Kombëtarja shqiptare zbarkoi në Rinas pas miqësores së fituar në Madrid
Altin Manallari
Entuziaste për fitoren 2-1 ndaj Katarit në Madrid, por tashmë e ka mendjen te përballja ndaj Iranit të premten në Stamboll. Kjo është atmosfera brenda Kombëtares së Shqipërisë, e cila zbarkoi dje në Aeroportin e Rinasit. Trajneri Xhani De Biazi, theksoi edhe një herë se ishte i kënaqur nga loja e skuadrës, por ka ende për të përmirësuar. “Miqësorja ndaj Katarit më dha mjaft përgjigje si trajner, në bazë të të cilave do të vijoj punën dhe do të mundohem të bëj korrigjimet e nevojshme, u shpreh tekniku italian. Mendoj se përtej rezultatit, fitores sonë, si trajner jam i kënaqur nga loja e skuadrës. Në përgjithësi lojtarët e mi zhvilluan një ndeshje të mirë, me ritëm dhe ditën të dalin me shpejtësi nga krahët, ashtu sikurse u kisha kërkuar. Krijuan mjaft raste të mira për shënim në pjesën e parë, pavarësisht se përfundoi 0-0. Ndodhi ndryshe në pjesën e dytë, sepse që në fillim të saj arritëm të shënonim dy herë me Bakajn dhe Bogdanin. Patëm edhe raste të tjera për ta thelluar avantazhin, por në fund mbeti në fuqi rezultati 2-1”. Kjo është fitorja e parë për De Biazin në krye të kuqezinjve dhe kjo i ka shijuar trajnerit, por gjithsesi ka ende shumë punë për të bërë. “E përsëris, fitorja e parë si trajner i Shqipërisë më gëzon, është një moment i veçantë për mua, por ajo që dua të nënvizoj është diçka tjetër: ndeshja më pëlqeu, edhe pse duhet të përmirësohemi më tepër, rrëfen tekniku i Shqipërisë. Çdo ndeshje vlen, qoftë kjo edhe miqësore, sepse nxjerr të dhënat e mia si trajner, marr përgjigjet e nevojshme për lojtarë të veçantë apo mënyra të të luajturit. Ndaj Katarit, tepër e rëndësishme ishte që të kuptoja sjelljen e skuadrës në fushë, mënyrën sesi kalonte në fazën ofensive. Në ndryshim nga miqësorja me Gjeorgjinë, kësaj here ishim më të kompletuar, sepse luajti edhe Cana me Bogdanin, dy shtylla të kësaj Kombëtareje. Do të bëjmë edhe analizën e detajuar të kësaj miqësoreje me lojtarët”. Koha në dispozicion nuk është e madhe, pasi më 27 maj kuqezinjtë do të duhet të luajnë në Stamboll ndaj një kundërshtari më të fortë se Katari, pikërisht kundër Iranit. “Pres një sfidë shumë më të vështirë se ndaj Katarit, pohoi De Biazi. Irani është tjetër kombëtare, kërkon tjetër angazhim, kjo nuk diskutohet. Ajo çka shpresoj për momentin është që të gjithë futbollistët t’i kem në dispozicion, duke qenë se disa prej tyre kanë probleme dëmtimi. Irani pa dyshim është skuadër e fortë, çka e tregon edhe renditja e FIFA-s. E përsëris, do të jetë një ndeshje më e vështirë, megjithatë do të kërkojmë të bëjmë më të mirën”. Në fund dy fjalë tekniku i rezervoi edhe për Mavrajn dhe repartin e mbrojtjes: “Paraqitja e Mavrajt ishte e mirë, ai luajti në krah të Lorikut në qendër të mbrojtjes, ndërsa Dallku në të djathtë dhe Veliu në të majtë. Ishte një mbrojtje e paprovuar më parë, por e përsëris që duhet të përmirësohemi më shumë, si në repartet e tjera. Kemi punuar disa ditë për të ndërtuar këtë mbrojtje dhe besoj se kemi bërë një punë të mirë”, përfundoi De Biazi.
Irani
“Pres një sfidë shumë më të vështirë se ndaj Katarit, pohoi De Biazi. Irani është tjetër kombëtare, kërkon tjetër angazhim, kjo nuk diskutohet, megjithatë do të kërkojmë të bëjmë më të mirën”
