Fajon: Ne shpresojmë që ai të jetë një proces i drejtë e demokratik, sepse nuk duam të bëhen gabimet që kanë ndodhur në të kaluarën. Zgjedhja e Presidentit do të tregojë nëse vendi e ka arritur maturinë e mjaftueshme për të vazhduar integrimin europian


Arvizu: Ambasadori amerikan, në një deklaratë publike u shpreh se moszgjidhja e presidentit me 84 vota, do ishte një shans i humbur


5 raunde: Kreu i shtetit parashikohet të zgjidhet sipas një procedure votimi deri në 5 raunde. Në 3 raundet e para ai zgjidhet me 84 vota


24 maji: Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duhet të mbledhë brenda 24 majit konferencën për përcaktimin edatave për zhvillimin e 5 raundeve


Monitorimi


“Nuk duam të bëhen gabimet që kanë ndodhur në të kaluarën”


BLEDAR HOTI



Katër ditë përpara nisjes së procedurave zyrtare nga Parlamenti për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, Brukseli vendos nën monitorim Shqipërinë. Eurodeputetja Tanja Fajon, në një intervistë për “Albanian Screen” thotë se Parlamenti Europian  kërkon një proces të drejtë dhe demokratik. “Ne do e ndjekim procesin e zgjedhjes së Presidentit. Ne shpresojmë që ai të jetë një proces i drejtë e demokratik, sepse nuk duam të bëhen gabimet që kanë ndodhur në të kaluarën. Zgjedhja e Presidentit do të tregojë nëse vendi e ka arritur maturinë e mjaftueshme për të vazhduar integrimin europian. Unë mendoj se ky vit mund të jetë vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë”, tha Tanja Fajon, eurodeputete, ish-raportuese për vizat me Shqipërinë në PE.


Tanja Fajon kërkon gjithashtu që partitë të mos humbasin kohë në finalizimin e ligjit të ri zgjedhor. “Është shumë e rëndësishme që reforma zgjedhore të përfundojë, që Shqipëria të tregojë maturi dhe kryesorja që zgjedhjet e reja të zhvillohen në mënyrë të drejtë e demokratike. Sepse në të kaluarën ne kemi parë shpesh që Shqipëria ka humbur kohë në përmbushjen e reformave të integrimit europian. Mendoj se ky duhet të jetë fokusi tani: të mos ketë më vonesa”, vijon Fajon. Komisioni Europian brenda këtij viti pritet të miratojë edhe një ligj, i cili sipas Fajon pritet të përdor mekanizmin e bllokimit të përkohshëm të vizave vetëm në raste krize dhe si masë ekstreme. “Ne po diskutojmë për mekanizmin e bllokimit të përkohshëm të regjimit të lirë të vizave. Është shumë e rëndësishme, sidomos për vendet e Ballkanit Perëndimor, që qytetarët të dinë se cilat janë rreziqet që ai mund të sjellë dhe në ç’mënyrë ata mund të parandalojnë abuzimet me lëvizjen e lirë. Kur ky mekanizëm për pezullim të përkohshëm të lëvizjes së lirë të miratohet, atëherë jo vetëm vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe vendet e tjera, nëse nuk respektojnë kushtet, rrezikohen të vihen në “listën e zezë” të Shengenit ose do t’u rikthehet sistemi i mëparshëm i vizave”, tha Fajon. Lidhur me statusin, Fajon shprehet se është në dorën e klasës politike në Shqipëri nëse shqiptarët do të marrin statusin brenda këtij viti. Sipas saj, shansin historik të 100-vjetorit të Pavarësisë shqiptarët duhet ta përdorin për ta bërë këtë hap të ri drejt Bashkimit Europian, sepse kjo është dëshirë e të gjithë qytetarëve dhe se “Shqipëria i përket Europës”. Disa ditë më parë, edhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Alexander Arvizu, në një emision televiziv u shpreh se “nëse presidenti nuk zgjidhet me 84 vota do të ishte një shans i humbur për Shqipërinë. “Unë jam përpjekur që të shmang përdorimin e termit konsensual, sepse ai nënkupton gjëra të ndryshme për persona të ndryshëm. Dhe nëse nuk arrihet një konsensus nuk mendoj se duhet të jetë shkaku i një krize politike. Pra një proces kushtetues, kur themi këtë, janë tre raundet e para. Dhe do të doja shumë këtë dhe jo me vetëm 84, por pse jo 140, do të ishte e shkëlqyer nëse mund të realizohet. Nëse ata përpiqen për më të mirën e tyre, nëse ata përpiqen unë besoj se ata mund t’ia dalin mbanë, nëse nuk e bëjnë, do të thotë se njëra anë apo pala tjetër nuk kanë përfituar sa duhet, pasi nëse duan ata e zgjedhin”, tha Arvizu. Ndërsa për deklaratën e Kryeministrit Berisha se kandidati për president do të zgjidhet me 71 vota nga radhët e PD-së, diplomati amerikan u shpreh se “mund ta kuptoj se pse ai (Kryeministri) dëshiron dikë që e beson, por edhe që mund të ndikojë. Por mendoj se ai duhet të mendojë për çështjen më të madhe. Me gjithë respektin që kam për personat që janë në kabinetin qeverisës, ky nuk është një post në kabinetin e Kryeministrit, por është një post për Presidentin e Republikës. Konsideratat që hidhen mes këtij procesi duhet të jenë konsultative”. Porse cili mund të ishte qëndrimi i SHBA-së, nëse kreu i shtetit zgjidhet me 71 vota? “Nëse vjen puna te zgjedhja e dikujt në raundin e katërt me 71 vota dhe kjo do të bëhet në përputhje me Kushtetutën, a do ta pranonte komuniteti ndërkombëtar apo SHBA? Nëse ajo do të bëhej në përputhje me Kushtetutën, po. Por unë do ta shihja, SHBA-ja do ta shihte si një mundësi e humbur, një shans i humbur. Do të kishte pasur një mundësi që të kishim një president që kapërcen partitë politike dhe që për të cilën arsye ato nuk kanë qenë të gatshëm për të kompletuar, për të gjetur një marrëveshje. E shoh si një mundësi, pse duhet të mos zgjidhet me 84 vota. Një shans i humbur për të lënë mënjanë të gjithë këto interesat partiake. Do të doja që të arrihet në një marrëveshje se cili është kandidati më i mirë si president”, theksoi Arvizu.