Në Serbi mbahet sot raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit të shtetit, pas balotazhit të 6 majit mes Tomislav Nikoliç dhe Boris Tadiç. Sondazhet për votimin e ditës së sotme nxjerrin favorit Tadiçin, i cili përballet në këto zgjedhje me rivalin e tij ultranacionalist, Nikolic. Tadiç e ka mbështetur fushatën e tij zgjedhore në integrimin europian të vendit dhe në investimet e huaja të thithura në vend qysh prej kohës kur ai ka qenë presidenti i Serbisë, në vitin 2004.


Ndërsa rivali i tij në këto zgjedhje, Nikoliç dallohet për pikëpamjet e tij ultranacionaliste dhe në të shkuarën ka pasur qëndrime drastike kundër integrimit të Serbisë në BE, por kohët e fundit duket se e ka moderuar dhe zbutur disi qëndrimin e tij.


Nikoliç ka pretenduar se janë bërë falsifikime të votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Serbi, të mbajtura më 6 maj, ku Tadiç ka qenë përpara me shumë pak vota.


20 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)