Poloni 1-0 Letoni


Artur Sobiech gjatë festimit të golit të fitores


Goli i Artur Sobiech tetë minuta para përfundimit qe i mjaftueshëm për t’i dhënë Polonisë fitoren në miqësoren parapërgatitore me Letoninë. Tashmë kanë mbetur vetëm pak javë nga dita kur kampionati evropian i Futbollit Poloni – Ukrainë do të nisë me ndeshjen e Polonisë kundër Greqisë, Franciszek Smuda kreu një përzgjedhje të titullarëve me rezervat për ndeshjen miqësore kundër Letonisë. Lojtarë të rëndësishëm si Robert Lewandowski dhe Wojciech Szczęsny, nuk u përfshinë në skuadër pasi mbërritën vonë në kampin e Linz, ku po stërvitet skuadra polake. Ndeshja qe e barabartë deri në minutën e 82 kur Artur Sobiech shënoi golin e vetëm.


Ndeshja mund të kishte ecur ndryshe për Letoninë, kur në minutën e shtatë humbi një rast të mirë. Në pjesën e dytë Polonia shkaktoi shpejtimin e lojës dhe hasi vështirësi në gjetjen e një hapësire veprimi në mbrojtjen e Letonisë. Vetëm në minutën e 82-ë Sobiech kapi një top të dërguar nga Kamil Grosicki dhe siguroi fitoren.


Polonia do të luajë edhe dy ndeshje të tjera miqësore kundër Sllovakisë dhe Andorës para se të ndeshet me Greqinë në Varshavë më 8 qershor. 23 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)