Flasin ekspertët, Gjoka: Nota, marrëveshje informale. Nelaj: Sistemi nuk nxit meritokracinë


Sistemi i vlerësimit në vendin tonë me nota që nisin nga katër deri në dhjetë në vitin 2012, konsiderohet një sistem i dështuar. I barasvlefshëm me këtë përfundim është edhe sistemi i krediteve, që ndërsa pritej të sillte përmirësim, ka shkaktuar më tepër konfuzion. Ndërsa vendet e zhvilluara perëndimore prej vitesh njohin dhe zbatojnë praktika që nxisin meritokracinë dhe shëndoshjen e individëve nga bankat e shkollës deri në universitete, në Shqipëri sistemi i notës është kthyer në një marrëveshje informale mes nxënësit dhe mësuesit, studentit dhe pedagogut, duke sjellë fiktivitet në vlerësim, papërgjegjshmëri dhe duke krijuar vakume në çdo fushë tjetër…


Në një forum, gazeta “Shqip” sjell mendimin dhe argumentet e ekspertëve të arsimit, të cilët e njohin më nga afër psikologjinë e nxënësve, studentëve dhe bëjnë përqasjen me sistemet e shteteve të tjera që prej vitesh zbatojnë kritere të tjera vlerësimi.


Shefi i departamentit të gazetarisë, Artan Fuga, kohët e fundit ka ngritur në diskutim mënyrën e sistemit të vlerësimit në vendin tonë, ndërkohë që ekspertë e specialistë të arsimit dhe mësimdhënies kanë reaguar, duke sjellë shqetësimin e prindërve, nxënësve dhe mësuesve për sistemin aktual me të cilin sot vlerësohen nxënësit nga klasa e parë e deri te studentët e pasuniversitarët që specializohen në fusha të ndryshme në universitetet e gjithë vendit.


“Në mënyrë që shkolla të na krijojë shansin që nesër të mos jemi si sot, me dije herë-herë të niveluara me një matës që quhet notë, që në disa raste përfaqëson nivelin e dijes, por në pak raste përfaqëson edhe nivelin e një marrëdhënieje informale. Duhet të çlirohemi nga kulti i notës dhe të kemi kult dijen”, argumenton studiuesi Behar Gjoka. Sipas tij, shpesh nota vihet në varësi të përcaktuesve të tjerë, si njohja, kërkimi i shpërblimeve nga më të ndryshmet. Mësuesit dhe prindërit shqiptarë kultin e notës e kanë ngritur aq lart sa me këtë metodologji arrijnë të vlerësojnë edhe karakterin e fëmijëve, adoleshentëve, por edhe studentëve. Thonë: “Është vajzë e mirë, merr vetëm 10, dhe është djalë i mirë, sepse në shkollë ka arritur vlerësime e nota maksimale”. Specialistët e edukimit, arsimit dhe pedagogjisë janë të mendimit se nota duhet përmbysur, në shkolla duhet të implementohet një tjetër mënyrë vlerësimi, ndërkohë që prindërit nuk duhet të bëjnë fëmijët e tyre ‘robër’ të notave të larta. Mësuesit, nga ana tjetër, nuk do të shkelin rregullat e marrëveshjes duke shtrembëruar marrëdhëniet në shkollë nisur nga “niveli matës”. Më shumë se për nxënës të 10-s, shoqëria jonë duket se ka nevojë për të rritur qytetarë me vlera, të nxisë tolerancën dhe të stimulojë ngritjen e kapaciteteve sipas meritokracisë. “Institucionet arsimore duket se deri më tani e kanë humbur betejën me impulset e shoqërisë e pushtuar nga ethet kontradiktore të tranzicionit dhe zhvillimit. Këto institucione duhet të përbënin filtrat, por edhe hapësirat aktive të kultivimit të kapitalit njerëzor drejt zhvillimit të etikës profesionale, aftësive, si dhe vlerave qytetare të mbështetura në ndjenjën e drejtësisë, ndershmërisë dhe tolerancës”, thotë në forumin tonë eksperti i arsimit, Dritan Nelaj.


Pedagogët: Mediokriteti, papërgjegjshmëria dhe indiferentizmi i shumë pedagogëve jo vetëm që nuk ndëshkohet, por madje në disa raste ata promovohen në karrierë


Dritan Nelaj, ekspert në arsim


Vlerësimi me nota, dështim i një sistemi


Vlerësimi sasior përmes notave përbën një prej treguesve të përparimit të nxënësit apo studentit brenda sistemit arsimor. Treguesi në vetvete është një mekanizëm i ftohtë dhe neutral, ndonëse paraqet nuanca të ndryshme sipas shkallëzimit. Ajo çka përcakton vlerën universale dhe specifike të notës është sistemi arsimor, cilësia e institucionit, si dhe etika profesionale e mësimdhënësit dhe vlerësuesit. Shkolla, dhe akoma më tepër universiteti, ka treguar se nuk ka mundur të përballojë rolin e vështirë, por thelbësor të kultivimit të ndjenjës së drejtësisë dhe meritokracisë te nxënësi apo studenti. Për më tepër, institucionet arsimore nuk kanë mundur që të vendosin standarde profesionale në procesin e përgatitjes së mësuesve apo pedagogëve të rinj, përzgjedhjes së tyre, si dhe përparimit në karrierën akademike apo të mësimdhënies. Institucionet arsimore duket se deri më tani e kanë humbur betejën me impulset e shoqërisë e pushtuar nga ethet kontradiktore të tranzicionit dhe zhvillimit. Këto institucione duhet të përbënin filtrat, por edhe hapësirat aktive të kultivimit të kapitalit njerëzor drejt zhvillimit të etikës profesionale, aftësive, si dhe vlerave qytetare të mbështetura në ndjenjën e drejtësisë, ndershmërisë dhe tolerancës. Sistemi i vlerësimit të performancës së pedagogëve dhe mësuesve, vlerësimi i brendshëm dhe i jashtëm i institucioneve arsimore duket se realizohet formalisht dhe pothuajse pa asnjë pasojë në ruajtjen apo përmirësimin e shërbimit arsimor. Mediokriteti, papërgjegjshmëria dhe indiferentizmi i shumë pedagogëve jo vetëm që nuk ndëshkohet, por madje në disa raste ata promovohen në karrierë. Përmbajtja e dijes, përgatitja profesionale e stafeve akademike, procesi i transmetimit dhe ndërtimit të dijes brenda auditorëve, si dhe treguesit e vlerësimit të njohurive dhe aftësive bëhen shpesh subjekt i një procesi teatral, i cili gjendet i shkëputur nga realiteti dhe etika akademike. Ata pedagogë, mësues dhe studentë, të cilët i shpëtojnë kësaj marrëdhënieje të shprishur, nuk arrijnë që të dominojnë sistemin, por në më të shumtën e rasteve përbëjnë përjashtime individuale nga rregulli. Sistemi arsimor në tërësinë e tij nuk nxit meritokracinë, dëshirën për dije, zhvillimin e aftësive dhe kultivimin e ndërgjegjes për drejtësi. Mendoj se përpara se të ndryshojë forma apo ngjyra e etiketës duhen ndryshuar parakushtet që përcaktojnë procesin dhe produktin e sistemit arsimor.


 


Behar Gjoka studiues


 


Nota, njësi formale e dijes


Në fakt i gjithë sistemi arsimor ka pësuar një reformim të shumëfishtë, përmbajtjes së metodës së mësimdhënies dhe e vetmja gjë e pandryshuar është sistemi i vlerësimit. Jemi në një kontradiktë që do të kërkonte shumë vëmendje dhe trajtime të gjera se si ta afrojmë procesin reformues të shkollës me sistemin vlerësues. Këtë e bën të pashmangshme edhe fakti që nota me një marrëveshje formale e pashpallur për të konsideruar dijet e nxënësit tashmë është shndërruar në një marrëveshje informale. Pra, që shpesh nota vihet në varësi të përcaktuesve të tjerë si njohja, kërkimi i shpërblimeve nga më të ndryshme. Realisht jemi në një problem enigmatik që kërkon zgjidhje. Megjithatë zgjidhja duhet të vijë nga të gjitha palët e interesuara. Me këtë kuptoj faktin që nëse si proces reformues do të merret përsipër nga Ministria e Arsimit, palët e interesuara që do të duan pjesë organike dhe jo formale, si komuniteti i nxënësve, prindërve, opinioni i gjerë publik, të cilët me debate të hapura do të duhet të sjellin argumentet pro dhe kundër, por në fakt për ta shprangosur sistemin arsimor nga një situatë ku nota në jo pak raste nuk përfaqëson sistemin e dijes. Në kushtet kur nota nuk është më matësi i vetëm përfaqësues i dijes i të nxënit do të duhet që të rikonsiderohen të gjitha mënyrat e tjera të njohura të praktikës botërore të vlerësimit, madje me pika dhe presje dhjetore. Kujtoj një rast personal në vitin 1995, kur isha në Danimarkë dhe rezultati që iu dha nxënësit ishte 5.36, pra me një kah për të shënuar rezultatin real dhe jo atë subjektiv. Nota në fakt herë-herë duket edhe si interes i nxënësit. Tani është interes i nxënësit, prindërit dhe mësuesit, që do të thotë se nga një nivel matës i thjeshtë është shndërruar në një nivel formal dhe herë-herë i shpërdoruar, i pranisë së dijes ose i mungesës së dijes. Reforma do të ishte e plotë në të tërë kuptimet nëse do të fillojmë të mendojmë që vlerësimet subjektive të afrohen sadopak dijes objektive që ka nxënësi. Në mënyrë që shkolla të na krijojë shansin që nesër të mos jemi si sot, me dije herë-herë të niveluara me një matës që quhet notë, që në disa raste përfaqëson nivelin e dijes, por në pak raste përfaqëson edhe nivelin e një marrëdhënie informale. Duhet të çlirohemi nga kulti i notës dhe të kemi kult dijen.