Sarandë, shkelin turistët e parë, kreu i bashkisë: Promovim nga 500 mijë turistë
Kjo fundjavë ka sjellë çeljen e sezonit turistik për Sarandën dhe Shëngjinin. Të dy krerët e bashkisë kanë mbikëqyrur aktivitetet e organizuara me rastin e ditës së promovimit të turizmit.
Ndërsa kreu i Bashkisë së Sarandës ka premtuar se pushuesit do ta gjejnë qytetin të pastër dhe do t’u ofrohen të gjitha lehtësirat, në Shëngjin mbetet ende problemi i mbeturinave të papastruara pas operacionit të shembjes së ndërtimeve pa leje. Problemi pritet të zgjidhet në javët e ardhshme, por nuk është bërë pengesë për çeljen e sezonit. Dje në Shëngjin, Kryeministri Sali Berisha ka premtuar më shumë investime nga qeveria për zonat bregdetare.
Një problem më vete për turizmin në Shqipëri, sipas Kryeministrit, është pikërisht çështja e mbetjeve, por sipas tij, qeveria dhe komuniteti duhet të bashkëveprojnë që të gjendet një zgjidhje sa më efikase. Kryetari i Bashkisë së Shëngjinit, Salvador Kacaj, i dorëzoi Kryeministrit Berisha titullin “Mirënjohje e Qytetit” për mbështetjen që ai ka dhënë në zhvillimin e mëtejshëm dhe integrimin e kësaj zone. Kryeministri përuroi segmentin rrugor Ishull Shëngjin–Superstradë, si dhe vendosi tullën e parë në ndërtimin e shëtitores së plazhit.
Dje, më shumë se 50 stenda me produkte vendi, ushqime suvenire dhe informacion turistik kanë mbushur shëtitoren kryesore të Sarandës. “Stinën e turizmit tonë e kanë promovuar mbi 500 mijë turistë të huaj, që kanë bërë pjesë të guidave të tyre turistike qytetin tonë”, tha në fjalën e vet përshëndetëse, kreu i Bashkisë, Lefter Çipa. Ai shtoi se nuk e kanë pritur këtë zyrtarizim edhe ata mijëra nxënës e studentë nga i gjithë vendi dhe nga të gjitha trojet shqiptare, që fundjavat e dy muajve të fundit, kanë zgjedhur t’i kalojnë në brigjet dhe bukuritë e Sarandës.
Dita e promovimit të turizmit për verën e 2012-s në Sarandë ka nisur me përurimin e Galerisë së re të Artit, ku janë ekspozuar 72 punë në pikturë e skulpturë. Ndër të veçantat e kësaj dite ka qenë edhe përurimi i këndit të ri të lojërave në parkun “Miqësia”. Me gjithë sfidat e shumta që duhet të përballojë ky sezon, hotelet raportojnë një numër më të lartë prenotimesh krahasuar me një vit më parë. Njëherazi specialistët e turizmit vërejnë se çmimet disi më të ulëta se sezoni i kaluar kanë lënë vend për të gjithë. Slogani i kësaj vere në këtë pjesë të bregdetit të Jonit do të jetë: “Saranda: shtëpia e pushimeve tuaja”.