: prej muajsh e ndjek si hije Bloomberg-un, e mbështet në fushatat civile më të vështira, nga ndalimi i pirjes së duhanit nëpër parqe, te beteja për uljen e yndyrave në restorantet e qytetit. Dhe kur arrijnë te të drejtat e gejve, Quinn është e pamposhtshme. Kur këshilltari i Quinn, Tom Duane, senatori gej i Nju Jorkut në fillim të viteve ‘90, po krijonte rrugën e tij për t’u futur në politikë (atëherë Quinn ishte shefe e kabinetit të tij) çështja e homoseksualitetit ishte një nerv i zbuluar edhe në metropolin më liberal dhe kush si ai e pranonte hapur orientimin seksual cilësohej si një monomaniak i çështjes gej. Tani situata është ndryshe. Pa e mohuar identitetin e saj seksual, Quinn ka arritur të çlirohet nga etiketimet e shumta që ekzistojnë për botën ku bën pjesë. Herën e parë që u zgjodh në këshill me votat e Greenwich Village dhe Chelsea, lagjet homoseksuale simbol të Nju Jorkut, u përhapën fjalë se në fakt ajo ishte një heteroseksuale dhe i pëlqente të hiqej si dikush që nuk ishte vetëm për të marrë me të mirë aktivitetin dhe lobin homoseksual të qytetit.

Në Amerikë, politikanët gej nuk janë gjë e rrallë. Në vitin 2010, Hjuston u bë qyteti i parë amerikan që zgjodhi një kryebashkiake të deklaruar lesbike, Annise Parker. As kultura rurale e Teksasit nuk krahasohet me mjedisin urban dhe ultrademokratik të Nju Jorkut. Në Portland, Oregon dhe Sam Adams është bërë simbol avancimi i homoseksualëve në politikë. Madje edhe zëvendëspresidenti Joe Biden, të dielën e 6 majit, tha në transmetim të drejtpërdrejtë se nuk e ngacmonte aspak mendimi i martesës homoseksuale. Kjo është një deklaratë e ngjashme me atë të sekretarit të Arsimit, Arne Duncan, dhe sekretarit për Zhvillimin Urbanistik, Shaun Donovan, shembuj këto që nuk e fshijnë rezistencën e avancuar politike të homoseksualëve.

Quinn e diplomuar në “Trinity College” të Hartford, ka kryer në Nju Jork punën që Obama bënte në Çikago “organizator komuniteti”, ka qëndruar gjithmonë në zonën gri mes aktivizmit dhe politikës, duke iu dedikuar me mish dhe shpirt problemeve sociale. Në shkollë i kristalizoi prirjet e saj seksuale dhe i fshehu për ca kohë, me bindjen se problemi do të zhdukej prej saj. Kur ia rrëfeu të atit, i cili, si ajo, ishte irlandez dhe katolik, u shokua dhe iu përgjigj: “Mos më thuaj kurrë më një gjë të tillë”. Tani ai nuk humbet asnjë manifestim pro homoseksualëve. Zëdhënësja e këshillit është një personazh që nuk kalon pa u vënë re. Ajo e ndryshon shpesh modelin dhe ngjyrën e flokëve. Sipas saj, seancat te parukieri e ndihmojnë të bëjë një rezyme të ekonomisë. Por ndodh që ndonjëherë gjërat të shkojnë edhe keq: para një viti, kur pasi arriti në Queens për një ngjarje publike, sapo zbriti nga makina shkeli pa dashje jashtëqitje qeni. Me gjithë popullaritetin e saj, ajo mori një facoletë dhe nisi ta pastronte.

Detyra e kryetarit të bashkisë është e vështirë, por për shumë kundërshtarë, Quinn ka ditur ta tregojë kudo zotësinë e saj. Ajo thekson se këmbënguljen e ka trashëguar nga gjyshja, një zonjë që përshkoi Atlantikun duke udhëtuar në klasin e tretë të një anijeje e bërë po kaq e famshme: “Titaniku”.

 

Autor te 20 Maj 2012. Ndryshe. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry