Tomislav Nikoliç është zgjedhur president i Serbisë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale serbe të mbajtura ditën e djeshme, duke mposhtur në këtë garë rivalin e tij, Boris Tadiç. Nikoliç rezulton të ketë marrë 49.4 për qind të votave në këto zgjedhje kundrejt 47, 4 për qind të fituara nga liberali Tadiç, pra praktikisht diferenca në vota e tyre është 2 për qind.
Boris Tadiç nga ana e vet e ka pranuar disfatën në zgjedhjet e fundit dhe ka përgëzuar e uruar rivalin e tij për fitoren. Nikoliç ka falenderuar mbështetësit për votën që i dhuroi fitoren dhe i ka siguruar se Serbia do të vijojë në rrugën e reformave të mëtejshme drejt integrimit në BE.
Në të shkuarën ultranacionalisti Nikoliç ka shfaqur një qëndrim haptas kundër reformave që synonin integrimin e Serbisë në Bashkimin Euriopian, por më vonë ai e ka zbutur qëndrimin e tij nihilist.
Kjo është edhe “porosia” që ka lënë Boris Tadiç në largim për presidentin e ri të vendit, që të vijohet më tej në rrugën e këtyre reformave tashmë të nisura, pasi një ndryshim i kursit në këtë moment do të kishte pasoja shumë negative për popullin serb.
21 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)