Nisma kundër moratoriumit
Gaçe: LSI më ka mbështetur në bisedat që kam pasur. Tavo: Moratoriumi duhet të pushojë
Fatjona Mejdini
Mazhoranca qeverisëse pritet të përçahet përpara nevojës për të shfuqizuar moratoriumin e lundrimit të skafeve në bregdetin shqiptar. Sinjalet për formimin e një mazhorance të re dhe thyerjen e shumicës tradicionale në Parlament i jep në një prononcim për “Shqip”, deputeti socialist, Artan Gaçe. Nisur nga fakti se në datën 8 qershor, kjo nismë do të kalojë për votim në Parlament, Gaçe pohon se ka nisur negociatat me deputetët e grupeve të ndryshme parlamentare, për të marrë mbështetjen e duhur, që do të lejojë kalimin e saj. Sipas deputetit socialist, pro kësaj nisme janë shprehur dhe përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, të cilët janë në një marrëveshje bashkëpunimi me Partinë Demokratike. Pavarësisht faktit që Kryeministri Berisha është shprehur kategorikisht kundër shfuqizimit të nismës, Gaçe konfirmon që në biseda informale, deputetë të PD-së i kanë dhënë mbështetje në nismën e tij. Për miratimin e kësaj nisme, shpresat e tij janë që votat e grupit parlamentar të PS-së të bashkohen me LSI-në e Metës, dhe pse jo, edhe me PDIU-në e Idrizit. “Kam kryer biseda informale me deputetë të mazhorancës për këtë nismë dhe ata janë shprehur pro saj. Kam besim se deputetët e LSI-së do të shfrytëzojnë pavarësinë e tyre për të votuar pro shfuqizimit dhe nuk besoj se deputetët e PD-së do të prishin vendimin e grupit të tyre, ndonëse parimisht më kanë mbështetur në këtë nismë. Kam besim se ky do të jetë rasti i parë, kur mazhoranca do të thyhet në Parlament, duke uruar që të jetë kjo nismë e rëndësishme për Shqipërinë, ajo që do ta përçajë mazhorancën dhe jo lojërat parlamentare për të fituar sa më shumë numra”, argumenton deputeti i PS-së. I pyetur për këtë çështje nga gazeta “Shqip”, deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, thekson se grupi parlamentar prej katër deputetësh i kësaj partie do të marrë një vendim për nismën në kohën e duhur. Por duke folur për qëndrimin personal ndaj nismës së marrë nga deputeti i PS-së, Vangjel Tavo, theksoi se mendonte se moratoriumi për ndalimin e mjeteve lundruese në det e kishte kryer funksionin e tij dhe tashmë kishte ardhur momenti që të pushtonte së ekzistuari. “Moratoriumi i skafeve i vendosur fillimisht vetëm për një kohë të shkurtër prej dy-tre vitesh e ka kryer tashmë efektin e tij dhe mendoj se sot, po bëhet pengesë dhe për turizmin. Shqipëria nuk është më në listën e zezë të vendeve që janë transit ose eksportojnë lëndë narkotike dhe trafik ilegal të qenieve njerëzore dhe për këtë arsye, është e udhës që ky moratorium të ndalë së funksionuari”, theksoi deputeti i LSI-së në lidhje me nismën. Më datën 8 qershor do të realizohet votimi për “Për shfuqizimin e ligjit ‘Për shpalljen e moratoriumit për mjetet motorike lundruese të Republikës së Shqipërisë’”. Nisma do të shqyrtohet fillimisht nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve dhe ai i Sigurisë dhe pritet të shkaktojë debate të shumta dhe surpriza.
Deputeti i LSI-së
“Mendoj se sot, moratoriumi po bëhet pengesë serioze për turizmin. Shqipëria nuk është më në listën e zezë për trafikun e qenieve njerëzore dhe narkotikët”
Arsyet e nismës
Përfaqësuesit e opozitës pretendojnë se me këtë ligj ndalohet udhëtimi për qëllime turistike dhe sportive në detin shqiptar dhe se gjobitet secili që transporton mjete të tilla udhëtimi në rrugë tokësore. Sipas tyre, mbi të gjitha, moratoriumi ende në fuqi, tregon se qeveria është e paaftë për të ruajtur kufirin e saj detar.
Qeveria ka ndaluar lundrimin deri në vitin 2013
Në fillimin e shkurtit të vitit 2010, qeveria shqiptare vendosi ta zgjasë dhe me tre vite ndalimin e lundrimit të mjeteve motorike në ujërat bregdetare shqiptare, duke bërë që nisma të jetë në fuqi deri në vitin 2013. Nisma u miratua nga qeveria “Berisha”, për t’i dhënë fund dhe përdorimit të vendit si transit për sa i përket trafikut të qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike, nisur dhe nga trysnia në rritje e qeverisë italiane. Por vijimi i nismës edhe tre vite u konsiderua i tepruar dhe një kujdes i ekzagjeruar, i cili mund të sillte pasoja të rënda në turizëm. Por Kryeministri Berisha ka deklaruar se moratoriumi për kufizimin e lëvizjes së lirë në det ishte përgjigjja e duhur për krimin dhe mafien.