Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas një kontrolli të ushtruar në MTKRS me objekt: “Vlerësimi i aktivitetit ekonomik dhe financiar”, ku objekti kryesor i kontrollit ka qenë “Prodhimi dhe transmetimi i reklamave televizive”, në vitin 2007 ka publikuar sot raportin ku Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve rezulton me shkelje të shumta dhe shpërdorim të fondeve publike.
Sipas këtij raporti, 6 zyrtarë të MTKRS, nga të cilët një drejtor i përgjithshëm dhe 2 përgjegjës sektori, gjatë tenderit të zhvilluar për prodhimin dhe transmetimin e reklamave televizive në vitin 2007 kanë konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës.
Konkretisht bëhet fjalë për tenderin për prodhimin dhe transmetimin ndërkombëtar të një spoti që do të transmetohej në CNN me qëllim promovimin e turizmit shqiptar me fond limit 37 milionë lekë.
Sipas grupit të kontrollit të KLSH, fondi limit prej 37 milionë lekësh nuk ishte i argumentuar dhe nuk disponohej ndonjë analizë për llogaritjen e këtij fondi, madje nuk ishte ndarë, sa është vlera e fondit limit për prodhimin dhe sa për transmetimin. Në raportin e vet, KLD vë në dukje faktin se firmat konkurruese nuk kishin përfaqësues të tyre të pranishëm në tender, madje tri prej tyre i kishin paraqitur ofertat në rrugë elektronike, për adresat e të cilëve nuk disponohej dokumentacion shkresor apo korrespondencë elektronike midis personit të kontaktit të KVO dhe këtyre shoqërive.
Gjithashtu, sipas KLSH-së pas shpalljes fituese, shoqëria “CCCP-Roterdam” Holand, për të vërtetuar vetëdeklarimin, ka paraqitur të gjithë dokumentacionin ligjor siç është kërkuar nga KVO, nga ku rezulton se kjo shoqëri është regjistruar në muajin mars 2007 në Gjykatën holandeze dhe në regjistrin e biznesit të këtij shteti, si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, me një staf të punësuarish prej 2 (dy) personash. Pra, koha e shkurtër e krijimit të kësaj shoqërie, numri i vogël i të punësuarve, si dhe mosparaqitja nga ana e saj e një kontratë me ‘CNN’, tregon se kjo shoqëri nuk mund të ketë qenë partner me ‘CNN’ në fushën e prodhimit dhe transmetimit të spoteve televizive.
21 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)