Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gazetarëve dhe Lirisë së Medias, Durrësi vlerëson gazetarët me kontribut në jetën e rrethit bregdetar përmes ndikimit në krijimin e traditës së një raportimi profesional dhe me ndikim në komunitet. Durrësi përbëhet nga një komunitet gazetarësh, të cilët bashkëpunojnë për një sërë mediash qendrore dhe lokale. Duke marrë shkas nga kjo ditë, Fondacioni Shqiptar Mjedisi dhe Ekonomia, i cili një ndër pikat kryesore të objektivave të punës së tij ka nxitjen dhe promovimin e vlerave të medias cilësore dhe profesionale, në bashkëpunim të ngushtë me Unionin e Gazetarëve Shqiptarë, dega Durrës, zhvilluan një aktivitet që u mbështet nga Autoriteti Portual Durrës dhe Këshilli i Qarkut. Në një proces votimi gjithëpërfshirës të gazetarëve, u realizua dhënia e disa çmimeve për gazetarët me eksperiencë në fushën e medias dhe ndikim në qytetin e Durrësit. Të ndara në dy kategori, vlerësimin për gazetarët me një kontribut mbi 12-vjeçar në fushën e medias në Rajonin e Durrësit e morën gazetarët e mirënjohur Astrit Tahiri dhe Thanas Mustaqi, të cilët përmes punës së tyre kanë dëshmuar profesionalizëm duke krijuar një traditë raportuese për sa i përket informacionit dhe ndikimit të tij në jetën e qytetit dhe komunitetit në tërësi. Vlerësimin e kolegëve për dy gazetarët që kanë dhënë dhe japin kontribut në fushën e medias së shkruar dhe televizive e siguruan gazetarët Llambi Kallço dhe Mark Brunga. Ndërkohë bazuar edhe në numrin e votave, bordi i Unionit të Gazetarëve, dega Durrës, propozoi edhe dhënien e një tjetër çmimi tjetër për gazetaren Klodiana Haxhiaj, për të zbutur diferencimin gjinor në këtë veprimtari të parë që ndërmerret në Durrës për vlerësimin e gazetarëve dhe kontributin e tyre në shoqëri. Durrësi ndër vite ka pasur gazetarë cilësorë, si para ashtu edhe pas vitit 1990. Ceremonia shërbeu për të kujtuar edhe emra të njohur të gazetarisë, ngjarje të jetës profesionale që dëshmojnë hapur cenimin e lirisë së medias në çdo lloj sistemi, por edhe karakteristikat e një profesioni të bukur, e më së shumti të vështirë.