Studentët
Dje në mbrëmje, pas ngjarjes tragjike të ndodhur në Himarë, dhjetëra studentë të universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit kanë ndezur qirinj në shkallët e universitetit në shenjë nderimi për jetët e humbura. Më pas ata janë drejtuar në kompleksin spitalor “Xhaferr Kongoli” të qytetit, për të dhuruar gjak. Mësohet se gjendja psikologjike e studentëve është mjaft e rënduar, sidomos për ata që kanë pasur shokët e tyre në këtë ekspeditë. Mungesa e komunikimit në telefon mes tyre ka shkaktuar panik.
Ekspedita
Rituali i përvitshëm i studentëve të vitit të tretë
Menjëherë pas përfundimit të ciklit akademik, Fakulteti i Gjuhës dhe Letërsisë dërgon për ekspedita studentët e tij, kryesisht në vendet arkeologjike dhe turistike. Qëllimi i ekspeditave është njohja e studentëve me vendin, sidomos në lëmin historik dhe arkeologjik. Gjithsesi ky nuk është një udhëtim thjesht mësimor por dhe një ekskursion çlodhës. Burime nga universiteti “Aleksandër Xhuvani”, bëjnë me dije se rreth orës 7:30 të mëngjesit të së hënës janë nisur dy autobusë me studentët e vitit të tretë të degës Gjuhë-Letërsi. Ata do të vizitonin Apoloninë e Butrintin e më pas do të udhëtonin drejt Korçës e Pogradecit, për t’u kthyer mbrëmjen e së enjtes në Elbasan. Për këtë ekspeditë të përvitshme, Universiteti i Elbasanit prej kohësh ka lidhur kontratë me shoqërinë e transportit “Llixha 2001” me pronar të Arjan Dakën. Kjo shoqëri transporti është e licencuar për aktivitetin në fjalë dhe prej disa vitesh operon në Elbasan, sidomos për linja të gjata.
Solidariteti
Dhjetëra qytetarë u paraqitën dje në spitalet e Himarës, Vlorës, Tiranës dhe Elbasanit për të dhuruar gjak, për t’u ardhur në ndihmë të mbijetuarve të tragjedisë së Grykës së Vishës. Gjak dhuruan dje edhe politikanë të lartë dhe figura publike, të cilët bënë apel për solidarizim. Krerët e të gjitha institucioneve dhe partive politike shprehën dje ngushëllimet për familjet e viktimave, ndërkohë që mesazhe ngushëllimi iu drejtuan familjarëve dhe krerëve të shtetit shqiptar nga institucionet dhe partitë politike të shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi. Ngushëllimet e tyre i shprehën dje edhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare dhe ambasadave në Tiranë.