Një seri goditjesh me magnitudë 5,9 të shkallës rihter kanë tronditur veriun e Italisë duke nisur nga ora 4:00 e mëngjesit të sotëm. Si rezultat i shembjes së disa ndërtesave gjetën vdekjen të paktën 7 persona persona, ndërkohë që mijëra njerëz janë evakuar nga frika e lëkundjeve të tjera.
Tronditja e fortë e tërmetit është regjistruar rreth orës 4:04 të mëngjesit të sotëm në Emilia Romagna, ndërsa epiqendra e tij ka qenë 35 km nga Bolonja. Përveçse në këtë vend, tronditja e tërmetit të fuqishëm, i regjistruar pranë Bolonjës, është ndjerë edhe në zona të tjera si Toskana, Veneto, Lombardi etj., duke shkaktuar panik tek mijëra banorë.
Të dhënat e para flasin për të paktën 7 vdekur, disa prej të cilëve nën rrënojat e një fabrike por edhe ndërtesave të shembura në zonën e prekur nga lëkundjet e tërmetit, por të dhënat janë provizore dhe skuadrat e shpëtimit në terren janë duke punuar për të nxjerrë të mbijetuar nga rrënojat. Sipas të dhënave të para, intensiteti i lëkundjeve mendohet të ketë qenë i njëjtë me tërmetin e vitit 2009 në Aquila, ku humbën jetën qindra persona.
20 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)