I riu ka konkurruar me një reportazh për qytetin e Beratit, vendlindjen e tij


Saimir Muzhaka është fituesi i edicionit të dytë të çmimit “Dritan Hoxha” dedikuar gazetarëve të rinj. Muzhaka është përzgjedhur mes dhjetëra të rinjve të tjerë, të cilët kanë konkurruar pranë fondacionit “Dritan Hoxha” me shkrimet e tyre. Në të dytin vit që ky fondacion dedikon këtë çmim, një motivim për studentët apo të rinjtë që aspirojnë të bëhen gazetarë, është parë një interesim i madh dhe një prurje më cilësore. Në ceremoninë e dorëzimit të çmimit merrnin pjesë drejtues të Top Medias e të fondacionit “Dritan Hoxha”, gazetarë dhe publicistë nga më të njohurit të letrave dhe medias shqiptare. Fjala e hapjes së ceremonisë u mbajt nga Drejtoresha e Fondacionit “Dritan Hoxha”, Vjollca Dako e cila falenderoi të gjithë konkurrentët për pjesëmarrjen e tyre. Ndërkohë, njëri prej anëtarëve të jurisë së këtij konkursi, Aleksandër Çipa, në fjalën e tij vuri në dukje numrin e madh të konkurrentëve dhe synimin e konkursit të fondacionit, që është rritja e profesionalizmit në gazetarinë shqiptare. Publicisti Remzi Lani vlerësoi punën e themeluesit të Top Medias, Dritan Hoxha, i cili siç tha ai, shndërroi Top Channel në shkollën e gazetarisë profesioniste shqiptare dhe emblemë mbarë-shqiptare. Ndërkohë, fituesi i çmimit, studenti Saimir Muzhaka shprehu falenderimet për vlerësimet e marra dhe ftoi të rinjtë të marrin pjesë masivisht në nisma të tilla, të cilat siç tha ai, janë të pakta në Shqipëri. Çmimi i Fondacionit Mediatik “Dritan Hoxha” dorëzohet në përvjetorin e katërt të ndarjes tragjike nga jeta të themeluesit të Top Medias. Reportazhi i Saimirit i është kushtuar qytetit të Beratit, vendlindjes së tij. Për të, Berati është shembull i atyre qyteteve shqiptare ku shkëlqimi i së shkuarës është vetëm një kujtim, i reflektuar deri diku në pjesën e trashëgimisë kulturore të trashëguar, në përballje të fortë me realitetin social. Teksa nga një anë bën një përshkrim të kalasë, lagjeve “Goricë” e “Mangalen”, vlerave historike para të cilëve ndalen turistë nga e gjithë bota e që i ka bindur autoritetet ta bëjnë pjesë të pasurisë botërore të UNESCO-s, e nga ana tjetër konstatimi i pashmangshëm i plehrave, i ndërtimeve të reja jashtë çdo përpjekje për të bashkëjetuar me arkitekturën ekzistuese, i grabitjeve të ndriçimit të kalasë, i varfërisë sociale, i të rinjve që mendojnë vetëm ikjen.  “Në Berat, triumfi dhe humbja janë bashkudhëtarë, e shkuara historike dhe plehrat e së sotmes, janë fare pranë. Nuk ka punë, nuk ka tregti. Për historinë, pakkush mendon. Në lagjen muzeore “Goricë” mes shtëpive të vjetra, kanë mbirë ndërtesa të reja, si një vilë në majë të lagjes së UNESCO-s. Në kalldrëmin e gurtë, në shumë vende është shtruar asfalt. Shtëpitë karakteristike ngrihen mbi dengje plehrash. Në disa prej tyre gdhendet me të madhe: ‘Shitet’”, shkruhet mes të tjerash në reportazhin e Saimirit, i cili do të botohet i plotë ditën e enjte në gazetën “Shqip”.


23 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)