Plagosja e një të riu në Qytetin Studenti në Tiranë ka sjellë ndalimin e dy personave dhe sekuestrimin e një sasie lënde narkotike, të cilën dyshohet se e mbanin për shitje. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në orët e para të ditës së djeshme në një lokal, ku ka mbetur i plagosur një 19-vjeçar. Sipas të dhënave nga policia e kryeqytetit, i plagosuri është Emelind Qendro, student i cili është dërguar në spital, pasi ka marrë një plagë në dorën e majtë, por mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Policia dyshoi për ngjarje të rëndë kriminale për vetë faktin se personeli i lokalit nuk njoftoi. Në vendin e ngjarjes u gjetën një pistoletë “Miniblow” dhe disa porcione hashash. Pas veprimeve paraprake hetimore rezultoi se Qendro ishte plagosur, kur ishte me kunatin e tij, Besnik Sylaj, 30 vjeç, teksa pastronin armën që mbanin pa leje. Fatmirësisht plaga nuk ishte e rrezikshme për jetën e 19-vjeçarit, i cili pas rikuperimit të gjendjes shëndetësore, i duhet të përballet me akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe mbajtjes së lëndëve narkotike. Në Komisariatin Nr. 1 është shoqëruar me akuzën e moskallëzimit të krimit dhe veprimeve që fshehin të vërtetën kamerieri i lokalit, Ardjan Alla. Ndërsa dje, policia ushtroi kontroll në një dhomë në godinat e Qytetit Studenti, ku gjeti tri qese me hashash, të cilat mendohet se i përkasin Sylajt, që nuk i ka shpëtuar ndalimit.