Raporti


Ndodhet në pikën më të ulët këta tre vjet


Aktiviteti i biznesit në Europë ka shënuar rënien më të madhe të këtyre tre viteve të fundit sipas një studimi. Kjo kryesisht si pasojë e krizës që ka mbërthyer vendet e Eurozonës. Edhe takimi mes liderëve të BE-së të mërkurën që shkoi duket se nuk ka sjellë asnjë mesazh qetësues dhe sigurues për biznesin, sepse liderët në këtë takim nuk arritën që të gjenin një pikë të përbashkët për daljen nga kriza. Presidenti francez, Hollande, nxiti për masa që kanë të bëjnë me rritjen ekonomike dhe për lançimin e bonove europiane që do të lejonin vendet problematike që të mblidhnin para me një përqindje interesi më të ulët nga sa është aktualisht. Por Gjermania ka bërë të ditur se do të jetë kundër një skeme të tillë deri në momentin që në Europë do të ketë masa më të rrepta fiskale dhe në lidhje me buxhetet.


Raporti ekonomik i publikuar dje tregon se shqetësimet në lidhje me krizën greke janë duke pasur një impakt shumë të madh në të gjitha fushat e biznesit në kontinent. Firma që e ka kryer këtë studim thotë se momenti më i keq ka qenë ai i majit, pra ai në vazhdim. Dhe situata, sipas parashikimeve, nuk pritet që të përmirësohet shpejt, pasi edhe parashikimet janë për momente të vështira ngërçi dhe tkurrjeje në të gjithë biznesin. Nivelin më të ulët e kanë shënuar pikërisht fabrikat dhe uzinat gjermane dhe ato franceze.