Tri ditë më parë, prokuroria ka regjistruar kërkesën për shokun e Emiljano Shullazit
Tri ditë më parë, Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjykatë kërkesën për ekstradimin e Ervin (Ergys) Ferhatit, i njohur si shoku i Emiljano Shullazit. Ferhati kërkohet nga Italia për trafik të lëndëve narkotike, ndërkohë që dy javë më parë mësohet se nga drejtësia italiane është dërguar dosja e plotë në ngarkim të tij. Kjo çështje do të gjykohet nga Farije Budo dhe mban numrin 893, ku do të vendoset ekstradimi ose jo i të arrestuarit nga policia e kryeqytetit. Sipas procedurës, kur merr nga një shtet i huaj një kërkesë ekstradimi, Ministria e Drejtësisë, në qoftë se nuk e refuzon atë, ia dërgon bashkë me dokumentet prokurorit pranë gjykatës kompetente. Prokurori, pasi merr kërkesën, urdhëron paraqitjen e të interesuarit për të bërë identifikimin e tij dhe për të marrë pëlqimin eventual për ekstradimin. Sipas dosjes së ardhur nga Italia, mësohet se veprat penale janë konsumuar kryesisht në Milano, por nuk përjashtohen edhe vende të tjera në Itali dhe jashtë saj. Në këtë kontekst, pala italiane shprehet se veprat penale janë konsumuar para dhe pas datës 13 shkurt 2005. Ky fakt është dhënë nga policia italiane për arsyen se Ferhati është dënuar në Shqipëri për të njëjtën akuzë, por për vepra penale të kryera para shkurtit të vitit 2005. Madje, aty janë dhënë dy raste pas kësaj date. Një prej këtyre episodeve është regjistruar më 5 mars të vitit 2005, ku sipas drejtësisë italiane, Ferhati ka blerë 19 kg heroinë, sasi e cila më vonë u shit. “Blerja, transporti, shitja e heroinës dhe pastrimi i parave u realizuan në qytetet Milano, Komo, Bergamo, si dhe në vende të tjera në Itali dhe jashtë saj. Vepra penale të konsumuara në Milano dhe vende të tjera në Itali dhe jashtë saj”, deklarohet në kërkesë. Episodi i dytë i sjellë në Shqipëri ka ndodhur më 3 gusht të vitit 2005, ku Ferhati akuzohet se ka blerë, mbajtur, transportuar dhe importuar në Itali 1 kg heroinë. Në materialin e ardhur nga drejtësia italiane mësohet se Ergys (Ervin Ferhati), 34 vjeç, është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Milanos ka lëshuar urdhërarrestin më datë 09 tetor 2006 për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Më tej, në dosje deklarohet nga autoritetet italiane se masa e dënimit për veprat penale të mësipërme, për të cilat akuzohet shtetasi Ergys Ferhati, sipas urdhërarrestit të drejtësisë italiane, parashikojnë një dënim deri në 20 vjet burgim. Pra, nga kjo kërkesë rezulton se Ferhati nuk është dënuar me vendim të formës së prerë, ashtu siç ishte deklaruar më parë nga policia shqiptare, por që akuzohet për të. Ndërkaq, policia italiane ka bërë një përmbledhje të fakteve, në të cilat ka bazuar urdhrin e arrestit të Interpol Romës, lëshuar më 10 mars të vitit 2012.
