Genta dhe Ermali, pavarësisht se gjatë qëndrimit në shtëpi kanë qenë afër njëri-tjetrit, sërish kanë momente kur përplasen. Ermali i ka shprehur disa herë dyshimet për lojën e Gentës, ndërsa ajo i thotë vazhdimisht që Ermali kalon në ofendime. Ermali i ka thënë se Gentës nuk i merret vesh, pasi njëherë thotë se Rubensin nuk do ta takojë, pastaj thotë se e konsideron ende të dashur. Kjo gjë bëhet shkak për debat mes tyre
Arbri ka qëndruar më i veçuar nga banorët e tjerë dhe është përpjekur t’u shmanget debateve të mundshme që mund të lindin në shtëpi. Françeska e ka provokuar disa herë, por ai nuk ka reaguar, pasi edhe më parë ka deklaruar se nuk do të debatojë më me banorët. Nga ana tjetër, pesë finalistët e këtij edicioni urojnë që të fitojë më i miri.
Genta kundër Arbrit dhe Liamit: Ju më keni sulmuar më shumë
Ndërsa bisedojnë për finalen, Genta i drejtohet Arbrit dhe Liamit dhe u thotë se ata të dy kanë qenë personat që e kanë sulmuar më shumë Gentën. “Unë kam qenë personi më i sulmuar nga ju për lojën”, thotë më tej Genta. Arbri e mohon dhe i thotë se i ka thënë vetëm ato gjëra që nuk ka pëlqyer tek ajo, por shprehet se ai nuk ka sulmuar asnjë banor në shtëpi. Liami gjithashtu i kthen përgjigje Gentës dhe i thotë se ai ia ka vënë në dukje lojën e saj që javën e dytë të qëndrimit në shtëpi dhe i ka thënë se mënyra se si ajo ka luajtur nuk i ka pëlqyer asnjëherë dhe këtë ia ka përsëritur vazhdimisht. Arbri i kundërvihet Gentës dhe i përsërit se për të loja e saj nuk ka pasur asnjë vlerë, e Genta i përgjigjet prandaj jam këtu ku jam, dhe thekson se fakti që është finaliste do të thotë shumë. Liami i thotë Gentës se loja e saj është e barabartë me zero, ndërsa Arbri shton: “Për mua s’ke shpirt lojtari”. Françeska ndërhyn përsëri e thotë se ajo mendon se Arbri do të jetë i pari nga finalistët që do të lërë shtëpinë e “Big Brother 5”. Arbri i thotë se kjo nuk ka për të ndodhur dhe të dy vënë bast për këtë gjë.
Arbri: Nuk debatoj më
Françeska nis të debatojë me Arbrin dhe ngre zërin, duke u munduar që ta acarojë atë, por ai nuk i kundërpërgjigjet, duke mos dashur të debatojë më. Françeska i thotë Arbrit se ai është kontradiktor, sepse ka debatuar me Liamin duke përdorur ato që ka thënë apo bërë ai kundrejt banorëve të tjerë, ndërkohë që më pas ai ka bërë apo ka thënë të njëjtat gjëra si ai. “Ndonjëherë ti flet kot”, i thotë Françeska, Arbrit dhe Liami ndërhyn duke thënë: “Këtë e ke Arbër, ta kam thënë edhe unë këtë”. Herë pas here Liami kundërshton Arbrin, duke përkrahur Françeskën, ndërsa Arbri mundohet të mbrohet. Arbri i thotë Françeskës se ai nuk do që të debatojë më me të dhe as me banorët e tjerë dhe shprehet “e kam bërë këtë për tre muaj me radhë, me secilin prej jush kam debatuar për tre muaj, tani s’dua të debatoj, dua të pres i qetë që të dal prej këtu”. Françeska e kundërshton, duke i thënë se ajo do të kapet kur të dojë dhe është zgjedhja e saj që i ka lënë debatet e tilla për javën e fundit. “Unë tani dua të kapem”, i thotë Françeska, Arbrit e më pas shprehet se ai ka debatuar gjithmonë me Ermalin apo Liamin kur këta kanë pasur debate me banorët e tjerë. “Ti ke marrë debatet e tyre, dhe falë tyre je këtu ku je, kështu që po fitove gjysmat e lekëve duhet t’ia japësh Ermalit dhe Liamit”, i thotë më tej Françeska, Arbrit. “Kot je duke folur se nuk po të dëgjoj”, i thotë Arbri, Françeskës e ajo i përgjigjet “s’ka problem se më dëgjon një publik i tërë”.
Ermali fiton lojën në pishinë “Kush vishet më shpejt”
Banorët marrin një zarf, brenda të cilit ndodhen disa udhëzime për një provë argëtuese. Pas leximit të zarfit të gjithë dalin në zonën e pishinës. Ata duhet të veshin rroba, duke përfshirë çorape e atlete e t’i lidhin këto të fundit brenda në pishinë, pa prekur fundin e pishinës. Ata duhet të notojnë gjatë gjithë kohë, ndërkohë që edhe vishen. Kjo provë do të fillojë e mbarojë me rënien e gongut dhe banorët do të nisin të futen në pishinë sipas rendit alfabetik, pra Arbri do të nisë provën. Kështu të gjithë dalin në zonën e pishinës e me rënien e gongut fillojnë provën. Njëri pas tjetrit të gjithë zhvillojnë pjesën e vet të provës dhe argëtohen edhe duke parë njëri-tjetrin teksa mundohen të veshin rrobat në ujin e pishinës. Në fund të lojës “Big Brother” komunikon se kjo lojë u fitua nga Ermali.
Françeska: Arbri të mos imitojë Liamin, se mjaft e ka imituar
Françeska dhe Genta dalin në kopsht për të pirë cigare dhe fillojnë të këndojnë me zë të lartë, duke u argëtuar me njëra-tjetrën. Pak minuta më vonë banorët mblidhen në sallon e fillojnë të luajnë me njëri-tjetrin. Njëri nga banorët shkruan në letër një fjalë, ndërsa pjesa tjetër e banorëve duhet ta gjejnë. Ata ndahen në dy grupe, të cilët luajnë kundër njëri-tjetrit. Herë pas here ata hasin përplasje midis dialekteve, duke mos rënë dakord në të njëjtën formë të fjalës. Arbri dhe Ermali i përkasin të njëjtit grup e në një rast fjalën që duhet të gjejnë e shkruajnë “yllat”. Lidhur me të, hasin kundërshtime nga banorët e tjerë, të cilët thonë se shkruhet “yjet”. Ermali dhe Arbri tentojnë në të vetën. “Në abetare e kemi mësuar ‘yllat’”, shprehet Ermali. “Është turp, thuhet ‘yjet’”, ia kthen Liami.
Por loja vazhdon më tej e banorët vazhdojnë të argëtohen për minuta të tëra, duke luajtur me njëri-tjetrin. Pasi mbarojnë lojën, banorët fillojnë të flasin për rrjetin social “Facebook”, fotot që kanë shkarkuar atje dhe komentet që kanë marrë nga njerëzit e njohur. Genta hedh idenë që secili të imitojë një banor tjetër të shtëpisë. “Unë do të bëj si Françeska; Françeska si Arbri; Arbri si Liami”, thotë Genta. “Jo, Arbri të mos bëjë si Liami se boll e ka bërë gjatë gjithë kohës”, thotë Françeska duke qeshur. Ndërsa atje shkon Liami, i cili propozon që këtë lojë ta bëjnë nesër gjatë ditës.
Zënkë mes Ermalit e Gentës. Genta: Ti Ermal s’më pëlqen se si flet
Banorët vazhdojnë bisedat mes tyre në sallon, ndërkohë që fillon një diskutim mes Gentës e Ermalit, i cili përfundon në ngritje zëri mes të dyve. Genta thotë se i kujtohet që e ka parë në një emision në “Top Channel” Ermalin, ndërsa ai e sqaron se ka qenë dikush tjetër dhe jo ai. Më vonë fillon ta vërë në lojë, duke i thënë se ajo nuk ka se me çfarë ta mbushë ditën kur të dalë dhe se do të hapë një faqe në “Facebook” me emrin e Liamit. Genta i thotë se ka për të filluar punë pasi të dalë dhe se kjo është arsyeja se përse ka hyrë në “Big Brother”. Ajo nervozohet, pasi Ermali aludon se ka mundësi që edhe të mos fillojë një punë. Kështu fillon një diskutim mes tyre, ku secili fillon t’i përmendë tjetrit ato që kanë thënë për veten gjatë kohës të qëndrimit në shtëpi. “Ti ke thënë që do të bësh profesionin e Klaudjas kur të dalësh”, i thotë Genta, ndërsa Ermali thotë se atë gjë do ta bëjë për hobi, si mënyrë argëtimi, por nuk e konsideron punë. “Ti s’ke lek të paguash një drekë, tani thua që i bën gjërat për qejf”, thotë Genta. “Kjo të turpëron”, thotë Ermali, ndërsa Genta i bën të qartë se ai e ka turpëruar gjatë gjithë kohës. Ajo thotë se Ermali çdo bisedë e kalon në ofendim për të. Ermali i kujton asaj Rubensin dhe i thotë se Genta bie thjesht në kontradiktë me veten, pasi deri më tani ka thënë se nuk do ta takojë Rubensin, ndërsa sot tha se e konsideron ende të dashur. “Ti Ermal nuk më pëlqen fare nga mënyra se si më drejtohesh dhe se si flet”, i thotë Genta. “Kështu është kur nuk e nominon Ermalin, por më nominon mua”, i thotë Françeska. Kështu, diskutimi i tyre vazhdon për disa minuta, ndërsa më vonë Ermali dhe Françeska shkojnë në dhomën e gjumit.
Banorët: Fitoftë më i miri!
Ermali ndihmon Françeskën që të mbarojë sa më shpejt së gatuari drekën dhe nuk vonon shumë që ushqimi të bëhet gati. Çifti bën gati katër pjata, ndërkohë që në shtëpi janë pesë banorë. Ermali i thotë Françeskës se përse ajo nuk gatoi edhe për Arbrin, por Françeska i përgjigjet se vetë Arbri i tha se nuk donte.
Ermali e të tjerët dyshojnë se Françeska nuk gatoi për Arbrin pasi një gjë të tillë e shprehu edhe më parë, por dyshimet e tyre i hedh poshtë Arbri, i cili vjen në kuzhinë për të marrë një kos frutash. “Unë nuk desha, do të ha kos”, thotë Arbri dhe më pas del në oborr për të ngrënë kosin që është edhe vakti i tij i drekës. Banorët e tjerë, Liami, Françeska, Genta dhe Ermali ulen në tavolinën e ngrënies dhe hanë të gjithë bashkë duke biseduar herë pas herë. Ata e shoqërojnë ushqimin me birrë dhe urojnë njëherazi “fitoftë më i miri”.