Aktiviteti


Janë 30 lahuta unike në llojin e tyre që do të ekspozohen sot në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Ky aktivitet organizohet në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë nga Instituti Shqiptar i Shkencave (AIS) dhe Qendra e Inventarizimit të Pasurive Kulturore (QIPK). E titulluar “Lahuta e Eposit Shqiptar”, ekspozita synon të përcjellë mesazhin e respektimit të vlerave unike të mitologjisë dhe etnografisë kombëtare. Lahuta, instrumenti që shoqëron këngët e Eposit të Kreshnikëve, është simbol i vlerave unike të eposit kombëtar dhe trashëgimisë kulturore të një kombi të lashtë. Si një instrument i mjeshtërisë popullore, lahuta mbart dhe dëshmon mbi elemente të mitologjisë ilire, të përcjella në periudhën arbërore. Kjo vegël muzikore është vlerësuar edhe si kryevepra e trashëgimisë shpirtërore kombëtare. Në ekspozitën që çelet sot, janë përzgjedhur rreth tridhjetë vegla muzikore të vjetra dhe nga më uniket sa i takon mjeshtërisë dhe simbolikës. Secili objekt në këtë ekspozitë mbart nga një simbol apo qenie mitologjike. Për herë të parë do të prezantohen së bashku lahuta e gdhendur me orët e bjeshkëve, figura e kreshnikut, gjarpri shërues, zana, dielli dhe hëna apo brirët e bollëkut. Mjeshtëria e punimit të lahutës përbën një zeje të veçantë në tërësinë e zejtarisë shqiptare.