Fier
Dy të rinj 20-vjeçarë, një djalë dhe një vajzë, banorë të qyteteve të ndryshme të Qarkut të Fierit, i kanë dhënë fund jetës në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës. Të dy kanë konsumuar fostoksinë dhe kanë ndërruar jetë gati në të njëjtën kohë. Erjon Duraj, 20 vjeç, banor i lagjes “Gllavenicë” të Ballshit dhe N.H., 20 vjeçe, banuese në qytetin e Fierit janë dy viktimat e depresionit dhe fostoksinës. Erjoni ishte student i vitit të dytë në degën Shkenca Toke në Tiranë. Të afërmit tregojnë se ai nuk kishte shfaqur ndonjë shqetësim, por përpara se të ndërmerrte aktin fatal kishte përqafuar motrën e vogël 16-vjeçare. Rreth orës 18:30 të së mërkurës familjarët e kanë gjetur në një banesë të vjetër ku mbanin materialet e punës, ende në jetë. Me gjithë ndihmën e dhënë studenti nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë rreth orës 22:00 të po asaj dite. Burimet kanë sqaruar se viktima kishte kohë që luante në lojërat e fatit dhe kishte krijuar borxhe. Ai ka lënë edhe një letër për familjarët. Për rastin e 20-vjeçares nga Fieri, ende nuk janë konfirmuar motivet e vetëhelmimit.
e.h.