Opozita: Partia Socialiste ka paraqitur një nismë për rikthimin në fuqi të ligjit për kufijtë shtetërorë. Nisma është shqyrtuar nga Komisioni i Ligjeve dhe ai i Sigurisë


24 maj: Nisma e opozitës, e amenduar me konsensus, pritet të votohet në seancën plenare të datës 24 maj. Në të parashikohet rishqyrtimi i ligjit të vitit 2011


Pashaj: Myslym Pashaj, një nga ekspertët e fushës, shprehet se nisma e PS-së nuk i zbut rreziqet, por lë hapësirat që të bëhet një pakt tjetër, në kurriz të Shqipërisë


Kuvendi duhet të miratojë një ligj të ri për kufijtë detarë


 



Zona ekonomike, pjesa kryesore e ligjit për kufijtë detarë të RSH sot nuk ka të deklaruar kufij të detit territorial dhe nuk ka marrëveshje me fqinjët


Piro Lutaj*


Më në fund, mazhoranca po e kupton se çfarë dëmi i ka shkaktuar vendit, me shfuqizimin e ligjit 8771, datë 19.4.2001, “Për kufirin shtetëror të RSH”, i cili lejoi negocimin në dëm të interesave kombëtare të RSH me Greqinë. Opozita dhe të tjerë aktorë të fuqishëm të shoqërisë civile e kanë denoncuar këtë marrëveshje, si një akt të rëndë në dëm të integritetit dhe interesave kombëtare të Shqipërisë. Iniciativa e Partisë Socialiste për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese këtë marrëveshje, rezultoi e drejtë dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i mbylli derën një akti të paprecedentë. Edhe sot është po Partia Socialiste dhe shoqëria civile, të cilët po i kërkojnë qeverisë të bëjë riparimet e nevojshme të legjislacionit që i parapriu kësaj marrëveshjeje.


Një ligj i plotë për kufirin detar është i domosdoshëm për rivendosjen e sovranitetit të humbur të Shqipërisë në det. Nisma e marrë nga Partia Socialiste është në kushtet e errësirës së plotë që institucionet e shtetit tonë, si Ministria e Jashtme, e Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes e kanë lënë jo vetëm opinionin publik, por edhe Komisionin e Sigurisë Kombëtare, për këtë çështje. Iniciativa e Partisë Socialiste për rikthimin në fuqi të neneve 3 dhe 4 të ligjit 8771, datë 19.4.2001, “Për kufirin shtetëror të RSH” është për t’u përshëndetur, sepse ajo rivendos situatën juridike detare, e cila është cenuar nëpërmjet ndryshimit të ligjit në vitin 2008.


Hartimi i një ligji të plotë, përveç iniciativës legjislative, kërkon një punë të mirëfilltë shkencore, sidomos në skicimin e një vije të drejtë, bazë ligjore dhe të pranueshme, por edhe të një ligji bashkëkohor. Kjo duhet të jetë objekt i punës i institucioneve kërkimore dhe shkencore, si dhe njohësve të së drejtës detare. Me sa jam në dijeni, Forcat Detare e kanë bërë një punë të tillë, por projekti që ato kanë paraqitur në Ministrinë e Punëve të Jashtme, është mbajtur në sirtar.


Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, në Komisionin e Sigurisë dhe Mbrojtjes, u shpreh se “Republika e Shqipërisë i ka të identifikuar kufijtë e saj dhe të gjitha institucionet, që janë të ngarkuara me ligj për të kontrolluar, monitoruar dhe menaxhuar kufijtë veprojnë mbi bazën e kësaj vije kufitare”. Neni 15, 76 dhe 83 i UNCLOS 1982 përcaktojnë qartë se kufijtë detarë midis shteteve bregdetare realizohen me marrëveshje në përputhje me nenin 38 të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Shqipëria deri sot ka vetëm një marrëveshje me Italinë për delimitimin e Shelfit Kontinental dhe asnjë marrëveshje për delimitimin e kufijve të detit territorial.


Kështu, Republika e Shqipërisë nuk ka kufij detarë të delimituar, pra nuk ka kufij detarë të përcaktuar me marrëveshje, por nuk ka më as vijë të drejtë bazë dhe det të brendshëm, det territorial, zonë ekonomike ekskluzive, shelf kontinental, hapësirë ajrore etj. Me shfuqizimin e ligjit 8771, datë 19.4.2001, “Për kufirin shtetëror të RSH”, Republika e Shqipërisë ka hequr dorë nga ushtrimi i sovranitetit dhe të drejtave sovrane në të gjitha hapësirat detare që i takojnë sipas së drejtës ndërkombëtare. Shfuqizimi i ligjit 8771, datë 19.4.2001 “Për kufirin shtetëror të RSH” ka bërë që Shqipëria të hyjë pa një bazë ligjore për negocimin e Marrëveshjes me Greqinë dhe të delimitojë hapësirat detare ku ajo nuk ushtron sovranitet.


Me miratimin e ligjit 9861, datë 24.1.2008, “Për kontrollin dhe monitorimin e kufirit”, autoritetet e shtetit shqiptar, në mënyrë të vullnetshme, kanë hequr dorë nga integriteti territorial detar në një sipërfaqe prej rreth 10.000 km² dhe një sipërfaqe ku ushtron të drejta sovrane rreth 6.000 km², të cilat përbëjnë rreth 60% të territorit tokësor. Ky veprim i parapriu marrëveshjes negociuese në dëm të interesave kombëtare.


Kur Saliu thyente rekordet e notit në Detin Jon, kishte kaluar kufirin shtetëror dhe notonte në hapësirë ndërkombëtare. Çdo shqiptar duhet ta dijë se kur fut këmbët në det ka kaluar kufirin dhe është duke u larë në ujërat ndërkombëtare.


Ministria e Jashtme, e Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes janë në dijeni të asaj se çfarë i kanë shkaktuar Shqipërisë me shfuqizimin e ligjit 8771, datë 24.1.2001, “Për kufirin shtetëror të RSH” dhe Marrëveshjen Detare me Greqinë. Ekspertët më të mirë që ka Shqipëria dhe që nuk kanë qenë pjesë e negociatave, apo ekspertë të shoqërisë civile, kanë folur hapur dhe zyrtarisht për situatën detare që është krijuar. Mungesa e vullnetit për të pranuar këtë situatë nga qeveria po krijon një precedent të ri për të bërë arnime dhe jo për të rivendosur situatën juridike detare të humbur pas vitit 2008.


E drejta ndërkombëtare e detit dhe Shqipëria


Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS III) u negociua për gati 14 vjetësh rresht. Shqipëria ka qenë pothuajse palë gjatë fazës fillestare të negocimit, por Shqipëria nuk mori pjesë në Montego Bay të Xhamajkës për të firmosur konventën. UNCLOS 1982 hyri në fuqi në nëntor të 1994-s dhe sot është e firmosur nga më shumë se 150 shtete të botës. RSH e ratifikoi këtë konventë me ligjin nr. 9055, datë 24.04.2003, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e OKB-së mbi të Drejtën e Detit”. RSH nuk ka dorëzuar ende instrumentin e ratifikimit te Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe në aktin e ratifikimit nuk ka deklaruar asnjë objeksion mbi UNCLOS 1982. SHBA-ja ka qenë një nga kontribuuesit dhe investuesit kryesorë të Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS III) duke e firmosur atë më 10 dhjetor 1982, në Montego Bay të Xhamajkës. Por SHBA-ja nuk e ka ratifikuar ende konventën, për shkak të pakënaqësive që lidhen me shfrytëzimin e burimeve minerare të nëntokës së fundit të detit. Megjithatë, UNCLOS 1982 është pranuar nga qeveria e SHBA-ja gjatë qeverisjes së Presidentit Klinton. Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS 1982) nuk është akti ndërkombëtar, i cili përcakton kufijtë detarë të shteteve, por ajo përcakton parimet bazë mbi të cilat shtetet, nëpërmjet legjislacionit kombëtar dhe marrëveshjeve të veçanta midis tyre bashkëpunojnë në mënyrë aplikative dhe në frymën e kësaj konvente. Në hyrjen e saj, UNCLOS 1982 shprehet se “Konventa është shumëdimensionale dhe përfaqëson një moment të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërkombëtar, në procesin e hartimit të traktateve”.


UNCLOS 1982 përcakton se shteti bregdetar ushtron sovranitet dhe të drejta sovrane në disa hapësira detare. Pra, në vartësi të hapësirave detare në të cilat shteti bregdetar ushtron juridiksionin e tij, kufijtë e këtyre hapësirave përcaktojnë edhe kufijtë shtetërorë të shtetit bregdetar. Hapësirat detare më të rëndësishme janë hapësirat në të cilat shteti bregdetar ushtron sovranitet të plotë: deti i brendshëm, deti territorial, deti arkipelag dhe hapësira ajrore mbi to.


Një nga konceptet bazë që përcakton UNCLOS 1982 është vija bazë, e cila mund të jetë normale, e drejtë ose e kombinuar. Vija bazë është ajo vijë nga fillon matja e të gjithë detit territorial dhe hapësirave të tjera detare të shtetit bregdetar. Neni 7, 9 dhe 10 i UNCLOS 1982 jep parimet mbi të cilat shteti bregdetar përcakton vijën e drejtë bazë. Nëse një shtet bregdetar nuk e shpall me ligj kombëtar vijën e drejtë bazë, atëherë automatikisht matja e hapësirave detare të shtetit bregdetar nis nga vija bazë normale, ose siç quhet zakonisht, nga buza e ujit.


Neni 7, 9 dhe 10 i UNCLOS 1982 japin parimet mbi të cilat ndërtohet vija e drejtë bazë, ndërsa neni 16 përcakton rregullat se si publikohet kjo vijë e drejtë bazë. Neni 16 shprehet se “shteti bregdetar duhet të publikojë këto skema ose lista të koordinatave gjeografike dhe duhet të depozitojë një kopje të secilës prej tyre te Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara”.


Në Adriatikun Jugor dhe Detin Jon, vetëm Italia, Mali i Zi dhe Shqipëria, deri më 1 mars 2008, kanë pasur të shpallura me ligj vijën e drejtë bazë. Greqia nuk ka pasur të shpallur me ligj një vijë e drejtë bazë, fakt i cili nënkupton se hapësirat detare të Greqisë maten nga vija bazë normale ose buza e ujit. Greqia, me marrëveshje për delimitimin e kufijve të saj detarë nuk mund të ketë komoditetin e delimitimit nga një vijë e drejtë bazë, pra nuk mund t’i mbyllë gjiret e saj, si Gjiri i Korfuzit, me vijë të drejtë bazë.


Në përputhje me UNCLOS III, hapësirat detare të një shteti bregdetar të përcaktuara nga kjo konventë janë:


a) Ujërat e brendshme detare (midis bregdetit dhe vijës së drejtë bazë);


b) Deti territorial (deri 12 milje detare nga vija bazë normale ose vija e drejtë bazë, kur e ke të shpallur me ligj);


c)   Deti arkipelag (Shqipëria nuk është vend arkipelag dhe nuk mund të ketë det arkipelag) ;


d)   Hapësira ajrore (deri në kufijtë e detit territorial);


e)   Zona fqinje (në vazhdim) deri 24 milje detare nga vija bazë normale ose vija e drejtë bazë kur e ke të shpallur me ligj;


f)   Zona ekskluzive ekonomike (deri 200 milje detare nga vija bazë normale ose vija e drejtë bazë kur e ke të shpallur me ligj;


g)   Shelfi kontinental (deri në 350 milje detare do të varet nga metodologjia e matur nga vija bazë ose sistemi batimetrik);


h)   Zona e kërkimit dhe shpëtimit në det (me marrëveshje ndërkombëtare jashtë detit territorial);


Ndryshimi i hapësirave detare


Në përputhje me UNCLOS 1982, hapësirat detare të RSH kanë evoluar si më poshtë:


A)   Ujërat e brendshme detare të RSH (një shtet bregdetar mund të ketë det të brendshëm, vetëm nëse ka një vijë të drejtë bazë). Neni 8 i UNCLOS 1982, “ujërat nga vija bazë e detit territorial në drejtin të tokës, formojnë detin e brendshëm të një shteti”. RSH ka pasur det të brendshëm nga viti 1970 deri më 1 mars 2008. Kur me vendim të Kuvendit u shfuqizua ligji 8771, datë 24.1.2001 “Për kufirin shtetëror të RSH”, automatikisht u shfuqizua vija e drejtë bazë.


Vija e drejtë bazë mund të përcaktohet në përputhje me nenin 10 (gjiret juridikë), nenin 9 ose nenin 7 (kur bregdeti është i thyer). Shqipëria, Italia dhe Mali i Zi e kanë ndërtuar vijën e drejtë bazë në përputhje me nenin 7. SHBA-të kanë kontestuar vijën e drejtë bazë të RSH (nga Lumi Buna deri në Kepin e Gjuhëzës), pasi sipas tyre nuk është në përputhje me nenin 10 të UNCLOS. Vija e drejtë bazë e RSH ka ekzistuar për 38 vite, nuk është kontestuar nga asnjë fqinj detar i Shqipërisë, nuk e kufizon lirinë e lundrimit në matjen e detit territorial dhe, mbi të gjitha, ajo ka marrë legjitimitet, pasi është përdorur për arritjen e Marrëveshjes për Delimitimin e Shelfit Kontinental me Italinë, në vitin 1992.


B) Deti territorial i RSH-së


Deti territorial (neni 3 i UNCLOS 1982 “Çdo shtet ka të drejtën të vendosë brezin e detit të tij territorial deri në kufijtë e jo më shumë se 12 miljeve detare, të matura nga vija bazë, e përcaktuar në përputhje me këtë konventë”. Duke nisur nga viti 1946, RSH ka pasur të shpallur me ligj gjerësinë e detit territorial: VKM 168, datë 9.12.1946 – 6 milje detare; ligji nr. 1535, shtator 1952 – 10 milje detare; dekreti nr. 3321, datë 1.9.1961 – 10 milje detare; nr. 4650, datë 9.3.1970 – 12 milje detare; dekreti nr. 5384, datë 23.2. 1976 – 15 milje detare; ligji nr. 7366, datë 24.03.1990 – 12 milje detare – ligji 9861 datë 24.1.2008 – 0 milje detare.


Metodologjia e përcaktimit të kufirit të detit territorial bëhet me deklarim, kur shteti bregdetar më i afërt është më shumë se 24 milje detare larg, ose e kombinuar edhe me marrëveshje kur ka shtete që duhet të arrihen marrëveshje delimituese. Pra, është detyrim i konventës të deklarosh pretendimin e gjerësisë së detit territorial dhe të drejtën e ushtrimit të sovranitetit. Në rajonin tonë gjerësia e detit territorial të shteteve është: Italia 12 milje detare, Greqia 6 milje detare (e detyruar nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1936), Mali i Zi 12 milje detare dhe Shqipëria 0 milje detare.


RSH sot nuk ka të deklaruar kufij të detit territorial dhe nuk ka marrëveshje me fqinjët. Me Italinë nuk mund të ketë marrëveshje, pasi distanca minimale me Italinë është 41 milje detare (Kanali i Otrantos). Me Malin e Zi nuk ka marrëveshje. Në vitin 1977 është bërë një tentativë, por nuk u arrit marrëveshja për metodologjinë e delimitimit. Me Greqinë u arrit një marrëveshje në vitin 2009, por u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, në vitin 2010.


C) Deti arkipelag


Shqipëria nuk është vend arkipelag dhe nuk mund të ketë det arkipelag. Po ashtu, asnjë vend detar fqinj nuk i plotëson kriteret e të qenët shtet arkipelag.


 


D) Hapësira ajrore


Hapësira ajrore e RSH është hapësira ajrore mbi detin e brendshëm dhe detin territorial deri në kufijtë e detit territorial. UNCLOS, neni 2.2 “Ky sovranitet shtrihet edhe në hapësirën ajrore mbi detin territorial”. Sipërfaqja e hapësirës ajrore të RSH përtej territorit tokësor është e barabartë me sipërfaqen e detit të brendshëm dhe detit territorial dhe shkon deri në 10.000 km².


E)   Zona fqinje


Zona fqinje (në vazhdim) e RSH është hapësira detare përtej detit territorial dhe mund të shtrihet deri 24 milje detare nga vija bazë normale ose vija e drejtë bazë kur e ke të shpallur me ligj. Neni 33 UNCLOS 1982 “Në një zonë në vazhdim të detit territorial të përshkruar si zona në vazhdim” dhe “Zona në vazhdim mund të shtrihet deri në 24 milje detare nga vijat bazë e gjerësisë së detit territorial”. RSH asnjëherë nuk ka deklaruar të drejta sovrane mbi këtë hapësirë detare dhe nuk ka bërë deklarimin mbi gjerësinë e saj të pretenduar. Po ashtu, RSH nuk ka marrëveshje delimituese me fqinjët për këtë hapësirë.


F)   Zona ekskluzive ekonomike


Zona ekskluzive ekonomike e RSH është hapësira detare përtej detit territorial deri në 200 milje detare nga vija bazë normale ose vija e drejtë bazë kur e ke të shpallur me ligj. Neni 57 UNCLOS 1982 “Zona ekonomike ekskluzive nuk do të shtrihet përtej 200 miljeve detare nga vijat bazë prej të cilave matet gjerësia e detit territorial”. RSH asnjëherë nuk ka deklaruar të drejta sovrane mbi këtë hapësirë detare dhe nuk ka bërë deklarimin mbi gjerësinë e saj të pretenduar. Po ashtu, RSH nuk ka marrëveshje delimituese me fqinjët për këtë hapësirë në përputhje me nenin 74 dhe 75 të UNCLOS 1982. Në Detin Mesdhe, asnjë nga shtetet nuk ka marrëveshje delimituese për zonën ekonomike ekskluzive, pasi Italia me pozicion dominues nuk e njeh këtë term të UNCLOS 1982.


G)   Shelfi kontinental


Shelfi kontinental i RSH është tabani i fundit i detit dhe nëntokë përtej detit territorial. Neni 76 i UNCLOS 1982 shprehet “Shelfi kontinental i një shteti bregdetar përfshin fundin e detit dhe nënburimet e zonës nënujore që shtrihet përtej detit të tij territorial nëpërmjet një zgjatimi natyral të territorit të tij tokësor në qoshen e jashtme të kornizës kontinentale ose në një distancë prej 200 milje nga vijat bazë nga të cilat matet gjerësia e detit territorial”. Por në varësi të metodologjisë, ai mund të shtrihet deri 350 milje detare.


Republika e Shqipërisë, për shkak të distancave me vendet fqinje duhet të ketë marrëveshje delimitimi me to. Aktualisht, Shqipëria ka një marrëveshje të tillë vetëm me Italinë. Marrëveshja për Delimitimin e Shelfit Kontinental midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë është ratifikuar nga Parlamenti italian me ligjin nr. 147, datë 12 prill 1995 dhe ka hyrë në fuqi më 26 shkurt 1999. Po ashtu, Parlamenti shqiptar e ka ratifikuar marrëveshjen me ligjin nr. 7685, datë 15 mars 1993 dhe është dekretuar nga Presidenti i Republikës me dekretin nr. 500, datë 26 mars 1993. Për palën shqiptare, marrëveshja ka hyrë në fuqi më 15 mars 1993. Marrëveshja e arritur me Greqinë në vitin 2009 u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2010. Me Malin e Zi nuk ka pasur asnjëherë tentativa delimituese.


Zona e kërkimit dhe shpëtimit në det i RSH.


Zona e Kërkimit dhe Shpëtimit në Det të RSH është e papërcaktuar. Kjo zonë, jashtë detit të brendshëm dhe atij territorial përcaktohet me marrëveshje. Zona e kërkimit dhe shpëtimit në det përcaktohet mbështetur në nenin 98/2 të UNCLOS 1982 dhe të Konventës së Hamburgut mbi kërkimin dhe shpëtimin në det 1979 (SAR 1979) Neni 2.1.4. “Çdo rajon kërkim-shpëtimi krijohet në marrëveshje ndërmjet vendeve aleate të përfshira në rajon”. Aktualisht, Republika e Shqipërisë në Detin Adriatik dhe Detin Jon ligjërisht nuk ka realizuar krijimin e zonës së saj të përgjegjësisë për kërkimin dhe shpëtimin detar, zonë e cila duhet të krijohet me marrëveshje me tre fqinjët tanë, Malit të Zi, Italinë dhe Greqinë. Më 19 maj 2000, Ministria e Transportit dhe Telekomunikacioneve ka nënshkruar në datën 19 maj 2000, në Ankona, Itali, një Memorandum Mirëkuptimi midis Qeverisë së Republikës së Italisë dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë mbi Bashkëpunimin për Operacionet e Kërkimit dhe Shpëtimit në Detin Adriatik. Kjo marrëveshje ende nuk është ratifikuar nga Parlamenti i Republikës së Shqipërisë. Marrëveshja në fjalë është ratifikuar nga Parlamenti i Republikës së Italisë dhe ka hyrë në fuqi më 27 dhjetor 2001. Marrëveshja duhet të rinegociohet, pasi nga pikëpamja e kufirit të zonës së përgjegjësisë të dy vendeve nuk është e saktë, pasi kufiri i zonës nuk kalon në vijën e mesme ndërmjet vijave bazë të dy vendeve dhe bie në kundërshtim me parimet e të Drejtës Ndërkombëtare për marrëveshjet dhe traktatet.


Nëse RSH do të bëjë deklarimet e nevojshme dhe do të kishte marrëveshje delimituese për ushtrimin e sovranitetit dhe të drejtave të saj sovrane në përputhje me UNCLOS, nenet 16, 3, 33, 57, 74, 75, 76 dhe 83, hapësira detare e RSH do të ishte rreth 16.000 km² ose 60% e territorit tokësor, nga të cilat 10.000 km² hapësirë me sovranitet të plotë dhe pjesë e integritetit territorial të RSH dhe rreth 6.000 km² sipërfaqe me të drejta sovrane për shfrytëzimin e burimeve natyrore (detare dhe nëndetare). Vijon


*Deputet, anëtar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare