DAP: 40 vende të lira për drejtorë e shefa në ministri

Ministria e Brendshme, e Drejtësisë dhe ajo e Ekonomisë kërkojnë drejtues

Lëvizjet, largimet, shkarkimet apo edhe dorëheqjet në administratën publike vijojnë edhe para planifikimeve të pushimeve verore. Departamenti i Administratës Civile bën me dije se aktualisht, në të gjitha ministritë, gjenden vende vakante pune. Për t’i fituar ato, të gjithë kandidatët duhet të zbatojnë protokollet e kërkuara, të dorëzojnë dokumentacionin, t’i përmbahen afateve dhe rregullave të DAP. Më konkretisht të interesuarit mund të klikojnë në faqen zyrtare të DAP, por mund të kërkojnë informacione edhe pranë institucioneve përkatëse. Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës kanë më shumë vende të lira se institucionet e tjera.
Konkretisht, Ministria e Financave ka katër vende të lira pune. Institucioni kërkon specialistë në sektorin e menaxhimit të prokurimeve. Vende të tjera vakante ka për një inspektor në Drejtorinë e Auditit të Brendshëm, një përgjegjës në sektorin e administrimit të bazës së të dhënave kompjuterike dhe një specialist në sektorin e analizave në hartimin e politikave fiskale. Po ashtu, në Ministrinë e Ekonomisë janë gjashtë vende të lira pune. Të gjitha vendet vakante janë për drejtor drejtorie. Vendet vakante janë për krerët në Drejtorinë e Privatizimit, në Drejtorinë e Politikave Elektro-Energjetike, në Drejtorinë e Standardeve Minerare dhe Industriale dhe në Drejtorinë e Bashkëpunimit Ekonomik. Gjithashtu Drejtoria e Administrimit të Pronës Publike dhe Drejtoria e Komunikimit Elektronik, aktualisht janë pa krerë dhe vendet për drejtues sipas DAP janë vakante. Në Ministrinë e Arsimit rezulton të ketë një vend vakant për Drejtorin e Përgjithshëm të Arsimit Universitar. Ministria e Punëve të Jashtme ka vetëm një vend të lirë pune. Konkursi është i hapur, po ashtu edhe në Ministrinë e Mjedisit. Nga ana tjetër, 13 vende të lira pune gjenden në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në faqen zyrtare të DAP, të gjithë të interesuarit mund të shohin nga afër kushtet e konkursit, dokumentacionin e nevojshëm dhe të gjitha kriteret që duhet të plotësohen për ta fituar një vend pune. Gjashtë vende vakante gjenden në Ministrinë e Punës dhe Shanseve të Barabarta. Ndërsa tetë vende të lira pune gjendet në Ministrinë e Drejtësisë, ndërkohë që katër vende të tjera ndodhen në Ministrinë e Mbrojtjes së Konsumatorit.

Autor te 20 Maj 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Arif

    Mundësisht bashkë me njoftimin për vendet e lira të punës të shpallet edhe lista e fituesve të paracaktuar, në funksion të fitores së “ligjshme” të të cilëve do vijnë bedelët e tjerë për të konkuruar. Le të bëhet njëherë transparencë, se për hir të saj do heqim dorë vullnetarisht nga pretendimi për vendin e punës e do jemi në krahun e  kandidaturave që u jpet pa konçesion. Falemnderit për mirëkuptimin.