Ndërkombëtarët, Wollfarth takon Ramën. Jagland me Berishën flasin për imunitetin
Shkelja e afatit të 24 majit ka alarmuar ndërkombëtarët, të cilët kanë reaguar në mënyrë të rrufeshme, duke i kujtuar mazhorancës dhe opozitës mbajtjen e premtimeve para komisionerit Stefan Fule për kryerjen e reformave para zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Nga Brukseli, zëdhënësi i komisionerit, Stefan Fyle, Peter Stano, i pyetur në lidhje me përmbylljen e reformës zgjedhore në Shqipëri brenda datës së këshilluar nga komisioneri Fyle, u përgjigj se “data 24 nuk ka mbaruar ende. Sidoqoftë koha po ecën me shpejtësi, reforma është komponent kryesor i marrëveshjes së nëntorit dhe zbatimi është element i rëndësishëm për konsolidimin e dialogut. Në këtë kontekst dhe në këtë frymë kemi inkurajuar Shqipërinë dhe liderët politikë për të përmbushur ato pak çështje që Shqipëria duhet të përmbushë. Nuk duhet të humbasë më shumë kohë, sepse ka ende punë për të bërë, për të përmbushur 12 kriteret përpara opinionit të Komisionit Europian”. Stano deklaroi më tej se komisioneri Fyle gjatë vizitës në Tiranë mori mbështetjen e palëve politike për përmbylljen e reformës zgjedhore. Sipas tij, është koha që ky premtim të mbahet.
“Fyle tha që data 24 është ditë e rëndësishme për të përmbyllur reformën elektorale, thashë që data 24 nuk ka mbaruar ende. Fyle u sigurua nga kryeministri dhe lideri i opozitës për përmbylljen e reformës elektorale. Ne presim që premtimi të mbahet, kemi nxitur drejtuesit shqiptarë për ta mbyllur këtë çështje sepse ka më shumë punë për të bërë për të plotësuar 12 prioritetet”. Në Tiranë, ambasadori i OSBE-s, Eugen Wollfarth, ka zhvilluar një takim në selinë rozë me kreun e PS-së, Edi Rama. Ky takim kishte për qëllim zgjidhjen e ngërçit për reformën zgjedhore dhe për mënyrën e zgjedhjes së presidentit. “Patëm një bisedë shumë konstruktive dhe miqësore, në kuadrin e marrëdhënieve shumë të mira që kemi. Në takim, prekëm çështjet politike aktuale. Në bisedën time me kryetarin e PS, unë e përgëzova për punën e mirë të bërë nga bashkëkryetari socialist në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Drafti i reformës së Kodit Zgjedhor është i shkëlqyer. Hapi përfundimtar duhet marrë në nivelin politik, me përfshirjen e të dyja kampeve politike. Deri më tani, është bërë punë shumë konstruktive. Më lejoni të them dy fjalë për sa i përket zgjedhjes së presidentit. Shoh një shkallë të lartë konstruktiviteti në dëshirën për të pasur një president konsensual. Shoh linja të rëndësishme dialogu mes drejtuesve, veçanërisht midis drejtuesve të partive, të cilat janë të hapura dhe të përdorura. E gjithë kjo më duket shumë inkurajuese dhe pres me dëshirë të shoh një proces të suksesshëm të hapur, transparent, të drejtë dhe konstruktiv”, tha Wollfarth. Ngërçi politik i rishfaqur po ndodh pikërisht në momentin kur Shqipëria merr drejtimin e Presidencës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës. Dje, në Tiranë, ndodhej Sekretari i Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Thobjorn Jagland. Ai është takuar me Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha. Aty kanë diskutuar në lidhje me heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, mbi zhvillimet në vend, duke u ndalur në veçanti në punën për kryerjen sa më shpejt të reformës zgjedhore dhe reformave të tjera.