Spitali i Vlorës, e mbijetuara rrëfen rrugëtimin

Drejtori Shkëlqim Selami: Gjendja e vajzave është në kontroll

Një ditë pas ngjarjes tragjike të ndodhur në Qafën e Vishës në Himarë, në spitalin e Vlorës janë shtruar 10 studente, nga të cilat 4 gjenden në reanimacion, ndërsa 6 të tjerat në pavijonin e kirurgjisë. Një prej vajzave që i ka mbijetuar kësaj tragjedie, Ariola Musaku, rrëfen për “Shqip” detajet e rrugëtimit që nga nisja deri në momentin kur ndodhi aksidenti. Musaku tregon se drejtuesit të mjetit i kishte humbur kontrolli i mjetit pak momente përpara se të ndodhte aksidenti, në një kthesë përpara Qafës së Vishës. 21-vjeçarja thotë se udhëtimi kishte shkuar mirë, madje shumë prej tyre kanë fjetur gjatë gjithë rrugës. “Isha në gjumë kur drejtuesi i mjetit dha alarmin në momentin e fundit, atëherë kur ai pa se autobusi po i dilte jashtë kontrollit. Më kujtohen fjalët e tij: ‘Mbahuni’. Pas kësaj nuk mbaj mend asgjë tjetër. Di që teksa autobusi zbriste në greminë, jemi rrotulluar disa herë deri kur e gjetëm veten në ambientet e spitalit të Himarës”, rrëfen një prej studenteve të mbijetuara. Ndërkohë mjeku Faslli Haxhiraj tha se gjendja e vajzave është përmirësuar, ndonëse në kujdesin e vazhdueshëm të bluzave të bardha. Të njëjtën gjë pohon edhe kreu i spitalit të Vlorës, Shkëlqim Selami, sipas të cilit gjendja shëndetësore e vajzave është e mirë.

Ishte ora 02.00 e mëngjesit të djeshëm, kur një burrë i moshuar rreth të 70-ave rrinte i kërrusur në trungun e një peme në afërsi të morgut të Vlorës duke pirë cigare. Iu afrova për ta pyetur se çfarë po priste aty. Më tregoi që vajza ishte udhëtare në autobusin që u rrëzua tragjikisht në humnerë. “Po kërkoj vajzën, nuk di ende asgjë për të”, tha zotëria. E pyeta për emrin dhe u përpoqa ta gjeja Luliana Tolen në listën e të plagosurave të transportuara në Spitalin Ushtarak të Tiranës, por nuk e gjeta. I them se emri i vajzës së tij nuk ndodhet në asnjë listë. Pasi u largova disa çaste, iu afrova sërish. I moshuari më tha se vajza e tij kishte vdekur, duke thithur thellë cigaren që mbante në dorë. Nuk e di se si e gjeta forcën për t’i thënë këtij njeriu: “Bëhu i fortë”.

Drejtuesit e bankës rajonale të gjakut raportojnë zyrtarisht se gatishmëria e qytetarëve ka qenë maksimale, duke shënuar një numër të jashtëzakonshëm dhuruesish.

 

Ekspertiza

Pacientet në reanimacion, mjekët: Transporti jashtë ka rreziqe

Pacientet në gjendje të rëndë shëndetësore, në terapi intensive, nuk mund të transportohen në qendra shëndetësore jashtë vendit. Ekspertiza e mjekëve të Spitalit Ushtarak ka arritur në përfundimin se pacientet e paraqitura dy ditë më parë me probleme komplekse shëndetësore dhe që trajtohen në reanimacion do të kishin më tepër rreziqe nëse dërgohen në spitalet jashtë vendit.

Sipas zëvendësministrit të Shëndetësisë Bardh Spahia, në këtë moment stafi mjekësor i spitalit ka vendosur në dispozicion të gjitha kapacitetet njerëzore, pajisjet, trajtimet dhe janë plotësuar të gjitha kërkesat për kurimin e vajzave të aksidentuara në ekspeditë. “Në rast se do të lindte nevoja për ndërhyrje specifike që ne nuk i kryejmë në vend, apo në një moment të dytë, ekziston mundësia që pacientet të dërgohen jashtë vendit, por aktualisht e gjithë trupa e mjekëve që po asiston pacientet janë të mendimit se transporti do të paraqiste rreziqe në këtë moment”, deklaroi zv/ministri Spahia. Ai ka sqaruar se të aksidentuarat që ndodhen në terapi intensive nuk duhet të transportohen në qendrat shëndetësore jashtë vendit.

Po ashtu, Kryeministri i vendit ka konfirmuar dje gjatë vizitës së tij në Spitalin Ushtarak se: “Gjendja e vajzave të aksidentuara në tërësi është mirë, por përsëri dy prej tyre po përballen me vështirësi shumë të mëdha. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka vendosur lidhje me klinika të huaja dhe në momentin e parë që ato t’i japin dritën jeshile se do t’i pranojnë, ne do t’i nisim, ndonëse këtu është bërë një punë e jashtëzakonshme.

Qendra e Traumës në Spitalin Ushtarak ka raportuar se stafi mjekësor është në gatishmëri, ndërsa janë ngritur ekipe të posaçme për të mbajtur në vëzhgim pacientet e aksidentuara dy ditë më parë në Himarë. Rasim Madani, mjek në Spitalin Ushtarak, dje rreth orës 19:30 ka raportuar se: “Nga 14 vajza të shtruara në Spitalin Ushtarak, 3 prej tyre janë në gjendje më të rëndë. Janë kryer operacione, dolën me sukses, por do të jetë reagimi i pacientit që do të përcaktojë nëse ato dalin nga gjendja e rrezikut. Presim të zgjohen nga gjumi dhe të shohim ecurinë e tyre”. Lorina Mixha

 

Deklarata dhe statuset në “Facebook”

Besiana Dani

“Isha ulur nga fundi. Shoferi bëri një frenim të fortë. Ishim në kthesë, se pashë nëse i ka dalë ndonjë automjet para. Aty autobusi doli jashtë kontrollit. Bëmë dy-tri rrotullime. Zbritëm në Himarë për të ngrënë drekë, por profesori vendosi të hanim në Porto Palermo, kështu që u nisëm sërish. Dëgjova vetëm shoferin që tha mbahuni”.

 

Doriana Stafa

Një prej viktimave, pak çaste para aksidentit tragjik që i mori jetën asaj dhe 10 studenteve të tjera, shkruan në “Facebook” përjetimin e saj për këtë udhëtim: “Rrugës për Sarandë. Faleminderit Zot që më dhe mundësinë për të kaluar këtë kohë të bukur me shoqërinë”.

 

Erjola Xhoi

Një tjetër vajzë që nuk mundi t’i mbijetonte aksidentit në Himarë ka lënë shënimin e fundit të saj në rrjetin social më datë 4 maj. “Jeta nuk pati qëllimin të na bënte qenie perfekte. Kushdo qoftë apo pretendon të jetë perfekt s’e ka vendin këtu, por në muze…” Remark

 

Autor te 23 Maj 2012. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry