Marija Ristic BIRN Beograd
Abdulah Sokic, i akuzuar për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë në fshatin Çyshk, afër qytetit të Pejës, më 1999, dëshmoi të enjten në gjyq se të gjitha shtëpitë në fshat ishin bosh, duke qenë se të gjithë banorët e fshatit ishin mbledhur në oborr të shkollës.
“Nuk është e vërtetë se kam kryer vrasje individuale nëpër shtëpi, duke qenë se shtëpitë ishin bosh. Raskovic, i cili tha se kam vrarë një shqiptar, po gënjen. Të gjithë banorët ishin në oborrin e shkollës”, tha Sokic.
Zoran Raskovic, i cili vetë ishte anëtar i njësisë “Çakallët”, dëshmoi në dhjetor të vitit 2011. Ai i identifikoi të pandehurit dhe kujtoi në detaje ngjarjet që përjetoi në Çyshk. Raskovic tha se ishte 50 metra larg vendngjarjes së vrasjeve, dhe tha se Sokici me persona të tjerë janë përgjegjës.
Sokici dhe 12 anëtarë të tjerë të skuadrës së Çakallëve, që dyshohet se ka qenë pjesë ë Njësisë së 177-të të Ushtrisë Jugosllave akuzohen për vrasjen e 43 civilëve shqiptarë gjatë sulmeve në fshatin Çyshk në Kosovë, në maj të vitit 1999.
Sipas aktpadisë, skuadra ishte formuar me qëllim për të dëbuar popullatën shqiptare nga territori i Kosovës me qëllimin për të krijuar një zonë etnikisht të pastër të banuar vetëm nga serbë.
Pas sulmit, mbi 400 fshatarë, shumica shqiptarë, duke përfshirë gra, fëmijë, dhe të moshuar, lanë shtëpitë e tyre.
Rasti i Çyshkut është një nga rastet më të mëdha të krimeve të luftës që po mbahen para Gjykatës Speciale në Beograd. Sulmi në Çyshk ndodhi në mes të konfliktit në Kosovë midis forcave të sigurisë serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjyqi do të vazhdojë të mërkurën.
Marrë nga Drejtësia Tranzicionale në Ballkan.