PROF. DR. ANASTAS ANGJELI


Eurozona vazhdon të jetë e rrezikuar nga kriza që e ka mbërthyer, në qendër të së cilës ka mbetur Greqia. Këtë e dëshmojnë jo vetëm ngjarjet e këtyre kohëve në Greqi, dhe sidomos në këtë periudhë zgjedhjesh (edhe të përsëritura), por edhe fakti që kriza e borxheve në eurozonë ishte në qendër të vëmendjes dhe konkluzioneve të punimeve të Samitit të fundit të G8-s. “Greqia në euro apo kthim në dhrahmi”, nuk është as një slogan elektoral, as një çështje e thjeshtë. Ajo është zgjedhja finale që grekët duhet të bëjnë, jo vetëm për vete, por edhe për të ardhmen e eurozonës, procesi i së cilës, edhe pse “i plagosur” në këtë moment, duhet të vazhdojë rrugën e nisur. Jo më kot, të gjithë liderët e 8 fuqive më të mëdha ekonomike, në përfundim të këtij samiti, shprehën unanimisht vullnetin që shteti helen të mbetet pjesë e eurozonës. Kjo, sepse një eurozonë e fortë dhe kohezive është e rëndësishme për stabilitetin global dhe se Greqia brenda saj është në interesin e eurozonës. Në këmbim të kësaj, kërkohet nga Greqia të respektojë angazhimet e veta. Megjithatë, nisur nga pasojat dhe efektet e një daljeje të mundshme (jo të dëshiruar) të Greqisë nga euro (çrregullimet bankare, falimenti i bizneseve, kriza e borxhit publik, trazirat e tregut, rënia ekonomike, bizneset mund të zvogëlojnë investimet e tyre etj.), “stuhia ekonomike” nuk mund të parashikohet.


Kësaj “turbullire” të eurozonës, tashmë është pranuar që nuk i ka shpëtuar edhe ekonomia dhe financat shqiptare, madje ndodhet në vorbullën e saj. Kjo dëshmohet edhe nga fakti që financat publike të vendit vazhdojnë të tronditën dhe ndikimi përkeqësues në situatën ekonomike e sociale, po rritet dukshëm. Nga ana tjetër, mundësitë e qeverisë për manovra financiare “po mbyllen”. Kjo edhe sepse…


 “ÇMENDET” DEFICITI BUXHETOR


Dy problemet themelore të financave publike të vendit tonë vazhdojnë të përkeqësohen, duke thelluar tronditjen dhe duke u shndërruar në një kërcënim për situatën ekonomike e financiare në vend. Sipas të dhënave paraprake të thesarit të shtetit, për periudhën e 4-mujorit të parë të këtij viti rezulton se: “Deficiti buxhetor faktik për periudhën e 4-mujorit, në krahasim me programin, është realizuar në nivelin 11.4 miliardë lekë përkundrejt 2.2 miliardë lekë që ishte programi, duke arritur në përqindje, nivelin rekord prej 502%. Kjo situatë, duke mos qenë specifike për këtë vit, por e shndërruar në fenomen kronik, më e theksuar edhe në vitet 2009, 2011, tani është bërë një premisë e qartë me ndikim të dukshëm në thellimin e mëtejshëm të borxhit publik dhe shtimit të mundësive për krijimin e një ambienti më me risk të lartë, të pritshëm inflacionist.


Analiza e treguesve të 4 viteve të fundit, dëshmon se deficiti buxhetor, për të njëjtën periudhë në këto vite, rezulton me tejkalim të dukshëm ndaj programit. Ky fenomen është i lidhur dukshëm me faktorë të ndryshëm, ku spikasin ato politike-elektorale dhe të keqmenaxhimit të financave publike. Kështu, në vitin 2009 dhe 2011, që janë vite elektorale, por edhe të ndikuara nga kriza ekonomike e financiare globale dhe eurozonës (reflekton realizimin e dobët të ardhurave tatimore, ndërkohë që niveli i shpenzimeve është ruajtur pothuajse afër planit), megjithëse më i madh në shumë absolute (por jo në % ndaj GDP-së) nuk ka mundur të frenohet në dy vitet e tjera (jo elektorale) 2010 dhe 2012. Në këto dy vite, duket se ky përkeqësim është i lidhur më shumë me faktorët e brendshëm të ekonomisë se sa të krizës së eurozonës (që vazhdon të ketë ndikimin e vet negativ). Ajo është e lidhur drejtpërdrejtë me politikat e munguara të rritjes ekonomike dhe të punësimit, me projeksionet overoptimistic, veçanërisht për treguesit makroekonomik dhe keqmenaxhimin e buxhetit të shtetit (vazhdimi i rënies ekonomike, rezultatet jo të mira në arkëtimin e të ardhurave, p.sh. detyrimet e prapambetura ndaj kompanive etj.)


 


Tejkalimi i deficitit është drejtpërdrejtë pasojë e:



  1. Mosrealizimit të objektivave në të ardhurat buxhetore e veçanërisht atyre tatimore, që për 4-mujorin e parë krijuan një gap prej 4 miliardë lekësh. Kontributin kryesor në këtë rezultat jo pozitiv e ka dhënë, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), Akciza dhe Tatim Fitimi që së bashku kanë krijuar një deficit prej 5.6 miliardë lekësh (respektivisht 2.3 miliardë, 2.2 dhe 1 miliard lekë). Mosrealizimi i TVSH, Akcizës, Tatim-Fitimi, ka lidhje drejtpërdrejtë me situatën makroekonomike dhe me “shëndetin” ekonomik e financiar të vendit.


 



  1. Për këtë periudhë kemi një tejkalim të ndjeshëm të programit të shpenzimeve buxhetore, me rreth 3 miliardë lekë ose një tejkalim prej 3%. Nëse e shtrijmë në kohë analizën, do të vëmë re se në 4 -5 muajt e parë të vitit, niveli i realizimit të shpenzimeve është nën nivelin dhe ritmet e realizimit të të ardhurave buxhetore. Ky tejkalimi i shpenzimeve lidhet më tepër (veç faktorëve të tjerë) me detyrimet e prapambetura që buxheti i shtetit ka ndaj të tretëve apo kompanive, ku shteti ka blerë produkte dhe shërbime. Këtë e dëshmon fakti që deficiti buxhetor vetëm në muajin shkurt 2012 arrin mbi 9 miliardë lekë.

    1. Investimet shënojnë një tejkalim të ndjeshëm, ato të financuara me burime të brendshme janë tejkaluar me rreth 3.6 miliardë lekë se objektivat e periudhës. Ndërkohë që investimet me burim të huaj dhe që në fakt kanë efekt neutral në buxhet rezultojnë për këtë periudhë me një mosrealizim prej 2.5 miliardë lekësh.




 



  1. Shpenzimet operative në mënyrë “befasuese” kanë një tejkalim për kundrejt planit të 4-mujorit të parë me rreth 4.6 miliardë lekë, (me gjithë faktin se deri në një farë mase ato lidhen me shpenzimet ekstra për situatën e shkaktuar nga moti i keq në janar-shkurt, rritja është e pajustifikuar).

  2. Tejkalim vihet re edhe në shpenzimet operative, të personelit, i cili nuk mund të justifikohet me asnjë argument, po të kemi parasysh se ky është një shpenzim i zakonshëm dhe që përsëritet me një frekuencë të rregullt dhe lehtësisht të administrueshëm.


 


ÇFARË DUHET BËRË?


Natyrisht situata e krijuar kërkon marrjen e masave afatshkurtra dhe atyre afatmesme e afatgjata, ndërhyrje dhe ndryshime ligjore, manovra fiskale dhe masa shtrënguese, dhe marrjen e zbatimin e politikave nxitëse të rritjes ekonomike dhe të punësimit etj.


Masat afatshkurtra lidhen me vendosjen e kontrollit mbi deficitin buxhetor dhe borxhit publik, kryerjen vetëm të atyre lloj shpenzimeve nga buxheti që mund të konsiderohen më të domosdoshme, duke hequr dorë nga disa projekte, të cilat nuk mund të përballohen nga burime të brendshme. Gjithashtu kërkohet frenimi i nismave populiste dhe elektorale të përdorimit të shpenzimeve, për rritje hipotetike të pagave dhe pensioneve etj.


Së dyti, për sa u përket të ardhurave, në kushtet e një ekonomie në rënie, kërkohet më shumë për të bërë, nga administrata fiskale në luftën kundër evazionit, duke mos rënë pre e “situatës politike dhe asaj paraelektorale” me ndikim në “shthurje” të kësaj administrate.


treti, por që është edhe më e rëndësishmja, dhe që tashmë po përsëritet për të katërtin vit rresht, duhen bërë ndryshimet e ligjit mbi buxhetin e këtij viti, që domosdoshmërish edhe këtë vit, do të jetë në ulje.


Masat afatmesme e pse jo afatgjata lidhen me përcaktimin dhe harmonizimin efikas të politikave të rritjes ekonomike e të punësimit (modeli dhe prioritetet e zhvillimit) me ato fiskale, të munguara gjatë këtyre 3-4 viteve të fundit, dhe me pasoja për situatën ekonomike, financiare e sociale në vend.