Kryeministri i vendit ka zhvilluar një takim miqësor edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar që jeton në Çikago


Ka nisur punimet Samiti i 25-të i Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), i cili zhvillohet në Çikago, SHBA. Delegacioni shqiptar kryesohet nga Kryeministri Berisha dhe nё përbërje të tij janë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, zoti Edmond Haxhinasto, ministri i Mbrojtjes, zoti Arben Imami dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Përpara nisjes së punimeve të Samitit, Kryeministri Berisha mori pjesë në pritjen zyrtare të kryetarëve tё shteteve dhe qeverive, nё ‘McCormick Place’, nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen dhe mikpritësi i Samitit, Presidenti i SHBA-sё, Barack Obama.


Mё pas, Kryeministri Berisha mori pjesё nё sesionin e hapjes së mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC). Para nisjes së tij, u përkujtuan me njё ceremoni ushtarake dhe një minutё heshtje ushtarakët e NATO-s të rënë në krye të detyrës, gjatë operacioneve të Aleancës një prej të cilëve është edhe kapiten Feti Vogli. Mbledhja e NAC (Këshillit të Atlantikut të Veriut) u hap me fjalën e Sekretarit tё Përgjithshëm tё NATO-s Rasmussen dhe fjalёn pёrshёndetёse tё Presidentit Obama.


Ndërkohë, Kryeministri Berisha, përpara nisjes së Samitit ët Çikagos pati edhe një takim shumë të përzemërt me një përfaqësi të komunitetit shqiptar që jeton në Çikago, Ilinois. Shefi i qeverisë shqiptare shprehu nderimin për ta dhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Çikago, për punën e shkëlqyer që ata bëjnë si dhe reputacionin shumë të mirë që kanë krijuar. Kryeministri theksoi se roli i diasporës është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë. “Pas çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, detyra më madhore e kombit është të bëhet një komb i zhvilluar, Shqipëria dhe Kosova vende të zhvilluara. Jashtë këtij interesi shqiptarët nuk do të mund të zhvillojnë idealet e tyre”, -u shpreh kryeministri.

Kryeministri më pas bëri një ekspoze të reformave të ndërmarra dhe të arritjeve që Shqipëria ka bërë në shumë fusha si në infrastrukturë, energji, arsim, teknologjinë e informacionit, bujqësi, shëndetësi etj.

Ndërkohë, përfaqësuesit e komunitetit shqiptar të Çikagos shprehën dëshirën për të thelluar dhe intensifikuar bashkëpunimin institucional me Shqipërinë, duke theksuar faktin se në Ilinois jetojnë rreth 60 mijë shqiptarë me origjinë nga të gjitha trojet shqiptare.

21 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)