Një punonjës i Vatikanit, i cili dyshohet se ka dorëzuar në media dokumente sekrete, përfshirë edhe disa letra të papës, u arrestua sot. Disa lajme të pakonfirmuara thanë se “spiuni” pati punuar si kryeshërbyes i papës. Skandali i njohur gjerësisht si “Vatileaks”, ka zbuluar dyshime për korrupsion brenda Selisë së Shenjtë, keqmenaxhim dhe konflikte të brendshme.
Vatikani njoftoi se i arrestuari po merret aktualisht në pyetje.
Muajin e kaluar Papa Benedikt XVI krijoi një komision të posaçëm kardinalësh për të hetuar mbi rrjedhjen e informacionit.
“Hetimi i kryer nga policia e Vatikanit i mundësoi komisionit të identifikojë dikë që kishte në posedim dokumente konfidenciale,” deklaroi zëdhënësi i Selisë së Shenjtë.
Media italiane thotë se i arrestuari është Paolo Gabriele, kryeshërbyesi personal i Papës dhe nga të paktët që ka akses në apartamentet private. Vetëm një numër i vogël njerëzish hyjnë në studion private të papës, gjithsej katër murgesha, dy sekretarë dhe një shërbyes.
Raportohet se dokumentet konfidenciale u gjetën në apartamentin e të arrestuarit brenda mureve të Vatikanit. Arrestimi erdhi vetëm pak ditë pasi presidenti i Bankës së Vatikanit Ettore Gotti Tedeschi u hoq nga bordi drejtues, zyrtarisht me motivin se ka dështuar të kryejë funksionet më të rëndësishme të postit të tij.
Skandali Vatileaks mbushi me lajme median italiane. Dokumentet sekrete përfshinin një letër drejtuar Papës nga ambasadori aktual i Vatikanit në Uashington, ku flitej për nepotizëm dhe korrupsion mes administratorëve të qytetit të Vatikanit si dhe për pagesa të dyshimta të kryera nga Banka e Vatikanit.
Në rast se i arrestuari është një njeri i zakonshëm, ai do t’i nënshtrohet një gjyqi nën kodin penal italian, por në rast se është njeri i kishës, do t’i nënshtrohet një gjyqi fetar, gjë që ka ndodhur shumë rrallë. 25 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)