Kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka rrëzuar dje në mënyrë kategorike tri kërkesat bazë të opozitës që mund të ofrojnë një konsensus për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare. Një ditë përpara se të skadonte afati final, Berisha tha në mbledhjen e qeverisë se opozita duhet të ishte e para që duhet të refuzonte një numërim elektronik, sepse ai do të rrezikonte gjithë procesin. “Mendoj se rekomandimi i ODIHR është absolutisht interesi i parë, më i madh i opozitës. Se në qoftë se opozita kërkon siguri në zgjedhje dhe këtë e do me siguri, nuk dyshoj për këtë atëherë pozita nuk mund të vrapojë pas opsioneve, të cilat nuk japin sigurinë e plotë, të cilat nuk janë të testuara”, deklaroi Berisha. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë e quajti të paarsyeshme kërkesën e opozitës, sipas të cilës dy anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet të kishin të drejtën të kontrollonin materialin zgjedhor.
“Në një kohë kur nuk ka vendim që të jetë me më pak se katër vota, kërkojnë një vendim që të merret me dy vota, për të hapur të gjithë dokumentacionin, çka do të thotë për të futur zgjedhjet në proces të pafund dhe moskompletimi”, argumentoi Berisha.
Gjiknuri
Ka ardhur i menjëhershëm reagimi i opozitës. Sipas bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, Berisha po nxirrte vetëm pretendime për sa i përket mospranimit të kërkesave të socialisteve për më shumë transparencë në zgjedhje dhe në Parlament. Gjiknuri theksoi se mospranimi i kërkesave për KQZ-në, tregon se Berisha përfundimisht nuk e do transparencën, por do që procesi i hetimit të jetë gjysmak dhe i errët. Gjiknuri shtoi më tej se Berisha përzien me qëllim punën e Komisionit të Reformës Zgjedhore me atë të reformës parlamentare. “Sali Berisha ka dashur ta përziejë këtë proces me atë të zgjedhjes së Presidentit, në mënyrë që ta përdorë si një instrument në favor të këtij procesi. Nëse ka vullnet, edhe këto ditë mund të punohet, mund të negociohen çështjet e mbetura”, konkludoi nënkryetari socialist i komisionit për reformën.
F.Mejdini