“Facebook”, përgjegjës për një të tretën e divorceve në Britani

Themeluesi i rrjetit më popullor në botë, ‘Facebook’, Mark Zuckerberg, e ndryshoi statusin e tij në “i martuar” ditën e shtunë, por rrjeti i tij i famshëm social duket se po bëhet shkaktar që një e treta e njerëzve në Britaninë e Madhe, ta kthejnë statusin e tyre në “i divorcuar”, duke u renditur si një ndër faktorët stimulues të shkurorëzimeve në këtë vend.
Sipas një sondazhi të ri, çiftet ankohen gjithnjë e më tepër për sjelljen e bashkëshortit të tyre në ‘Facebook’, çka çon deri në lindje të konflikteve që përfundojnë më pas në divorc. Shkaku kryesor i këtyre ankesave, sipas sondazhit, lidhet me
mesazhe të papërshtatshme të adresuara drejt seksit të kundërt në rrjetin social.

Sipas studimit të realizuar në Britaninë e Madhe, që mori në shqyrtim 5000 raste divorcesh, më tepër se 33 për qind e shkurorëzimeve të ndodhura vitin e fundit listojnë pikërisht ‘Facebook’ si një ndër faktorët kryesorë të divorcit.

“Nëse dikush dëshiron të ketë një flirt me seksin e kundërt, atëherë ‘Facebook’ është vendi ideal për ta pasur një gjë të tillë”, – thonë studiuesit që u morën me sondazhin në fjalë.
Postimi i statuseve të çuditshme dhe veçanërisht fotove të papërshtatshme apo të ekzagjeruara, po shihen gjithnjë e më shumë si shkaktarë të divorceve.
Kështu që duhet të bëni kujdes me çfarë postoni në murin e profilit tuaj në ‘Facebook’, pasi impakti i njerëzve me rrjetet sociale është rritur në një përqindje të frikshme, dhe edhe nëse bashkëshorti ose bashkëshortja nuk iu zbulon, dikush tjetër i afërt me të mund të ‘raportojë’. Lidhjet që lindin nëpërmjet ‘Facebook’-ut janë bërë gjithnjë e më të shpeshta, për shkak të ‘komoditetit’ që të ofron një njohje e tillë.

’Facebook’ arrin të shtjerë në tundim edhe një person të cilit në kushte të tjera, për 1 milion vjet nuk do t’i shkonte në mendje të kishte një lidhje jashtëmartesore, – thonë studiuesit. – Ndryshmi qëndron në faktin se ‘Facebook’, për vetë karakterin e tij virtual, të bën të ndjehesh i sigurt, i pafajshëm dhe në privatësi të plotë.

23 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)

 

Autor te 23 Maj 2012. Kuriozitete. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry