Niko Ago: Më kanë dhënë një muaj afat, por nuk kanë të drejtë


Niko Ago, një emigrant nga Shqipëria që ka ndërtuar jetën e tij  në Greqi, duke u aktivizuar në jetën shoqërore dhe politike të këtij vendi, është urdhëruar të largohet nga Greqia brenda një muaji, për arsye që vetë Ago nuk i kupton. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, gazetari dhe anëtari i Bordit Drejtues të Bashkimit Grek për të Drejtat e Njeriut tregon se përpara dëbimit nga autoritetet greke, ai dhe familja e tij janë kërcënuar nga neonazistët e partisë “Agimi i Artë” (Hrisi Avgji), të cilët tashmë janë pjesë e Parlamentit grek.


 


Zoti Ago, si qëndron e vërteta rreth njoftimit që autoritetet greke ju kanë urdhëruar të largoheni brenda një muaji nga territori i Greqisë?


Preteksti lidhet me vitin 2007, kohë gjatë së cilës për arsye shëndetësore kam ndërprerë marrëdhëniet e punës, njëkohësisht nuk kam realizuar numrin e duhur të sigurimeve shoqërore, sipas ligjit aktual në Greqi.


Në vitin 2009, kohë në të cilën unë kam dorëzuar pranë autoriteteve kërkesën për rinovimin e lejes së qëndrimit, në mënyrë të jashtëligjshme, autoritetet greke më kanë dhënë vërtetimin i cili dokumenton se jepet vetëm në rastet kur plotësohen të gjitha kriteret e parashikuara. Kjo ka bërë që unë të mos kem asnjë mundësi tjetër për të blerë privatisht ditët e humbura për arsye shëndetësore dhe për të plotësuar limitin e kërkuar nga ligji për sigurimet shoqërore. Tetë muaj më vonë, jam lajmëruar të paraqes pranë autoriteteve greke raportin mjekësor, si dhe vërtetimin nga policia për udhëtimet jashtë shtetit. I kam paraqitur të dyja këto dokumente të kërkuara dhe kam pritur, konform procedurës, rinovimin e lejes së qëndrimit në Greqi.


Në datën 17 maj të këtij viti, dy vjet e gjysmë pas dorëzimit të dokumenteve, jam lajmëruar nga autoritetet greke të paraqitem në Bashkinë e Athinës prej nga m’u kërkua të dorëzoj vërtetimin që kisha marrë në vitin 2009 për dorëzimin e dokumenteve dhe njëkohësisht më është paraqitur vendimi i Prefekturës së Athinës, i cili më kërkon që brenda një muaji të largohem nga territori i Greqisë dhe nëse pas datës 18 qershor nuk jam larguar, u kërkohet autoriteteve policore greke të më deportojnë.


 


Cili ka qenë reagimi juaj i parë dhe cilit autoriteti apo institucioni i jeni drejtuar për ndihmë?


Reagimi i parë ka qenë befasimi dhe së dyti i jam drejtuar Gjykatës së Athinës, për të anuluar vendimin e largimit tim nga Greqia.


 


Kur u publikua lajmi që lidhej me këtë histori tuajën, dhe nga kush?


Lajmi u publikua prej meje dhe gjatë këtyre dy ditëve është lajmi kryesor pas krizës në mediat greke.


 


Cili ka qenë reagimi i kolegëve dhe medias greke?


A ka pasur solidaritet?


Ka një solidaritet unanim dhe të gjithanshëm. Unioni i Gazetarëve të Greqisë ka nxjerrë notë proteste drejtuar Kryeministrit, ministrit të Brendshëm dhe atij të Rendit, ku ndër të tjera, për të nderuar kontributin tim në mediat greke, kërkohet të më jepet nënshtetësia greke.


 


Po nga subjektet politike a ka pasur reagime? Gjithashtu edhe nga organizmat e Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut?


Unë jam anëtari i nëntë i Bordit Drejtues të Bashkimit Grek për të Drejtat e Njeriut. I pari i huaj që nga viti 1953, kur është themeluar ky bord, i cili është organ këshillimor i qeverisë greke. Veç kësaj, të gjitha subjektet politike, të spektrit të qendrës dhe të majtë, me deklarata të veçanta të krerëve të tyre, sikurse zotërinjtë Venizellos, Kuvelis, Cipras u kanë kërkuar autoriteteve greke të anulohet menjëherë vendimi për largimin tim nga Greqia, duke theksuar njëherësh rolin tim si aktivist e gazetar gjatë gjithë këtyre viteve në Greqi.


 


Besoni se ky urdhër do të anulohet? Nëse nuk ndodh kjo, si e parashikoni të ardhmen tuaj dhe të familjes?


Së pari, dua të theksoj se ky urdhër vjen pas një vale të fortë kërcënimesh ndaj meje nga ekstremistët e djathtë grekë, pasi isha gazetari që në mënyrë ekskluzive publikova lajmin që zëdhënësi i shtypit të ekstremistëve të djathtë, i neonazistëve grekë që hynë në Parlament, ndiqet penalisht i akuzuar për vjedhje për armëmbajtje pa leje dhe për përdorim arme pa leje. Pas kësaj, ishin me dhjetëra dhe me qindra kërcënime personale ndaj meje dhe familjes sime, të cilat i bëra publike dhe të njohura për autoritetet greke.


 


A u morën masa nga këto autoritete kur ju iu drejtuat atyre për ndihmë dhe siguri?


Mund të them se kanë marrë masa sigurie. Por nuk dua të shtoj asgjë më tej.


 


Do të qëndroni pas qershorit në Greqi, apo jeni në dilemë?


Në momentet që po flasim kam oferta nga disa shtete europiane për të marrë nënshtetësinë e tyre pas ngjarjes dhe bujës së shkaktuar me rastin tim. Por pas 21 vjetësh qëndrimi në Greqi, duke qenë se dy fëmijët e mi të moshës 18.5 dhe 17.5 vjeçe studiojnë këtu, janë të integruara tërësisht, profesioni dhe aktiviteti im në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut është e lidhur tërësisht me këtë vend, por dhe besimi se në rastin konkret është shkelur ligji, më bëjnë të besoj se e ardhmja ime edhe pas datës 18 qershor 2012 është e lidhur me Greqinë.


 


Zoti Ago, besoni se pas rastit tuaj ka edhe motive që lidhen me përkatësinë etnike?


Asnjëherë nuk kam qenë fanatik i komploteve. Edhe në rastin aktual nuk besoj në një gjë të tillë.


*Ago është anëtar i Bordit Drejtues të Bashkimit Grek për të Drejtat e Njeriut