Brad Pitt në Kanë me filmin “Killing Them Softly”

Një histori që tregon se si edhe gangsterët përjetojnë krizën ekonomike që ka përfshirë mbarë botën

Asnjë nuk i shpëton dot krizës ekonomike, as një killer bukurosh, autoritar dhe i durueshëm si Jackie Cogan, protagonist i filmit ‘Killing Them Softly’ i cili interpretohet nga aktori amerikan Brad Pitt. Filmi i bazuar në librin ‘Cogan’s trade’ nga George V.Higgins Cogan, ka ngritur siparin dje në Festivalin e Kanës. Skena finale e këtij filmi, i cili është i tëri i zhytur në klimën e recesionit të thellë që po jeton mbarë bota është ajo që ka ngjallur më tepër interes dhe diskutime.
Në aktin final paraqitet presidenti i SHBA-ve duke folur në TV, në Samitin e Chikago, ku rikujton vlerat themelore të shoqërisë amerikane, që sipas tij e bëjnë këtë popull të jetë i ndryshëm nga të gjithë popujt e tjerë, pasi Amerika, sipas fjalës së Obamës, është një vend ku nuk kanë vlerë paratë, por virtytet njerëzore.
Killeri Jackie Hitman (Brad Pitt) tund kokën ndërkohë që është duke mbajtur një gotë birrë në dorë dhe thotë: “Kjo nuk është e vërtetë, e vërteta është që këtu je vetëm dhe se Amerika është vetëm biznes, dhunë, para”. Një frazë e tillë, e shqiptuar nga një yll i njohur i kinemasë si Pitt, i cili njihet po ashtu për pikëpamjet e tij liberale, i tejkalon kufijtë e filmit dhe për një moment, para audiencës ndërkombëtare, toni fiton nuancat e një kritike ndaj politikës aktuale të SHBA-ve.

“Por, në fakt nuk është kështu. Ne nuk donim të tregoheshim cinikë duke cituar fjalimin e Obamës, – shpjegon Pitt, i cili është gjithashtu edhe regjisor, – unë kam ide të përbashkëta me të, dhe ende besoj tek ai, edhe pse gjërat shkojnë shumë shpesh ndryshe nga sa thuhet”.

Duke qenë se në qendër të filmit është universi i kriminelëve dhe keqbërësve, skenat e dhunshme janë të pranishme rëndom në film, por edhe kjo sipas regjisorit të filmit e ka një shpjegim.

“Dhuna, – shpjegon regjisori i ‘Killing Them Softly’, është çelësi më dramatik për të shprehur kontrastet e jetës. Dhe duke qenë se sot, me krizën ekonomike që ka pllakosur, ato kontradikta jetësorë kanë arritur në nivelet më të larta të mundshme, nuk kishte mënyrë tjetër më të mirë për t’i rrëfyer”.

Ndërkohë në tapetin e kuq të Festivali të Kanës, ylli hollivudian dhe protagonist i filmit, Brad Pitt, i pritur nga fansat e tij të shumtë prej orësh të tëra, u paraqit pa bashkëshorten, aktoren e famshme Angelina Jolie. Sipas shpjegimit të Pitt, Jolie nuk kishte arritur të vinte në këtë festival për shkak të impenjimit me xhirimet e një filmi të ri që do të fillojnë së shpejti. Ndërsa i pyetur në lidhje me datën e dasmës së shumëpërfolur të çiftit hollivudian, Pitt preferon të jetë i rezervuar për një çështje që siç u shpreh, duan që të mbetet vetëm e tyre.

23 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)

Autor te 23 Maj 2012. ShowBiz. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry