Ministri Petrit Vasili falënderon ambasadën austriake dhe “Raiffeisen Bank”, që kanë marrë përsipër shpenzimet
Dy vajzat që kishin hyrë në gjendje kome, që pas pasdites së të hënës, kur u aksidentuan në Qafën e Vishës, në Himarë, do të transportohen për në Austri. Studentet që do të kurohen në spitalet më të specializuar austriakë, ndodhen në gjendje kritike për jetën. Bëhet fjalë për 21-vjeçaret Florije Peci, që ka dëmtime në kokë, trup dhe shtyllën kurrizore, shembje të gjoksit dhe barkut dhe Eriselda Guberes, e cila ka dëmtime të shpretkës, hemorragji të brendshme, dëmtime të veshkës unike, si dhe të disa vertebrave të zonës së kurrizit. Vajzat janë në gjendje kome dhe shpresohet se fal trajtimeve të specializuara ato të fitojnë betejën me vdekjen. Lajmi për transportimin e tyre për kurim jashtë vendit është bërë i ditur nga ministri i shëndetësisë Petrit Vasili, në një konferencë për shtyp me ambasadorin e Austrisë në vendin tonë, Florian Raunig dhe Drejtorin e Përgjithshëm të “Raiffeisen Bank”, Kristian Kanakaris, që ka marr përsipër të gjitha shpenzimet për transportimin dhe kurimin e vajzave në Austri. Në konferencën për shtyp, të organizuar në ambientet e ministrisë së shëndetësisë, kreu i shëndetësisë shqiptare shprehu mirënjohjen për kontributin e jashtëzakonshëm të vendit tonë mik, Austrisë dhe “Raiffeisen Bank” në këtë moment të vështirë. Ndërkohë drejtori i spitalit ushtarak në Tiranë, Bedri Mihaj, i pranishëm në konferencë, ka garantuar se vajzat do të transportohen mëngjesin e nesërm, me autoambulanca të spitalit dhe nga një ekip mjekësh të specializuar.
23 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)