Thellohet bilanci i viktimave, vdes në spitalin ushtarak njëra prej studenteve
Ora 22:45- Ka shkuar në 13 numri i viktimave të aksidentit tragjik të Himarës. Burimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë kanë deklaruar se një nga studentet e plagosura në Qafën e Vishës, ka ndërruar jetë në sallën e reaminacionit të spitalit ushtarak në Tiranë. Studentja i është nënshtruar një ndërhyrjeje të gjatë kirurgjikale, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra në kokë dhe shtyllë kurrizore, duke e çuar në dy numrin e viktimave që kanë ndërruar jetë në spitalin ushtarak. Ndërkaq 2 vajza të tjera pritet të mbërrijnë nga spitali i Vlorës, duke e çuar në 14 numrin e studenteve që ndodhen nën kujdes mjekësorë në spitalin ushtarak të Tiranës. (vijon…) 21 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)
Burgaj: Pistat kryesore të hetimit: problem shëndetësor i shoferit ose defekt në sistemin e frenave
Një problem shëndetësor i drejtuesit të autobusit, 55-vjeçarit Pëllumb Çela, ose humbje e kontrollit të automjetit për shkak të një defekti në sistemin e frenave. Këto janë dy pistat kryesore mbi të cilat po përqendrohet puna e grupit hetimor të ngritur për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit tragjik të ndodhur pasditen e sotme, 1 km larg Himarës. Sipas kreut të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ekspertët po vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes rrugore dhe ende nuk ka një variant zyrtar. Por sipas tij, pistat kryesore ku po përqendrohet puna e grupit hetimor janë një problem shëndetësor i mundshëm i shoferit ose një defekt në sistemin e frenave, por pa përjashtuar edhe shkaqet e tjera. Ndërkaq ekspertët e kanë ndërprerë punën në vendngjarje deri mëngjesin e nesërm, për shkak të errësirës. Sakaq priten konkluzionet e autopsisë së 55-vjeçarit Pëllumb Çela për të mësuar më shumë rreth shkaqeve të vdekjes së tij. Trupat e pajetë të 11 viktimave të aksidentit të ndodhur pranë vendit të quajtur Qafa e Vishës po transportohen drejt morgut të spitalit të Vlorës, ku do të bëhet dhe identifikimi i tyre nga një grup pedagogësh të universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. (vijon…) 21 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)
13 të plagosura në spitalin ushtarak, dy në gjendje kritike për jetën
Ora 21:00- Ka arritur në 13 numri i të plagosurave që janë transportuar për në spitalin ushtarak në Tiranë, ndërkohë që konfirmohet se dy prej tyre janë në gjendje të rëndë për jetën. Sipas mjekëve dy nga vajzat e aksidentuara sot në afërsi të Himarës, janë në gjendje kritike për shkak të politruamave që kanë marrë në kokë dhe organet e brendshme. Ndërkohë 11 vajzat e tjera kanë fraktura dhe dëmtime në organet e brendshme, por mendohet se janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë në spitalin e Vlorës po trajtohen 9 studente dhe sipas mjekëve të këtij spitali, gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën. Ato po mbahen nën kujdes të rreptë mjekësorë, por shpresohet se brenda pak ditësh të rehabilitohen plotësisht. (vijon…) 21 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)
Qytetarët solidarizohen me të aksidentuarat, qindra dhurime gjaku
Ora 20:00- Qindra qytetarë të Tiranës dhe Vlorës, pjesa dërrmuese e të cilëve të rinj, janë solidarizuar dhe kanë dhuruar gjak për të mbijetuarat e aksidentit tragjik të Himarës. Pas shqetësimit të ngritur nga mjekët se rezervat e gjakut nuk mjaftonin për të përballuar situatën, dhjetëra studentë dhe qytetarë, janë paraqitur për të dhënë kontributin e tyre në qendrën e dhurimit të gjakut pranë qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” dhe pranë spitalit të Vlorës. (vijon..) 21 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)
Bilanci i viktimave shkon në 12, dy të plagosura në gjendje të rëndë
19:40- Thellohet bilanci i viktimave të aksidentit të rëndë, të ndodhur rreth 4 orë më parë në vendin e njohur si Qafa e Vishës, në aksin kombëtarë Sarandë-Vlorë. Njëra prej të plagosurave, e cila ishte transportuar me helikopterin e parë, ka ndërruar jetë pa mundur të marrë ndihmë mjekësore. Drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihaj, ka konfirmuar se studentja e vitit të tretë të universitetit “Aleksandër Xhuvani”, të Elbasanit, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe është konstatuar se kishte ndërruar jetë kur ka mbërritur në urgjencën e spitalit ushtarak. Ndërkohë Mihaj ka sqaruar se dy vajza janë në gjendje të rëndë për jetën dhe ndodhen në sallën e operacionit, duke iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Sipas tij pritet që në spitalin ushtarak të mbërrijnë edhe pesë të plagosur,ndërkohë që ka garantuar se stafi mjekësorë është në gjendje të përballojë situatën. (vijon…) 21 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)
Qeveria, nesër ditë zie kombëtare
Ora 19:30- Kreu i ekzekutivit shqiptar ka vendosur të shpallë ditën e nesërme, ditë zie kombëtare për të nderuar kujtimin e viktimave të aksidentit tragjik të Himarës. “Kryeministri, në emrin e tij personal, të familjes së tij dhe të qeverisë shqiptare u shpreh familjeve të viktimave të këtij aksidenti, që ka sjellë dhimbje e pikëllim të thellë në çdo vatër dhe zemër shqiptare, ngushëllimet më të thella, solidaritetin më njerëzor. Qeveria vendos: 1. shpalljen ditë zie kombëtare ditën e martë, datë 22 maj 2012 , në nderim të viktimave që humbën jetën, për shkak të aksidentit tragjik, më 21.5.2012, në aksin rrugor, në afërsi të qytetit të Himarës. 2. Në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë dhe në orën 12.00 të mbahet një minutë heshtje. 3. Radio-Televizioni Publik Shqiptar gjatë ditës të transmetojë muzikë funebre. 4.Ngarkohet Ministria e Brendshme të përballojë shpenzimet e varrimit të viktimave”, thuhet në njoftimin zyrtar të kryeministrisë. (vijon… ) 21 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)
Politika solidarizohet me të plagosurit dhe familjet e viktimave
Ora 19:20- Krerët e shtetit dhe klasës politike janë solidarizuar me të plagosurit dhe familjet e viktimave të aksidentit tragjik të Qafës së Vishës. Kreu i opozitës, Edi Rama ka dhuruar gjak pasditen e sotme, ndërkohë që u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve t’i drejtohen qendrës së dhurimit të gjakut për të dhënë gjak dhe ardhur në ndihmë të mbijetuarve të aksidentit tragjik. “Fjalët janë të tepërta. Në Himarë një tragjedi e tmerrshme ka mbajtur pezull frymën e mbarë kombit. Janë orë solidariteti kombëtar e përpjekjesh të gjithanshme për të shpëtuar çdo jetë njerëzore të përfshirë në këtë aksident tragjik. Jam i bindur se personeli i Spitalit Ushtarak i sprovuar në fatkeqësi me përmasa të pazakonshme dhe gjithë njerëzit e shërbimeve të tjera spitalore, policore, ushtarake, do të bëjnë çdo gjë që është në fuqinë e tyre për të shpëtuar jetët që ende mund të shpëtohen”, u shpreh Rama. Më herët, Presidenti i Republikës, Bamir Topi nëpërmjet një mesazhi u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të studentëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. “Më lejoni të shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe hidhërimin e thellë për të gjitha familjet e studentëve që humbën jetën sot në Himarë, duke ju siguruar se ndodhem pranë jush në këto çaste të rënda e të vështira! Ndihem shumë i trishtuar, ashtu sikurse edhe ju për këtë aksident fatkeq, i cili mori përmasa fatale dhe ju shkaktoi këtë tragjedi të madhe”- theksohej në mesazhin e Presidentit Topi. Ndërsa zyra për shtyp e Kryeministrisë bëri të ditur se: “kryeministri Berisha, është në kontakte të vazhdueshëm me autoritetet përgjegjëse në Tiranë për operacionin e ndihmës emergjente ndaj të aksidentuarve, për të cilët kërkon të bëhet çdo gjë për të shpëtuar jetën e tyre. Kryeministri Berisha shpreh “dhimbjen, pikëllimin e tij më të thellë për viktimat dhe u shpreh ngushëllimet me të thella familjarëve të viktimave”, thuhet në njoftimin zyrtar. (vijon…) 21 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Drejtuesi i automjetit, viktima e parë e identifikuar. Helikopteri i parë mbërrin në spitalin ushtarak
Ora 18:10: Helikopteri me tre nga të plagosurit e aksidentit të rëndë të Qafës së Vishës ka mbërritur në spitalin ushtarak të Tiranës, ndërkohë që nga momenti në moment pritet të mbërrijnë edhe pesë të tjerë. Të plagosurit i janë nënshtruar menjëherë ndihmës mjekësore dhe sipas mjekëve gjendja e tyre shëndetësore është mjaft e rëndë . Ndërkohë përveç spitalit ushtarak, edhe qendra shëndetësore universitare “Nënë Tereza” është vënë në gadishmëri të plotë për tu ardhur në ndihmë të plagosurve. Për përballimin e situatës është hapur një repart i veçantë, ndërkohë që dhjetëra qytetarë janë paraqitur për të dhuruar gjak vullnetarisht. Policia e Shtetit ka konfirmuar zyrtarisht se drejtuesi i automjetit, 55-vjeçari Pëllumb Çela, ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë që ende nuk dihen emrat e 10 viktimave të tjera. Nuk dihen shkaqet e aksidentit, por për këtë qëllim është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën kryesimin e Prokurorisë së Përgjithshme, në përbërje të të cilit janë ekspertë kriminalistë, të policisë rrugore, si dhe të Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Vlorë. (vijon…) 21 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)
Prefekti i Vlorës: 11 studentë të vdekur, 10 të plagosur rëndë
Ora 18:05- Prefekti i Vlorës, Eduart Velçani, ka konfirmuar se 11 studentë kanë humbur jetën në aksidentin tragjik të ndodhur rreth 2 orë më parë në Qafën e Vishës, në aksin kombëtarë Himarë-Vlorë. Ndërkohë po sipas Prefektit, nga 22 të plagosurit, 10 janë në gjendje të rëndë për jetën. Të aksidentuarit pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në qendrën spitalore të Himarës, janë transportuar me helikopterë të ministrisë së Shëndetësisë drejt Tiranës, për ndihmë më të specializuar. Sipas mjekëve, të aksidentuarit kanë plagë të rënda, deri në politrauma. Ndërkohë që studentët e tjerë që i kanë mbijetuar aksidentit, janë në gjendje të rëndë psikologjike dhe po mbahen nën kujdes mjekësorë. (vijon…)
21 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)
Jo zyrtarisht, bilanci i aksidentit, 11 të vdekur dhe 22 të plagosur
Ora 17:40: Jo zyrtarisht deklarohet se numri i viktimave nga aksidenti tragjik i ndodhur në Qafën e Vishës ka shkuar në 11, ndërkohë që 22 studentë të tjerë janë të plagosur, mes të cilëve disa në gjendje të rëndë për jetën. Mësohet se në autobusin që drejtohej nga Pëllumb Çela, kanë qenë 33 studentë. Rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Liman Varoshi, ka konfirmuar se studentët ishin nisur sot nga Elbasani për një ekspeditë mësimore në Sarandë. Sipas tij nga Elbasani janë nisur dy autobusë me 70 studentë të vitit të tretë të degës Gjuhë-Letërsi, që shoqëroheshin nga shefi i departamentit të Filologjikut dhe një pedagoge. (vijon…) (21 maj 2012 gazeta-Shqip.com)
Policia e Shtetit: 25 studentë të aksidentuar janë transportuar drejt qendrave spitalore. Jo zyrtarisht, 10 viktima
Ora 17:10- Policia e Shtetit në një deklaratë për shtyp ka dhënë detaje për aksidentin e ndodhur në Himarë. Në njoftimin paraprak bëhet e ditur se rreth orës 16:15, në vendin e quajtur Qafa e Vishës, një autobus me targë El 2274 B, me të cilin po udhëtonin disa studentë ka dalë nga rruga. “Duke vlerësuar ngjarjen e ndodhur, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është ngritur grupi i punës për menaxhimin e situatës. Ndërkohë drejt vendngjarjes janë nisur helikopterë të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe të Ministrisë së Mbrojtjes. Aktualisht në vendin e ngjarjes nga strukturat e Policisë së Shtetit po bashkëpunohet dhe me strukturat e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe me strukturat e shëndetësisë”, thuhet në njoftimin zyrtarë të Policisë së Shtetit. Deri në këto momente janë nxjerrë nga automjeti dhe janë transportuar drejt ambienteve spitalore 25 por nuk dihet nëse ata janë studentë apo pedagogë. Mësohet se të aksidentuarit janë studentë të degës së Gjuhë-Letërsisë, në universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. (vijon..). (21 maj 2012 gazeta-Shqip.com)
Autobusi me targa të Elbasanit. Nuk dihet ende bilanci i ngjarjes rrugore
Ora 16:30- Një autobus me studentë dhe pedagogë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, të Elbasanit, është përmbysur në afërsi të Himarës, në zonën e njohur si Qafa e Vishës, në aksin kombëtar Sarandë-Vlorë. Automjeti me targa të Elbasanit, me rreth 40 pasagjerë, është përmbysur për shkaqe ende të panjohura dhe ka rënë nga një lartësi rreth 100 metrash. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00 dhe menjëherë pas sinjalizimit nga drejtues automjetesh të rastësishme, drejt vendit të ngjarjes janë nisur forca të shumta të policisë rrugore, autoambulanca dhe zjarrëfikëset. Nuk dihet ende bilanci i aksidentit, për shkak se vijon operacioni për nxjerrjen nga autobusi të të lënduarve. Paraprakisht thuhet se studentët kanë qenë për një ekskursion në bregdet dhe kanë qenë në rrugën e kthimit për në shtëpi. Ndërkohë spitalet e Vlorës, Sarandës dhe qendra shëndetësore e Himarës janë vënë në gadishmëri të plotë për të pritur të aksidentuarit, që do të kenë nevojë për ndihmë mjekësore. Ndërkohë pesë autoambulanca me mjek të spitalit të Sarandës dhe shtatë nga spitali i Vlorës janë nisur drejt vendit ku ka ndodhur aksidenti, i cili ndodhet mes Himarës dhe Vunoit. Prefekti i Vlorës u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të shmangin aksin rrugorë ku ka ndodhur aksidenti, për të lehtësuar qarkullimin e autoambulancave apo mjeteve që do të transportojnë të lënduarit. (vijon…)
(21 maj 2012 gazeta-Shqip.com)