A dimë të sillemi ne gazetarët në një tragjedi?

MUSTAFA NANO

Dje pasdite, në orën 18.32, publikova në respublica.al një shënim me titullin “Tragjedia e Himarës dhe … transmetimet televizive live”, dhe aty krahas informacionit mbi ngjarjen tragjike, ku mbetën të vdekura 12 vajza, studente të universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, fokusohesha pakëz dhe në transmetimet live që televizionet i bënin ngjarjes, duke filmuar e komentuar atë që dukej nga tragjedia. Ishin orët e para pas tragjedisë, dhe po i ndiqja sy e veshë ato transmetime. Ishin një numër televizionesh që e bënin këtë gjë në të njëjtën kohë. E të gjitha dalloheshin për një gjë, që i nxirrte nga binarët e profesionit: tek informacioni që jepej binin në sy lajme të vazhdueshme me politikanë, që thoshin të tyren mbi atë që kishte ndodhur.

Pak më pas, në orën 18.47, Tema online publikoi një shënim të vetin me titull “Respektoni viktimat”, ku u bëhej një apel kolegëve të televizioneve për “të ulur pak zërin, teksa raportojnë nga terreni, të jenë më solemnë e më të përmbajtur, e të fokusohen te spitalet”. Po aty citohej një drejtor zjarrfikësesh që kish folur para kamerave televizive për “sasi viktimash” (nuk jemi vetëm ne gazetarët që s’dimë të sillemi në rrethana të tilla; zyrtarët e shtetit janë më keq). Ky i Temës ishte i njëjti shqetësim, por i parë nga një optikë tjetër dhe i shprehur në një mënyrë tjetër.

Ne gazetarët shqiptarë, ndonëse kemi tanimë një përvojë mbi njëzetvjeçare në rrethanat e shtypit e fjalës së lirë, nuk kemi mësuar ende të sillemi në një tragjedi, e nuk kemi mësuar ende ta përcjellim deri te publiku një ngjarje të rëndë. Televizionet që transmetojnë live të gjitha ngjarjet e zhvillimet e këtij vendi nuk dinë të bëjnë dallimin midis një kongresi partie e një ploje, midis një seance parlamentare e një krimi, midis një tubimi elektoral e një tragjedie. Ata i raportojnë këto ngjarje po njësoj, me zë të lartë, e me entuziazmin e raportimit të një scoop-i. Ky lloj raportimi të bezdis, të fyen, të poshtëron, të depreson.

Kjo është e para. Gjëja e dytë fyese ka të bëjë me pjesën që i jepet politikës edhe në një ngjarje si ajo e djeshmja. Ti hap televizorin e sinkronizohesh në një kanal për t’u informuar, dhe gjëja e parë që bën, zë e lexon titrat: sheh se janë të llojit “ministri Bujar Nishani niset për në Himarë”, “tok me Nishanin është dhe Burgaj”, “njoftim nga Kryeministria: Berisha është informuar në Chicago mbi tragjedinë”, “Kryeministri jep porosi në telefon, që të bëhet e pamundura për t’iu ndodhur pranë njerëzve në nevojë”, “Edi Rama: tragjedi e tmerrshme, është ora për solidaritet njerëzor”, “PDIU: Humbja e studentëve, tragjedi mbarëkombëtare”, “Meta: Ndajmë dhembjen me të afërmit”, “Topi: shteti është në këmbë”, “Topi prapë: ngushëllime të sinqerta familjarëve”, “kryebashkiaku Goro: familjarët do kenë ndihmën e nevojshme”, “Topalli është nisur drejt Himarës; me të është dhe Vasili” etj., etj., etj.

Nuk kanë të sosur lajme të tilla, që praktikisht nuk janë lajme, pasi nuk thonë asgjë. Dhe nuk ishin vetëm në formë titrash. Herë pas here, folësit/et ndërprisnin informacionin nga terreni, dhe jepnin informacionin mbi reagimet e politikanëve e të dinjitarëve shtetërorë. Janë të gjitha reagime retorike, fjalë boshe, dhe ndoshta nuk kanë faj për këtë (çfarë reagimesh të tjera mund të bëhen një a dy orë pas një tragjedie?), por është e tepërt dhe e panevojshme që këto qëndrime të transmetohen dhjetëra herë në harkun e pak orëve, a thua se ato që thuhen nuk janë dokrra, por revelation-e. Një njoftim i Kryeministrisë (vini re: një njoftim i zyrës së Kryeministrit, e jo një deklaratë e Kryeministrit me pamje e me zë) ish shpërbërë dje pasdite në pesë a gjashtë titra. Kjo nuk ka kuptim. Nuk ka kuptim në të gjitha kuptimet. Së pari, një informacion i tillë të shastis, ta heq vëmendjen nga ajo që ka ndodhur e që praktikisht ka rëndësi, e të sjell në fokus një gjë që s’ka pse të jetë fare pjesë e raportimit; së dyti të bezdis sa s’ka ku të shkojë; edhe sikur ta kesh shumë xhan Berishën, Ramën, Metën, Topin, është bezdisëse të dëgjosh e të lexosh herë pas here gjatë ditës, apo gjatë pak orëve, se “ata janë shumë të shqetësuar, se ata bëjnë thirrje për solidaritet, se ata apelojnë që t’u gjendemi pranë të dëmtuarve, se ata kanë urdhëruar marrjen e masave, se ata janë nisur për në vendin e ngjarjes etj., etj”. Së treti, në këtë rast kemi të bëjmë me një politizim të skajshëm të informacionit. Është një sindromë e njohur e shtypit shqiptar, që fokalizohet te politika e te politikanët edhe kur është dita e Shën Valentinit, edhe kur është dita e Verës, edhe kur janë festat fetare (e keni vënë re se si raportohen vizitat që bëjnë zyrtarët e lartë të shtetit e personalitetet politike në kisha e xhami? Vihen në qendër të gjithçkaje, duke eklipsuar simbolikën e ditëve të tilla), edhe kur ndodh një tragjedi, siç ishte kjo e djeshmja. Së katërti, nuk duhet të na dalë nga mendja se me këtë qasje ne nuk bëjmë gjë tjetër, veçse vihemi në funksion të protagonizmit të politikanëve tanë, që nuk dinë t’ua lënë kurrë reflektorët të tjerëve, atyre që u takojnë; bën vaki që një pjesë syresh, kur është puna tek protagonizmi, nuk dinë të ndalen as përpara një tragjedie; madje, tragjeditë janë alamet rrethane për pak protagonizëm, pasi audienca është më e plotë se në raste të tjera.

Një internaut më pyeste dje, se si do ta jepja unë këtë lajm, nëse gjërat do të vareshin nga unë. Është shumë e thjeshtë. Do të jepja lajmin, do përpiqesha të ndriçoja tërësisht atë që kish ndodhur, ku, si, pse, do të mbaja në qendër të vëmendjes viktimat, të dhëna rreth tyre, të dhëna rreth aksidentit, të dhëna mbi të plagosurit, të dhëna rreth ndihmës së parë, të dhëna lidhur me mobilizimin e strukturave të policisë e të spitaleve, do të intervistoja dëshmitarët okularë, e gjëra të kësaj natyre. Përveç kësaj, do t’i ndaloja reporterët të përndizeshin e të ngjireshin, a thua se po raportonin nga një koncert i Lady Gagasë. E në fund, nëse s’do kish gjëra për të thënë, do ndaloja transmetimet live. Përndryshe, kur transmeton live pa qenë nevoja do vijë se s’bën një moment, kur ti s’ke ç’të bësh tjetër, veçse të krehësh e rikrehësh frazat e ‘të mëdhenjve tanë’, madje dhe mund të shpikësh ‘të mëdhenj’.

E në këtë mes, do lësh pas dore tragjedinë. Dhe viktimat.

 

Autor te 22 Maj 2012. Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Jabanxhiu

    Ne kete moment qe po shkruaj ndrova kanalin nga TVSH ne Vizion +. Eshte po e njejta gjuhe agresive, patetike. Pa pike dhe pa presje e fjalia mbaron kur te le fryma. Mungese totale e etikes. Nje e aksidentuar e mbuluar me gjak dhe krenaria e servirjes se lajmit nga vizion plus qe i kishte marre intervisten e pare. E tmerrshme. E pacipe. Jo qytetare dhe shume manipuluese. Gazetare te pa pergjegjshem, preverse qe nuk dine te ndalen dhe behen vegla te manipulimit dhe me e keqja eshte se e bejne me pasion e plot dashuri. Gazetaret shqiptare une do ti quaja me plot gojen te papergjegjshem. me ndergjegje apo pa ndergjegje kane pjesen e luanit ne manipulimin mbare kombetar. Kemi njezet vjet qe na behet trushplarje dhe nuk orjentohemi ne vlera. Nuk ka dite qe nuk na krijohen e cfaqen para syve imazhe vetem per te na dizinformuar e corjentuar. Turp.

  • Ilir

    Fillimisht, shpreh ngushellimin per Studentet qe humben jeten ne kete aksident, per Familjet e tyre dhe te Afermit.
    Z. Mustafa, te lumte, per nivelin profesional, per qytetarine dhe solidaritetin njerezor.
    Eshte e vertete, e gjitha e vertete, kjo qe ju shkruani. Bete shume mire qe e shkruat sot, pikerisht, nje dite pas tragjedise., kjo eshte guxim edhe qytetar.
    Eh, me kujtohet nje rast i tille, tragjedi e vertete, kur ndodhi aksidenti me Djalin e Presidentin Z. Moisiu. Ishte transmetim me te fundmen e ndjenjes njerezore. Deri aty ku nuk mban as edhe spektatori.
    Kjo eshte kohe per reflektim, per te deshmuar ndihme dhe bashkepunim, pershkrim ngjarje dhe shprehje keqardhje, komunikim te drejtperdrejte dhe mesazhe ngushellimi. Ky eshte misioni i medias. Per te tjeret qe paguhen nga taksat e shqiptareve, lerini te bejne detyren, ta bejne mire, bile. 
    Edhe njehere, ngushelloj te Afermit per humbjn.
      

  • makbeth

    Zoti Nano! Mos kujto qe shqiptaret jane aq injorante dhe idiote bashke e te veteposhterohen,gjoja se bejne efekt mediat tek ta ne Shqiperi.Ti flet per Tv-te dhe gazetat.Duhet ta dish se eshte e ndryshme te transmetosh direkt e ndryshe te shkruash ne gazete pas disa oresh,qofte edhe per te njejten ngjarje,qofte edhe per tragjedi.Politikanet jane te bezdisshem sa here,kur demonstrojne dhembje behen te neveritshem,bile te urrejtshem.Pashe se u be biznes me tragjedine dhe jetet e njerezve.Politikanet vetem se u poshteruan dhe me shume se c’jane para shqiptareve.Me beri pershtypje shefi i opozites ne marrine e tij.U beri thirrje Bashkive Socialiste te Vlores,Himares dhe Orikumit te gjenden sa me prane viktimave!?!?Po Bashkite “Armike”,c’fare duhet te benin!?Ne ate moment ky Edi Rama m’u duk mi, provincial,voulgaire e tamam tamam bash KATUNAR!

  • Elisabeta

    Z Nano ka shume te drejte. Vatja e Jozefines, Metes, etj, etj, ne spital nuk ndihmon asgje, pervec se heq vemendjen e mjekeve nga te plagosurit. Poliktika dhe qeveria le te merret me mire me zgjerimin dhe rregullimin e rrugeve, qe keto tragjedi te mos perseriten, jo te dalin te mbushin me flaje boshe edhe ne nje tragjedi si kjo.

  • Nga vendngjarja

    M.Nano ashtu si F.Lubonja e te tjere te llojit te tyre nuk kane punuar asnje dite si gazetare. Normal qe jane mesuar te qendrojne ne ndonje tavoline kafeneje apo para ekranit dhe te shikojne qimen ne qull per entuziasmin e gazetareve. Po te punosh ne terren, mund ta kuptosh adrenalinen o Muci. Dil njehere ne terren dhe shikoje veten pastaj te regjistruar ne televizor se cdo kesh brockollisur. Keta anal-istet, ngazellehen si pela ne vakt te vet kur jane ne nje studio me Ed Ramen apo Berishen, e jo me te raportonin nga nje ngjarje e permasave te tilla.

  • astrit

    Berisha,Meta me bandat e tyre,qe te vrasin diten te qajne po diten, i bashkohet dhe sfondi fare i peshtirosur i Rames  i ndyjne keq keto tragjedi njerzore ne fondamentin e tyre.A do te qerrohen ndonjehere keta surreter katundaresh injorant dhe kriminel shoqeruar me nje brekdhjere, qe felliqin dhe shperbejne cdo gje njerzore, ne kete vend te rrenuar shpirterisht dhe fizikisht.

  • Jondi

    Per here te pare, dhe besoj te fundit, jam dakort me Mucin.
    R.I.P. te vdekurve, ngushellime nga zemra familjeve, kam lot ne sy kur shkruaj keto dy fjale. Uroj te mbijetuarat te jetojne nje jete te gjate e te bukur.
    Cuna e goca me mikrofon ne dore nuk jane as reportere as gazetare, madje as ato ne studio nuk dine nga bie respekti apo profesionalizmi. Por, dhe eshte nje POR  i madh, ata pasqyrojne realitetin tone, dmth jane edhe ata nga e njejta shoqeri e brutalizuar, ku shikon lajme me njerez te shtrire ne toke te vdekur, mundesisht gjysem te zhveshur. Ku shikon e rishikon sikur te jete nje film e jo realitet brutal, vrasjen e mjeraneve para dyerve te pushtetit per llogari te aspiruesve te pushtetit! Ku shikon ulerima e klithma dritheruese nga dyer gjykatash.Ku dinjiteti nuk njihet si vlere. Dhe ku na duhet te dime se ku dreqin ishte xhozi apo cfare llomotiti edi….
    O Zot fali se nuk dijne cfare bejne!
    O Zot bekoje Shqiperine!

  • Arif

    Për mendimin tim autori ka të drejtë. Megjithtatë më duket se nuk është nevoja të jesh gazetar për të qenë etik në dhimbjen e të tjerëve. Për “katunarët” që merren nëpër gojë për të personifikuar injorancën e politikanëve tanë, më vjen keq. Shkoni në një fshat dhe vini re si dinë të ngushëllojnë, edhe me dhimbje, edhe me solemnitet, edhe me etikë, veti këto që poltikanët tanë u vijnë anës, se as i kanë as do t’i kenë përsa kohë do hiqen si perëndi e nuk do zbresin në tokë. “Berisha la samitin në Çikaqo dhe u kthye për tragjendinë…”, ky qe një nga lajmet që u dha me bujë sikur çoç kishte ndodhur, sikur erdhi perëndia për të ngjallur viktimat e prindrit e tyre duhet t’ia nisin festës. Sikur të mos e kishin dhënë këtë lajm do ishim shpirtërisht vetëm me dhimbjen e helmin e atyre prindërve, vëllezrve e motrave që kanë humbur të dashurit, të cilët nuk do t’u kthehen më kurrë, po s’të lënë gezetarët të mbetesh në atë përjetim humbjeje aq tronditëse, ata duan të fusin me domosdo pak Berishë apo pak politikan për ta ndotur sadopak hidhërimin, për t’i dhënë ngjyra jashtë ngjarjes. Sikur ai të mos kishte ardhur do ishte në nderin e tij sepse nuk do shtirej po do sillej ashtu siç është, siç ishte në ’97-tën e në të gjitha motet e qeverisjeve të tij (ai vetë ka thënë që edhe kur ishte në opozitë ai ka drejtuar në Shqipëri), periudhë kjo kur janë vrarë, vetvrarë, aksidentuar, mbytur deteve, vdekur minierave… me mijra e mijra shqiptarë, e në të tëra rastet ka shprehur hidhërim, ka ngushëlluar familjarët, është treguar medemek energjik për t’u ardhur në ndihmë viktimave e të afërmve të tyre, ka bërë betime se s’do të lejonte më të ndodhnin gjëra të tilla në qeverisjen e tij, e sa herë merrte përsipër për të bërë më mirë ndonjë gjë, përherë ka bërë të kundërtën. Tërë ata politikanë u hipë hlikopterëve për të shkuar në vendgjarje, e ne, duke e njohur tipin e politikanit shqiptar, që punon vetëm për vete e jo për ndonjë tjetër tej klanit të tij, menjëherë na shkon ndermend se po dalin njëherë tutje për t’u kolovitur në ajër, si për ekskurion, apo për të dhënë shfaqie për fushatë zgjedhjesh. Ndryshe s’kanë ndonjë kuptim tjetër tërë ato tamtame udhëtimesh. Le të shkojnë pa u ndier nëse vërtet mund të bëjnë diçka… Ndërsa gazetarët që legenosen pas tyre bëhen pjesë e shaqjes jo pa qëllim dhe jo pa përfytyruar ndonjë shpërblim. Pra nuk është mungesa e profesionalizmit e gazetarëve, të paktën jo tek të tërë e jo kryesisht, se sa shpirti i tyre i korruptuar ose i gatshëm gjer në flijim të dinjitetit për t’u korruptuar. Fundja në Shqipëri këtë modë kanë instaluar e lejuar si të vetme politikanët. Prapë ata. Si s’na u hoqën qafe! Si s’na lanë rehat as në ditë morti.

    • makbeth

      Nje sqarim per termin”katunar”.E kam perdore ne kontekstin qe sot perdoret rendom nga katunaret qe banojne ne qytet dhe shajne ata qe banojne ne fshat.Banoret qe banojne ne fshat,nje nga te cilet jam edhe une,jane shume me aristokrate dhe origjinale,ne raste te tilla.Ata e bejne respektin ,shprehin dhembjen se e ndjejne shpirterisht,ne raste te tilla.E jo si keta fallcot,sidomos politikanet.

  • albi

    Gazetaret tane reflektojne nivelin e pergjithshem te shoqerise. Nuk mund te presesh mrekullira ne gazetari ku ne cdo fushe jemi deshtim total

  • Pavaresia

    Dikur, kur punoja ne fshatin kooperativist, Sekretari i Byrose, Kr. i Keshillit dhe ai i Kooperatives, nuk linin rast pa shkuar ne vakite e vdekjeve  ne fshat kur ndodhnin. Ndersa per problemet e perditeshme qe fshataret kooperativiste ishin te shqetesuar, kujtoheshin kur benin mbledhjet e ,, Asamblese…” nje here ne vit!….(vajtjet e tyre per ,,ngushellime” perfshiheshin ne karakteristikat e tyre qe u percilleshin ,,instancave te larta…”) Paralelet nuk mungojne.

  • Teuta

    Shqetesimi juaj z. Nano qe paraqitni  ne shkrim, eshte shume fisnik, i drejte dhe i perbashket.Ne kanalet televizive Ora News dhe News 24 raportuesi te linte pershtypjen se eshte duke komentuar ndonje ndeshje sportive,  gjersa citonte emrat e te aksidentuarave. Juve z. Mustafa ju kemi ze, ti je perfaqesues i denje  i audiences.Pushofshin ne paqe, shpirtrat e studenteve te vdekura,  ngushellime familjareve dhe sherim te shpejte te plagosurave!

  • klara

    ceshtja eshte qe kjo quhet dhimbje, dhimbja respektohet, nuk perdoret. Sot nuk eshte dite per tu cmendur, nuk eshte as momenti te marrosemi mbas lajmit kush e kush ta thote me bukur, sot eshte koha per te respektuar dhimbjen. Keqardhja me e thelle per familjaret…gjithe te tjeret do e harrojne…

  • Petilulzim

    Eshte shkrim interesant dhe mjaft vlera per ato gazetare qe kane nevoje per leksione se si te raportohet nga terreni.Sikur te mesonin sadopak keta gazetare nga transmetimet e televizioneve perendimore,mbi transmetimin e nje tragjedie te kesaj natyre,do te ishte nje plus i madh per ta dhe do ta benin ndjekjen e cdo transmetimi mjaft domethenes!Por jo me larg se mbreme.emisioni Fiks Fare,e permbodhi mjaft mire kete shqetsim.dhe natyrisht qe merita e z Nano eshte mjaft e vleresuar dhe duhet patur ne konsiderate!

  • jona

    Ndaj te njejtin mendim me autorin……..

  • H.Hoxha

    Bravo M.Nano, si gjithmone i thjeshte, analizues dhe kritik i mire…

  • H.Hoxha

    Bravo M.Nano, si gjithmone i thjeshte, analizues dhe kritik i mire…

  • H.Hoxha

    Bravo M.Nano, si gjithmone i thjeshte, analizues dhe kritik i mire…

  • Jeronim

    Me vjen mire qe Z.Nano e ka kuptuar qe s’eshte gazetar dhe po perpiqet te behet, perpjekje e mire.