Një letër e rrallë e shkruar nga shkrimtari amerikan Edgar Allan Poe është shitur në një ankand për $164,000.

Poe e shkroi letrën në fjalë në tetor të vitit 1837 dhe mesazhi i saj adresohej Sarah Hale, redaktores së revistës së njohur për gra në atë kohë “Godey’s Lady’s Book”.


Në letrën e vet Edgar Allan Poe refuzonte ofertën për të publikuar artikullin e tij të radhës në këtë botim, duke i shkruar redaktores se e kishte pezulluar punën me shkrimet e tij për shkak të sëmundjes.


Poe shkruante në letrën e tij: T’ju dërgoja një shkrim të papërpunuar dhe të shkruar me nxitim, do të ishte e dëmshme për mua, por dhe fyerje për ju vetë.

Edgan Allan Poe shkroi disa pjesë për revistën në fjalë së bashku me bashkëkohësit e tij si Nathaniel Hawthorne dhe Washington Irving.


Edgar Allan Poe është një nga shkrimtarët amerikanë më të rëndësishëm të të gjitha kohërave, i cili u bë i njohur veçanërisht për ‘anën e errët’ te karakterit të tij. Këtë aspekt e reflektoi edhe në veprat; poezitë e veçanërisht prozat e tij të shkurtra, të quajtura ‘Tregimet e misterit’, të cilat përshkohen nga fshehtësia dhe thrilleri, ndaj dhe shumë prej tyre janë shndërruar në filma të kësaj gjinie.


Vdekja e së shoqes nga turbekulozi në vitin 1846 e çoi në një gjendje të rënduar psikologjike dhe e hodhi në grahmat e alkoolit gjeniun amerikan, derisa në vitin 1849, Poe u gjet në rrugët e Baltimorës në gjendje deliri dhe në këto kushte disa ditë më vonë ndërroi jetë.

Me konceptet e tij mbi botën dhe këndvështrimin krejt të veçantë mbi jetën në tërësi poeti i “Korbit” u bë muza frymëzuese e simbolistëve francezë, veçanërisht për Charles Baudelaire. Për poetin bohem, Poe ishte një shëmbëlltyrë të cilit iu referua gjithmonë; mënyra e jetesës dhe konceptet e të cilit gjithë jetën i pa si një tempull ku faleshin të gjithë vargjet e tij.

21 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)