Deklarata
Shefi i Parlamentit Europian, Martin Schulz, ka nisur një sulm ndaj Kancelares gjermane, Merkel, për promovimin nga ana e saj të politikave që sipas tij rrisnin kostot e huamarrjes në të gjitha vendet e eurozonës, përveç Gjermanisë, e cila ka një interes zero për bonot e saj.
“Gjermania ka shituar bono me një vlerë prej 4.6 miliardësh me një interes 0%. Ndërkohë, kostoja e huamarrjes për vende të tjera është duke u rritur në mënyrë të vazhdueshme. Kjo mungesë balance është duke shkatërruar Europën”, deklaroi Schulz. Rekordi i përqindjeve të interesit reflekton rritjen e frikës së tregjeve financiare në lidhje me përhapjen e krizës përveç Greqisë edhe në vende të tjera të Eurozonës dhe në një situatë të tillë kaotike bonot gjermane duket se u japin investitorëve siguri. Politikani gjerman fajësoi për një situatë të tillë Merkelin, e cila ka lejuar politika që nxisin mungesën e balancës dhe paralajmëroi se kjo politikë e ndjekur prej saj do të kthehej shumë shpejt kundër Gjermanisë. “Ne nuk mund të kemi përqindjeje interesi negative nga njëra anë dhe nga ana tjetër kemi vende të cilat po zhyten nën peshën dhe barrën e interesave shumë të larta”, vazhdoi ai. Schulz, i cili si socialdemokrat është rival politik i Merkelit, në Gjemani tha se shpresonte që politikat do të përqendroheshin më shumë te punësimi, veçanërisht ai i të rinjve dhe kjo situatë sipas tij i sillte një dëm shumë të madh demokracisë. Të pyetur nëse ishte me të vërtetë Merkel gjithnjë e më e izoluar në politikat e saj ndërsa vende të ndryshme po bëheshin me Hollande, politikani gjerman tha se Merkel duhet që të pranojë që në vende të tjera njerëzit nuk janë dakord me politikat e saj ndaj ajo duhet që të bëjë kompromis, gjithsesi ai nuk mendon se Merkel është e izoluar.