Qeveria miraton një fond shtesë prej 5 milionë lekësh për mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të koreografit
Këshilli i Ministrave ka miratuar sot, pak ditë pas vdekjes së baletmaestros Agron Aliaj, një fond për mbulimin e shpenzimeve të kurimit të tij. Vendimi i fundit i miratuar sot në mbledhjen e radhës së ekzekutivit shqiptar, ka qenë ai për dhënien e një fondi shtesë për Ministrinë e Shëndetësisë prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh, për mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të mjeshtrit të baletit shqiptar, Agron Aliaj. Mjeshtri i koreografisë shqiptare ndërroi jetë në datën 17 maj, në reanimacionin e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, ku ndodhej pas një aksidenti rrugor të ndodhur më 7 mars të këtij viti. Pas aksidentit, familjarët e tij apeluan për ndihmë nga shteti për ta kuruar të afërmin e tyre jashtë shtetit.
Më poshtë është vendimi i miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë:
V E N D I M PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2012, MIRATUAR PËR MINISTRINË E SHËNDETËSISË, PËR MBULIMIN E PJESSHËM TË SHPENZIMEVE TË MJEKIMIT TË Z. AGRON ALIAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 13, të ligjit nr.10 487, datë 5.12.2011, “Për buxhetin e vitit 2012”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Shëndetësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2012, në zërin “Mallra dhe shërbime”, t’i shtohet fondi prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh, për mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të zotit Agron Aliaj.
2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.
3. Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave origjinale të institucionit të kurimit.
4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë